Lexoni nga 1 Pjetrit 1:13-21
Mendje e orientuar ndaj veprimeve
Prandaj, ngjishini ijët e mendjes suaj… (v. 13)
Diçka nuk duket aspak mirë te vargu 13: “Ngjishini ijët e mendjes suaj…”? Mendjet mendojnë dhe trupat veprojnë, jo e kundërta. Apo nuk është kështu? Me sa duket, jo për Pjetrin. Nën bindjen e Pjetrit fshihet diçka që ai e mësoi në shoqërinë e Jezusit, më konkretisht, bashkimin e hagadah-ut dhe halachah-ut.
Jam shumë i sigurt që shumicën prej nesh ato fjalë nuk e ndihmojnë aspak, ndaj më lejoni t’jua shpjegoj. Hagadah-u është fjala hebraike për meditim: të mendosh thellësisht dhe me kujdes për disa aspekte të karakterit të Perëndisë të zbuluara në Shkrim. Halachah-u, që fjalë për fjalë do të thotë “të ecësh”, i referohet veprave të nevojshme dhe praktike që duhet të pasojnë përsiatjen tonë. Të mendosh thellësisht për gjërat e Perëndisë (hagadah) dhe pastaj të vendosësh të mos veprosh (halachah), është gabim. Pjetri po na bën thirrje që t’i vëmë në zbatim bindjet tona.
Pjetri e kishte dëgjuar me pahir këtë nga Jezusi natën që e tradhtuan. E mbani mend ç‘bëri Jezusi natën që dishepujt e tij ishin mbledhur rreth tavolinës së Pashkës me të? Ai bëri për ta atë që duhej të kishin bërë ata për Të, por nuk e bënë: Ai mori peshqirin dhe legenin me ujë dhe u lau këmbët. Kur mbaroi, Ai u tha: “Po t’i dini këto gjëra, të lum jeni ju nëse do t’i bëni” (Gjoni 13:17). Një këngë e vjetër e shkollës së të dielës mbaron kështu: “Të dua Ty, të dua Ty dhe Ti këtë e di, por sa shumë të dua, veprimet e mia do ta tregojnë”. – Tim Brown
Ndërsa luteni, kërkojini Zotit t’ju ndihmojë ta përgatisni mendjen tuaj për vepra dhe t’ju bekojë ndërsa bëni vullnetin e Tij!
#mendje #3shtator #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android