Lexoni nga 1 Mbretërve 19:1-18
Të dëgjojmë zërin e Perëndisë
“Sa e dëgjoi këtë, Elia e mbuloi fytyrën me mantelin, doli dhe u ndal në hyrje të shpellës;…” (v. 13)
Një nga idetë themelore të Biblës është se Perëndia flet. Por fakti që Perëndia flet s’do të thotë se ne jemi duke e dëgjuar. Dhe ja ku qëndron çelësi. Ne s’mund ta dëgjojmë mirë Perëndinë nëse jemi duke nxituar apo duke qenë të lodhur.
Elias iu desh që ta mësonte këtë mësim. Elia kishte qenë duke vrapuar fort, për t’ia mbathur nga mbretëresha Jezebel, që e donte të vdekur. Ai u arratis në shkretëtirën judease dhe u rrëzua i rraskapitur nën një pemë gjineshtre. Elia i thirri Perëndisë që t’i merrte jetën dhe më pas e zuri gjumi. Pas njëfarë kohe, një engjëll e zgjoi dhe i tha: “Çohu dhe ha!” (v. 5) Aty pranë gjeti një bukë dhe një enë me ujë. Ai hëngri dhe pastaj fjeti sërish. (v. 6) Vetëm pasi Elia hëngri ushqim dhe fjeti sa e kishte të nevojshme (këto ndodhën dy herë, v. 7-8), ai ishte gati që ta dëgjonte Perëndinë.
Si i foli Perëndia Elias? Jo me një erë që oshëtinte, jo me dridhje tërmeti, as edhe me një zjarr kërcëllitës. Perëndia i foli atij me “një zë shushuritës në qetësinë absolute” (v. 12). Vetëm në vetmi dhe në heshtje Elia më në fund ishte gati dhe i aftë të dëgjonte pëshpërimën e Perëndisë.
A po vuani nga sëmundja e nxitimit sot? A ndiheni të lodhur, të rraskapitur dhe në forcat e fundit? Ngadalësoni. Hani pak ushqim të mirë. Mbase merrni dhe një sy gjumë. Thjesht qëndroni në qetësi dhe dëgjoni pëshpërimën e Perëndisë në zërin e qetësisë absolute. – Brian Keepers
Ndërsa luteni, praktikoni qetësinë për të paktën dy minuta. Përqendrohuni vetëm që të jeni në prani të Perëndisë.
#kohapërçlodhje #8gusht #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android