Lexoni nga Luka 20:9-19
Vreshti
Do të dërgoj djalin tim të dashur. Ndoshta, duke e parë atë, do ta respektojnë! (v. 13)
Teksa po shtroja tavolinën për darkën, i thirra djalit tim që ishte në kat të dytë të zbriste poshtë. Pasi i thirra tri herë, dërgova vajzën që ta zbriste poshtë. Ai nuk më dëgjoi kur i thirra, mirëpo kisha shpresë se do të dëgjonte kur vajza të shkonte në kat të dytë që ta merrte poshtë.
Jezusi tregoi shëmbëlltyrën e një njeriu që mbolli një vresht. Përgjatë Dhjatës së Vjetër, Perëndia e përdori këtë imazh për Izraelin. Ata ishin hardhia dhe vreshti i Perëndisë. Krerët e Izraelit ishin ata të cilëve u ishte besuar përkujdesja e vreshtit të Perëndisë. Tek shëmbëlltyra e Jezusit, vjen koha e vjeljes dhe pronari dëshiron pjesën e vet që i takon. Së pari ai dërgon një skllav, pastaj një tjetër dhe pastaj një tjetër, por që të gjithë refuzohen, rrihen dhe i përzënë. Ata të cilëve u qe besuar puna në vresht nuk i respektonin personat që dërgoi pronari. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, pronari i vreshtit arsyeton se ndoshta nëse dërgon birin e tij të dashur, atëherë ata do ta dëgjojnë. Mirëpo punëtorët e shohin këtë si një mundësi për ta vrarë trashëgimtarin e pronarit dhe ta mbanin atë trashëgimi për veten e tyre. Jezusi e mbyll shëmbëlltyrën me premtimin se pronari do të kthehet me gjykim mbi punëtorët. Të pranishmit që po e dëgjonin u tronditën nga kjo shëmbëlltyrë. Ata e kuptuan menjëherë se shërbëtorët që u dërguan nga pronari në mënyrë të përsëritur ishin profetët, të cilët ishin refuzuar vazhdimisht nga krerët e Izraelit.
Kur Perëndia dërgoi Birin e tij, ata që ishin në pozita drejtuese nuk e pranuan atë por e panë si kërcënim. Ata e panë ardhjen e tij si një mundësi për të përftuar vreshtin për veten e tyre. Perëndia ka dërguar Jezusin, Birin e tij, për ne. Si e keni pranuar ju atë? — Stephen Shaffer
Ndërsa luteni, i kërkoni Jezusit t’ju ndihmojë ta pranoni atë.
#kishashqiptare #fjalëteshpresës #ungjillorëtshqiptare #meditime