web-woh-6-july

6 korrik

Lexoni nga Psalmi 119:97-112

Bibla dhe vrasësi me pagesë

Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. (v.97)

Disa çaste pasi oficeri e mbylli në qeli anëtarin e bandës, u dëgjua një zhurmë e fortë brenda qelisë. Kur oficeri e hapi sërish derën e qelisë, pa një Bibël në dyshemenë prej çimentoje. Ajo pamje e befasoi oficerin, se mendoi që burri në atë qeli ia kishte dhënë jetën Jezusit. Ky njeri gjithmonë e kishte pasur Biblën nën krah kur shkonte në gjykatë. Megjithatë, ditën që juria e shpalli fajtor këtë vrasës të regjur me pagesë, ai e përplasi Biblën pas derës. Me sa duket, e kishte mbajtur vetëm si hajmali fatsjellëse për t’i bërë përshtypje gjykatësit.

Autori i Psalmit 119 nuk do të tregohej kurrë kaq i pakujdesshëm me Shkrimin. Ai i donte shumë pesë librat e parë të Biblës ku gjendej ligji i Perëndisë. Ndjekja e urdhërimeve të Perëndisë e bënte atë “më të urtë se armiqtë” e tij (v.98). Ai e përdorte ligjin e Perëndisë edhe për t’i drejtuar këmbët e tij në rrugën e duhur (v.105). Psalmisti është në një mendje me apostullin Pal, i cili ka shkruar: “I gjithë Shkrimi është frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi” (2 Tim. 3:16).

Ai oficer ishte xhaxhai im dhe u trishtua kur e pa Biblën të flakur tej, si një roman pa pikën e vlerës. Po ju, a e konsideroni Biblën si psalmisti? Apo këndvështrimi që keni për Shkrimin është më i ngjashëm me atë të vrasësit? Bibla është shumë herë më tepër se një send fatsjellës. Ajo është Fjala e frymëzuar nga Perëndia që ka si qëllim ta drejtojë jetën tonë në rrugën e duhur. – Steven Laman

Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë për Fjalën e Tij dhe kërkojini t’ju ndihmojë ta çmoni përditë e më shumë!

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

Tags: No tags