Të shohësh përtej dukjes

Titulli: Të shohësh përtej dukjes (pjesa 2)

GABIMI I MADH

Jezusi hyn në Jeruzalem dhe njerëzit e përshëndetin si Zotin e tyre! Ata e nderojnë atë si Birin e Davidit. Dhe kanë të drejtë. Por edhe gabim. Sepse nuk kanë parë përtej asaj që duket. Ata presin një mbretëri që përkufizohet vetëm prej realiteteve politike. Ata presin një mbret që do të vijë thjesht për të zëvendësuar strukturat e pushtetit aktual, një mbret që do të fuqizojë Izraelin që të dominojë botën, në të njëjtën mënyrë siç dominon Roma tani. Ata nuk kishin kuptuar natyrën reale të mbretërimit të Tij. Shumë shpejt pritshmëria e tyre do të pësojë një zhgënjim të madh.

Zhgënjimi fillon pothuajse menjëherë. Sepse Mateu na tregon se të dielën e palmave, procesioni nuk përfundon në pallatin e Herodit, me Jezusin që është i vendosur të hedhë hapin e madh të pastrimit të autoritetit romak, e për të kërkuar çelësat e qytetit. Jo, e diela e Palmave nuk përfundon me sulmin e Jezusit ndaj garnizonit romak. E diela e palmave përfundon aty ku e parashikonte Psalmi 118: në tempull, te vendi ku Jezusi nuk lëshon zemërimin ndaj romakëve por ndaj bashkëkombësve të vet judeas.

Tavolinat e tregtisë fluturojnë kudo. Të gjitha krijesat nga më të voglat te më të mëdhatë hidhen në oborrin e jashtëm. Dhe Jezusi pohon se tempulli është një shtëpi lutjeje për të gjitha kombet. Kjo nuk është një bisedë që pritej prej dikujt që është gati të themelojë mbretërinë judease. Më pas, Mateu na tregon se Ai shkon në një katund të Betanisë për të kaluar natën atje. Jezusi kthehet nga ka ardhur!

Ju mund të imagjinoni habinë e tyre. “Ku është Jezusi?” thotë dikush nga turma. “Nuk e di,” përgjigjet një tjetër. “Por dëgjova që shkoi në Jeruzalem.” SHKOI NË JERUZALEM! Hej çfarë po ndodh? A e humbi guximin Jezusi? Çfarë po ndodh?

Një rrëmujë e madhe po gumëzhinte në rrugët e qytetit natën e të dielës së palmave. Dhe entuziazmi bie teksa java kalon. Jezusi vazhdon të japë mësim. Ai debaton me disa farisenj. Po kështu kalon kohë duke vizituar miqtë e tij të vjetër. Kjo është një sjellje e çuditshme për dikë që planifikon një përmbysje të papritur të qeverisë. Por ky grusht shteti duket sikur nuk po ndodh. Mbreti nuk ka kërkuar të drejtën e Tij për kurorën. Opinioni publik në shekullin e parë ka qenë po aq i ndryshueshëm sa në shekullin e njëzetë e një. Shkalla e miratimit arrin kulmin. Sondazhi i Jeruzalemit tregon se Jezusi ka prekur fundin e këtij klasifikimi. Disa njerëz të pakënaqur të dielën e palmave thonë kështu: “Ai na bëri të dukemi si budallenj. Ndoshta do ishte më mirë të kishte vdekur.”

VERDIKTI I PILATIT

Në fund do të ishte Pilati, zyrtari i rangut më të lartë romak, që do të shprehë opinionin e turmës. Ai e pyet Jezusin mëngjesin e të Premtes së mirë: “A je ti mbreti i judenjve?” Ky nuk është një miratim. Por një akuzë. “TI, mbret?! TI, mbret?!” Theksi në këtë tekst bie te fjala TI! Tallja në zërin e tij është e pagabueshme! Sa shumë mund të zhgënjehet një njeri!

Dhe Jezusi përgjigjet shumë qetësisht: “PO, ti po e thua…”, përballë gjithë fakteve që mundohen ta kundërshtojnë.

Përballë pamjes së jashtme, Jezusi ËSHTË Ai që turmat e të dielës së palmave shpallin: një mbret! Por mbretëria e Tij është disi ndryshe. Një mbretëri JO SIPAS KËSAJ BOTE!

