web-woh-9-prill

9 Prill

Lexoni nga Marku 5:21-23, 35-43

Të besosh do të thotë të shohësh

E mori, pra, prej dore fëmijën dhe i tha: “Talitha kumi”, që e përkthyer do të thotë: “Vajzë, po të them ty: Ngrihu!”. (v. 41)

Ndonjëherë ne besojmë se duhet të kemi një “sasi” të jashtëzakonshme besimi që Perëndia të veprojë në jetën tonë. Ungjijtë janë të qartë: nuk është sasia e besimit ajo që ka rëndësi, por subjekti i besimit tonë.

Leximi ynë për sot e demonstron këtë të vërtetë në kontrastin mes Jairit dhe vajtuesve që ishin mbledhur në shtëpinë e tij. Jairi zgjodhi subjektin e duhur, Jezusin, dhe e përuli veten për ta bërë këtë. Jairi kishte një ofiq të rëndësishëm si kryetar i sinagogës, por ai e pranoi se Jezusi kishte pushtet. Megjithëse Jairi i zuri besë Jezusit, nuk ndodhi kështu me ata që ishin mbledhur në shtëpinë e tij. Kur Jezusi mbërriti në shtëpinë e Jairit, Ai i përzuri vajtuesit. Mosbesimi i tyre nuk e anulonte fuqinë e Jezusit, por ata nuk mund të merrnin pjesë në veprën e tij; vetëm mund të shihnin se fëmija kishte vdekur. Kurse Jairi pa, edhe pse ende jo në mënyrë të përsosur, një shpresë të gjallë. Dhe kështu, Ai ishte dëshmitar kur Jezusi tha: “Talitha kumi”.

Jezusi nuk e mat besimin tonë, por Ai e formon besimin në ne ndërkohë që ne marrim pjesë në veprën e tij. Së pari duke besuar dhe pastaj duke parë, ne bëhemi dëshmitarë të fuqisë së Jezusit dhe pjesëmarrës në të. Ai e shtrin fuqinë e Tij për të përmbushur nevojën e një fëmije dhe për t’i dhënë forcë besimit të të atit të saj, sepse Ai po na formon për të qenë një popull që ka besimin për të parë dhe për të marrë pjesë në veprën e madhe të Perëndisë. — Fred Van Dyke

Ndërsa luteni, pohoni përsëri, apo për herë të parë, besimin tuaj te Perëndia. Ndani nevojat tuaja dhe i kërkoni Perëndisë t’ju tregojë se si dëshiron ai të merrni pjesë në veprën e tij.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

Tags: No tags