woh-6-mars-web

6 Mars

Lexoni nga Marku 12:28-34

Urdhërimi më i madh

Cili është i pari i të gjitha urdhërimeve? (v. 28)

A i jeni bashkuar ndonjëherë një grupi njerëzish në mes të bisedës? Mund t’ju duhet pak kohë ta kapni fillin. I dëgjoni që flasin për dikë apo ndonjë ngjarje, por për shkak se janë tashmë në këtë bisedë, ata e dinë mirë se për çfarë po flasin. Sa kohë do t’ju duhet juve derisa të ndiheni sikur keni kuptuar mjaftueshëm që pastaj të filloni të flisni? Do t’ju duhet të dëgjoni për një farë kohe për të marrë mjaftueshëm të dhëna që të kuptoni.

Shërbesa e Jezusit filloi në mes të një bisede teologjike. Në ligjin e Perëndisë janë me qindra urdhërime. Mësuesit judenj kishin debatuar për shekuj me radhë se cili ishte urdhërimi më i madh dhe më i rëndësishëm. Për urdhërimin më të madh ekzistonte një dakordësi universale, pra, duaje Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde (Mk. 12:30; shih LiP. 6:5). Ndërsa për urdhërimin që renditej i dyti kishte mosmarrëveshje të mëdha. Disa argumentonin se ishte respektimi i shabatit (Eks. 20:8-11), kurse disa të tjerë argumentonin se ishte të duash fqinjin (Lev. 19:18). Prandaj, kur e pyetën se cili urdhërim ishte më i madhi, ata e ftuan Jezusin t’i bashkohej një bisede shekullore.

Por Jezusi, kur u pyet rreth asaj që ishte në thelb të ligjit të Perëndisë, ai iu drejtua dy urdhërimeve që thonë të duam: pra, duhet të duam Perëndinë mbi gjithçka tjetër dhe me gjithçka që jemi, dhe gjithashtu duhet të duam edhe fqinjët tanë. Ata që e dëgjuan përgjigjen e Jezusit, panë urtësi tek ai. Edhe pse Jezusi iu bashkua bisedës pasi ajo kishte filluar, ai foli të vërtetën. Kur marrim në konsideratë atë që është ne thelb të asaj që na kërkon Perëndia, do të bënim mirë t’u vinim veshin këtyre fjalëve të Jezusit. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Jezusit t’ju ndihmojë që të doni Perëndinë dhe fqinjin tuaj.

#kishashqiptare #fjalëteshpresës #meditime #ungjillorëtshqiptare

Tags: No tags