MBRETËRIA E PAPRITUR

Tani, kur Pilati dëgjoi deklaratat e Jezusit për një mbretëri që nuk është sipas kësaj bote, mendoj se është çliruar.

Fundja fare, pse duhet t’ia ketë frikën Pilati dikujt që thotë se mbretëria e Tij nuk është sipas kësaj bote? Nuk ka asnjë rrezik për një njeri që thotë se ndërton kështjella rëre në qiell! Pilati nuk ndihet i kërcënuar prej një njeriu që refuzon të përkufizojë qëllimin e mbretërisë së tij me numrin e ushtarëve që ka nën urdhra. Pilati duhet të ketë menduar se Jezusi është një farë Don Kishoti, pra një njeri i marrë dhe i zhgënjyer, që duket sikur rreh mullinjtë e erës, në përpjekje për të shpëtuar vajzat imagjinare që janë në rrezik. Pilati thotë: Jezusi le të jetojë versionin e Tij të jetës si kavalier, për sa kohë që mbretëria e Tij nuk është e kësaj bote! Për Pilatin, një mbretëri sipas kësaj bote nuk është aspak mbretëri.

Por Pilati e ka gjykuar gabim. Jezusi tha se mbretëria e Tij nuk është e kësaj bote. Ai nuk mohoi se mbretëria e Tij ishte NË këtë botë. Po, mbretëria e Tij nuk është e kësaj bote. Ajo nuk vjen përmes përplasjes së zhurmshme të shpatave, as përmes tingullit të daulleve. Në fakt, Jezusi pati deklaruar se mbretëria e Tij nuk ishte e kësaj bote, në të njëjtën mënyrë që kishte hyrë në Jeruzalem. Ai po vinte hipur mbi një gomar. Gomari është mjeti që përdornin mbretërit asokohe. Por njëkohësisht ishte një mjet PAQEJE.

Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë,

 hipur mbi një gomare, madje një pulishtë,

pjellë e një kafshe barre . . .

Mbretëria e Tij nuk është e kësaj bote.

Megjithatë, mbretëria që Krishti sjell është ende në këtë botë! Pra është NË këtë botë. Në fakt, ajo do ta lëkundë Jeruzalemin nga themelet e tij! Më vonë Pilati do të zbulojë se asgjë nuk mund ta ndalojë këtë mbretëri. Ju mund ta siguroni varrin sa të doni, ju mund të dërgoni ushtrinë romake për të shpërthyer atë derë guri. Ju mund të poziciononi rojet atje dhe sërish ajo mbretëri do të vazhdojë të shpërthejë në atë skenë, kur të vijë mëngjesi i Pashkës.

Po, kjo mbretëri është me të vërtetë në këtë botë. Dhe asgjë nuk mund ta ndalojë atë. Ti mund ta shuash mesazhin e këtij Jezusi. Ti mund të përhapësh thashetheme se trupi i tij u vodh. Ti mund të hedhësh në burg dëshmitarët e tij. Ti madje mund t’i gjuash me gurë për vdekje! Dhe sërish mesazhi i Tij të përhapet si një zjarr i tërbuar përgjatë perandorisë, sikur të ishte nxitur prej forcës së stuhive të forta të shpirtit.

Po, Pilat, kjo mbretëri është NË këtë botë. Dhe duke qenë se nuk është E kësaj bote, ti nuk do të ishe në gjendje ta ndaloje atë.

Por Pilati nuk e di ende këtë. Sepse ai gjykon nga ana e jashtme. Ai gjykon në bazë të asaj që shikon. Si mund ta dinte ai se asgjë, absolutisht asgjë nuk mund të qëndronte para FORCËS së kësaj mbretërie?

Por nëse kjo forcë e mbretërisë ekzistonte atëherë, do të thotë se ekziston edhe tani. Dhe nëse mbreti ishte mbret atëherë, Ai mbretëron edhe sot. Ai dëshiron që njerëzit ta marrin atë seriozisht dhe t’i besojnë si Shpëtimtar dhe Zot. Dhe Ai pret që ky reagim të mos jetë vetëm te përshëndetja që i bëjnë Atij mëngjesin e të dielës së palmave. Ai pret që ky reagim i dishepujve të vërtetë ta ndjekë atë përgjatë ngjarjeve të javës pasuese. Te oborri i gjykimit të Pilatit, te një kryq në Golgota, dhe përtej varrit në kopsht që së shpejti do të jetë bosh.

