Lexoni nga Mateu 21:1-11
Hyrja ngadhënjimtare
Hosana Birit të Davidit! (v. 9)
Ndërsa njerëzit rreshtoheshin nëpër rrugë, duke hedhur mantelet e tyre në tokë përpara Jezusit, ata bërtisnin “Hosana”, që do të thotë “Zot, na shpëto!”. Aq sa ishte lavdërim, aq ishte edhe një klithmë e thellë nga përbrenda; një klithmë për gjithçka që nuk shkonte që më në fund të kthehej siç duhej, për gjithçka të humbur që më në fund të gjendej, për gjithçka të thyer që më në fund të ishte e plotë. Ata klithën dhe bërtitën për një mbret që do t’i shpëtonte.
Ndërkohë që Jezusi hyn në Jerusalem mes brohoritjeve me “hosana”, ai edhe konfirmon shpresat tona por edhe i shpërfill pritshmëritë tona. Titulli normal i kishës për këtë histori është “Hyrja ngadhënjimtare”. Jezusi hyri si një mbret dhe merr njohje dhe lavdërim. Jezusi është mbret; ai është mbreti që premtoi Perëndia. Megjithatë, hyrja e tij në Jerusalem vetëm ngadhënjimtare që nuk ishte. Ai erdhi “zemërbutë, hipur mbi një gomare” (v. 5, duke cituar Zak. 9:9). Mbërritja e Jezusit në Jerusalem e deklaroi atë si mbret, megjithatë jo përmes shfaqjes së pushtetit, por shfaqjes së përulësisë. Jezusi është përgjigja e Perëndisë për klithmat e “Hosana”-s, e megjithatë jo ashtu siç e presim ne.
Jezusi është mbreti që vjen tek populli, vjen tek ata që këlthasin për çlirim. Por ai vjen në përulësi, jo si një pushtues. Jezusi nuk vjen të dëbojë romakët, dhe as ta ndreqë botën përmes forcës, por ta shpëtojë atë përmes sakrificës së tij. Jezusi nuk hyri në Jerusalem si pushtues, por që të jepte jetën e tij në kryq për të falur mëkatet tona.
Java e Shenjtë fillon me njerëz që klithin “hosana”, bashkë me klithmën për shpëtim. Është një klithmë që ka marrë përgjigje tek Jezusi. — Stephen Shaffer
Ndërsa luteni, i kërkoni Jezusit t’ju ndihmojë ta pranoni atë si mbret.