Lexoni nga Romakëve 8:31-39
Perëndi i hirshëm dhe Atë qiellor
Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? (v. 31)
Stafi ynë i “Fjalët Shpresës” mblidhet të hënave në mëngjes për t’u lutur së bashku. Kam vënë re se disa lutje fillojnë me: “Perëndi i hirshëm dhe Atë qiellor…” Kjo më kujton shumë lutje që kam dëgjuar në Kishën e Reformuar kur isha i ri. Kjo frazë buron nga Botëkuptimi Teologjik i Reformuar që merr formë nga pasazhe si Romakëve 8 dhe shpjegohet në Katekizmin e Hajdelbergut.
Pali na thotë se gjërat e mira që na vijnë janë nga Perëndia dhe asnjë nga gjërat e vështira që ne përballojmë s’mund të na ndajë nga Perëndia. Nëse Ai na ka dhënë dhuratën e çmuar të Birit të Tij, atëherë Ai padyshim që “do të na dhurojë të gjitha gjërat” (v.32). Mbi të gjitha, ne nuk do të dënohemi. (v.1). I vetmi që mund të na dënojë është Jezusi (v.34), sepse Ai është Biri i Përsosur i Perëndisë. Por çfarë bën Jezusi në vend të dënimit? Ai vdiq, Ai u ringjall dhe tani është duke ndërmjetësuar në lutje për ne në të djathtë të Perëndisë. Për shkak të Jezusit, asgjë s’mund të futet dot kurrë mes nesh dhe Perëndisë.
Katekizmi na shpjegon se kjo na jep një lloj vetëbesimi të palëkundur. “Unë besoj te Perëndia aq shumë sa nuk dyshoj që Ai do të sigurojë çdo gjë që më duhet për trupin dhe shpirtin dhe çdo vështirësi që Ai dërgon tek unë në këtë botë të trishtuar, do të shndërrohet në diçka të mirë. Perëndia mund ta bëjë këtë, sepse Ai është Perëndi i Plotfuqishëm dhe dëshiron që ta bëjë këtë, sepse Ai është një Atë besnik.” Nëse ky Perëndi është në anën tonë, nga kush mund të kemi frikë? – Jon Opgenorth
Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë që është me ju.
#8nentor #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android