DEKLARATAT E MBRETIT

Është e thjeshtë ta përshëndetësh Jezusin pak para të dielës së palmave. Por Jezusi dëshiron shumë më tepër se kaq. Ai dëshiron vëmendjen tonë të vazhdueshme në ngjarjet e zakonshme të jetës. Dhe ky është çasti kur Ai ndihet, le ta themi për hir të së vërtetës, paksa i turpëruar. Jo, nëse dëshironi të vërtetën, Jezusi bëhet një njeri i bezdisur në mendjen e shumë njerëzve.

Fundja fare ja ku jeni në botën e përbashkët ku butonat e këmishëve dhe kostumet e biznesit përbëjnë uniformën prezantuese. Por ja ku qëndron para teje një njeri me një veshje të thjeshtë dhe me sandale, i Cili mundohet të tërheqë vëmendjen tuaj dhe t’i japë formë mënyrës se si përballesh me kujdestarinë dhe paranë.

Ti jeton në një botë me një qeveri ku drekat e pushtetit janë në rendin e ditës dhe, ai që theu bukën dhe peshkun për turmat në kodër, dëshiron të ndajë një fjalë me ty për natyrën e drejtësisë dhe të paqes.

Ti jeton në një botë ku dominon arsimimi, apo kurset dhe kolegjet apo studimet pasuniversitare dhe ja ku vjen një predikues shëtitës, që nuk kaloi asnjëherë përtej shkollës së Shabatit, që dëshiron të të japë ty disa zbulesa për kuptimin real të së Vërtetës.

Miq, është sinqerisht shumë prekëse, ta takosh Jezusin si Mbret. Është shumë ngushëlluese të mendosh se kjo mbretëri, nuk është as në këtë botë dhe as e kësaj bote. Por ai nuk është i kënaqur ta lerë me kaq. Mbretëria e Tij është në këtë botë. Dhe Ai dëshiron të shpalosë diçka jo të kësaj bote, por përjetësinë vetë, qiellin vetë, në jetën tënde të përditshme duke e marrë në konsideratë Atë! Më merr mua në konsideratë, thotë mbreti!
Teksa kërkon drejtësinë në oborret e ligjit, më merr mua në konsideratë.
Teksa kërkon më shumë njohuri, teksa kërkon urtësinë e vërtetë në arsimimin tënd, më merr mua në konsideratë.

Teksa kërkon të bësh paqe mes kombeve, më merr mua në konsideratë. Teksa kërkon paqe për shpirtin tënd, më merr mua në konsideratë.

E vërteta është se drejtuesi më i lartë, që kemi nevojë sot, nuk është një apo disa politikanë, pavarësisht bindjeve politike. Ne kemi nevojë për dikë që do të na shpëtojë prej vetes sonë. Dhe prej së keqes së pabesueshme që sulmon botën tonë.
Ne kemi nevojë për një mbret që mund të na çlirojë prej egoizmit tonë, dhe egos së fryrë.

Ne kemi nevojë për një mbret që mund të fitojë luftën kundër pushtetit të të ligut, që mbërthen kombin tonë.

Apo shpirtin tonë. Ne kemi nevojë për një mbret, mbretëria e të Cilit nuk është e kësaj bote, por në këtë botë. Ne kemi nevojë për Jezusin. Mbretin.

Këto fjalë i thashë unë djaloshit në zyrën time. Dhe këtë doja të ndaja edhe me ju sot miqtë e mi. Unë të ftoj t’ia ofrosh jetën tënde Jezusit si Shpëtimtar dhe Mbret. Dy mijë vjet më parë, kur Jezusi hyri për herë të parë në Jeruzalem ato thirrje Hosana buronin nga zemra, por në fund ishin të cekëta. Turma nuk e dinte se kujt po ia këndonte.

Por ti tani e di. Dhe ti mund të këndosh lavdërime në një mënyrë të re. Si një njeri që e njeh Jezusin si mbretin e vërtetë të Kozmosit. Ti mund të qëndrosh para Tij dhe të shpallësh këtë në frymë e të vërtetë:

” Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!”.