web-woh-9-june

9 Qershor

Lexoni nga 1 e Samuelit 25:23-31

Një përgjërim imponues

ZOTI të ka penguar të derdhësh gjak dhe të vendosësh drejtësi me duart e tua. (v. 26)

Kur vizitova monumentin e Linkolnit në qytetin e Uashingtonit, më bënë shumë përshtypje kolonat e mëdha prej mermeri dhe statuja e ulur 5.8 metër e lartë e Abraham Linkolnit. Vërtetë madhështore! Mirëpo ajo që më trazoi përbrenda ishin vetë fjalët e Linkolnit të gdhendura në muret e memorialit. Në fund, nuk ka monument më të mirë për urtësinë dhe madhështinë e Linkolnit sesa vetë fjalët e tij.

Në pasazhin e sotëm, ne lexojmë vetë fjalët e Abigailit drejtuar Davidit, dhe ato shërbejnë si një monument për natyrën e saj të hirshme, urtësinë depërtuese dhe besimin e saj. Ajo i tha Davidit se mund të fajësonte atë për ofendimin, dhe që Nabali ishte një njeri i marrë, dhe nuk ia vlente të merrej në konsideratë. Ajo foli për fitoret e Davidit në betejë, madje duke iu referuar edhe vdekjes së Goliathit, duke thënë se Perëndia do t’i flakë armiqtë e tij “si nga zgavra e një hobeje” (v. 29). Gjithashtu Abigaili i tha Davidit se ajo besonte që Perëndia po e përdorte atë për ta frenuar dorën e tij; një ditë Davidi do të bëhej mbret, dhe kjo dhunë e panevojshme nuk do të bëhej shqetësim për të nëse do ta ndryshonte mendjen në lidhje me vrasjen e Nabalit. Përgjatë gjithë fjalimit të saj, Abigaili foli me respekt dhe me ton pajtues. Dhuratat e saj ishin bujare dhe ajo ishte gjithçka që Nabali nuk ishte.

Abigaili e dinte se ajo po i bënte thirrje një njeriu të perëndishëm, një burrë që nuk ishte i dhënë pas gjakderdhjes së panevojshme. Besimi i saj tek Perëndia dhe tek udhëheqësi që ai kishte vajosur, i dhanë asaj kurajën për të qenë një paqebërëse në një situatë të rrezikshme, dhe fjalët e saj shpëtuan shumë vetë atë ditë. — Laura N. Sweet

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju japë fjalë që janë të hirshme dhe me ton pajtues.

#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android

Tags: No tags