Lexoni nga Mateu 6:5-15
Ati
Lutju Atit tënd në fshehtësi. (v. 6)
Ka qenë një çast shtangës kur dishepujt morën mësimin e Jezusit që ta nisnin lutjen e tyre me: “Ati ynë!” (v.9) Teksa Dhjata e Vjetër flet për Perëndinë në kontekstin e një Ati (Shihni Ligji i Përtërirë 32:6; Psalmi 103:13),Perëndisë askush nuk i është drejtuar me “Atë” derisa erdhi Jezusi. Gati çdo lutje e Jezusit fillon me “Atë”. Ne nuk jemi fëmijë të Perëndisë në të njëjtën mënyrë siç është Jezusi, por me anë të vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit, tani edhe ne jemi fëmijë të Perëndisë. “Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë” (1 Gjoni 3:1). Dhe ashtu jemi.
Çfarë privilegji! Marrëdhënia atë-fëmijë në lutje është unike mes feve të botës. Hindutë kanë me mijëra perëndi, secili me emrin e vet, por asnjëri prej tyre nuk është Atë. Muslimanët i drejtohen Perëndisë vetëm si “Allah”, por kurrë si Atë. Të flasësh me Perëndinë si me Atin krijon marrëdhënie me autoritet, intimitet dhe ngrohtësi. Ne nuk kemi nevojë për fjalë formale, apo për shumë fjalë kur flasim me Atin tonë. Ai i di nevojat tona përpara se ne të kërkojmë (Mateu 6:8).
Por ka diçka të veçantë edhe për fjalën “dhomëz” (v.6). Fjala greke “tameion”, nënkupton një dhomë të fshehur ku ruhen thesaret. Të flasësh me Atin tonë në lutje është si të shkosh në një vend plot thesare të çmuara. Ai është tashmë aty, duke pritur që ne t’i bashkohemi Atij, duke pritur që të ndajë me ne lavdinë e Tij, madhështinë e Tij, fuqinë e Tij dhe çdo gjë tjetër që na nevojitet për çdo pjesë të udhëtimit tonë. Çfarë po presim, atëherë? Le të shkojmë tek Ati tani. – Jon Opgenorth
Ndërsa luteni, drejtojuni Perëndisë me “Atë”.
#7nentor #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android