woh-25-web

25 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:18-25

Krijimi i ri

Vetë krijimi do të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. (v. 21)

Ndikimet që ka mëkati në botë shkojnë shumë më thellë sesa thjesht shtrembërimi i aftësisë sonë për të zgjedhur siç duhet kur përballemi me vendimet se si të jetojmë. Ato shtrihen më shumë sesa thjesht ndërprerja e marrëdhënies së Perëndisë me njerëzimin. I gjithë krijimi ndikohet nga mëkati. Padyshim Adami dhe Eva përjetuan një ndarje mes tyre të cilën nuk e njihnin përpara se të binin; gjithashtu, ata përjetuan edhe një ndarje nga Perëndia që i krijoi. Por edhe kjo nuk është e gjithë historia e plotë. Mosbindja njerëzore shkaktoi gjithashtu një mallkim mbi krijimin. “Toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd”, deklaroi Perëndia (Zan. 3:17).

Që prej rënies, “mbarë krijesa psherëtin bashkë dhe ndodhet bashkë në dhimbjet e lindjes” (Rom. 8:22). Megjithatë, kjo psherëtimë nuk është e kotë, sepse Perëndia ka për qëllim të sjellë në jetë një krijim të ri. Kjo është arsyeja që kur Gjoni pa përtej kohës në përjetësi, ai pa “qiej të rinj dhe një tokë të re”, dhe dëgjoi Jezusin që shpallte “Ja, unë bëj gjithçka të re” (Zbu. 21:1, 5). Krijimi, që dikur u quajt “i mirë” nga Perëndia në fillim, do ta përjetojë shpengimin e plotë në fund. I gjithë krijimi do të përjetojë “lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” (Rom. 8:21). Qëllimet shpenguese të Perëndisë për botën na përfshijnë neve, por ama janë shumë më të mëdha, më të plota dhe më të mira. — Jon Brown

Ndërsa luteni, lutuni për restaurimin e të gjithë krijimit përmes Jezu Krishtit.

woh-24-web

24 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:18-25

Lavdia e ardhme

Sepse unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të zbulohet në ne. (v. 18)

Pali e njihte shumë mirë vuajtjen nga përvoja. Të krishterët që kishin marrë letrën e tij e njihnin dhimbjen e përndjekjes në duart e perandorëve shtypës në Romë. Edhe ne që e lexojmë tani e njohim vuajtjen. Në varësi të situatës sonë, edhe vuajtja ka emra të ndryshëm: agonia e humbjes së parakohshme të një njeriu të dashur; dhimbja e të jetuarit nën hijen e përndjekjes; vuajtja e deleguar që ndjejmë për ata që janë të lënduar; beteja me probleme të vazhdueshme shëndetësore; stresi i përkujdesjes. Besimi ynë nuk premton kurrë se nuk do të na duhet të vuajmë. Krishti nuk na siguroi kurrë që gjithçka do të ndodhte siç e dëshironim ne. Vuajtja ka qenë gjithmonë në kontrast me premtimet e besimit që ruajmë dhe shpallim.

Pali nuk shmanget nga pranimi i “vuajtjeve të kohës së tanishme”. Ai nuk tenton asnjëherë ta injorojë dhimbjen apo ta fshehë atë si diçka e parëndësishme. Megjithatë, ai na bën thirrje që t’i mbajmë sytë drejt asaj dite kur e gjithë dhimbja e botës do t’i hapë rrugë krijimit të ri që Perëndia po sjell. Dhe ai sugjeron ta shohim dhimbjen tonë nga një perspektivë tjetër: “Unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të zbulohet në ne”. Premtimi i madh i besimit tonë është se një ditë ne do t’i këmbejmë të gjitha vuajtjet që kemi njohur me një lavdi që tani nuk mund ta imagjinojmë. — Jon Brown

Ndërsa luteni, kërkoni durim në vuajtje, ndërkohë që prisni një lavdi më të madhe.

woh-23-web

23 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:26-27

Ndihma nga Fryma 

Po ashtu, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet. (v. 26)
 
Kur lutemi, ne nuk lutemi kurrë vetëm. Madje edhe kur lutemi privatisht, nuk jemi duke u lutur vetëm. Fryma lutet edhe në ne edhe për ne. Një pjesë e mirë e vëmendjes sonë mbi lutjen i është kushtuar veprimit tonë të të luturit. Ne shkojmë nëpër konferenca që flasin se si të shkojmë më thellë në jetën tonë të lutjes. Dhe ndonjëherë biem pre e mendësisë që sa më shumë njerëz të kemi që luten për ne aq më shumë gjasa ka që Perëndia do t’i dëgjojë lutjet tona dhe do t’u përgjigjet atyre. Ne u kërkojmë pastorëve informacione të dobishme apo strategji për të pasur një jetë lutëse sa më efikase. Por edhe pse padyshim nuk ka asgjë të keqe të kërkojmë të shkojmë më thellë në jetën e lutjes, apo t’u kërkojmë miqve tanë të luten për ne, apo të gjejmë praktika të dobishme që na aftësojnë të lutemi me besnikëri, është e rëndësishme të mbajmë mend se përpjekjet tona nuk janë gjëja më e rëndësishme tek lutja. Gjëja më e rëndësishme është se Fryma na ndihmon të lutemi. 

Si të luteni për mikun tuaj në mes të një divorci të dhimbshëm? Si të luteni për një familjarin tuaj që jeton me dhimbje të vazhdueshme fizike dhe emocionale? Si të luteni për dikë në kishën tuaj që ka vështirësi financiare? Lutuni, sigurisht, lutuni. Lutuni nga zemra dhe dëshirat tuaja, jini të udhëhequr nga Shkrimi në lutjet tuaja. Mirëpo, me të gjitha mësimet e rëndësishme që keni marrë rreth lutjes, mbani mend këtë të parën: “Fryma ndërhyn për shenjtorët, sipas [vullnetit të] Perëndisë” (v. 27). — Jon Brown
 
Ndërsa luteni, i kërkoni Frymës së Shenjtë t’ju ndihmojë të luteni, veçanërisht kur nuk dini si të luteni. 
22 shkurt

22 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:12-17
Fryma e birësimit
Keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!”. (v. 15)

Një nga rrëfimet e mëdha të besimit të krishterë është se Jezu Krishti është Biri i vetëm i Perëndisë. Kredoja e Apostujve deklaron: “Ne besojmë … në Jezu Krishtin, të vetmin Bir të Perëndisë, Zotin tonë”. Kur Perëndia vendosi besëlidhjen e tij me popullin e Izraelit, ai i quajti ata bijtë e tij, “Ju jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj” (LiP. 14:1).

Në Jezu Krishtin, dyert e asaj besëlidhjeje kanë dalë nga menteshat dhe janë hapur tej e tej, në mënyrë që tani të mund të përfshihen në këtë besëlidhje edhe ata që nuk janë judenj dhe të quhen po ashtu bij të Perëndisë. Jezusi është Biri i Perëndisë prej natyre, ndërsa përfshirja jonë në familje është me anë të birësimit, “Ju nuk keni marrë një frymë skllavërie … po keni marrë frymën e birërisë” (v. 15).

Si bij të Perëndisë, edhe neve na janë dhënë të njëjtat përfitime që i përkasin Jezu Krishtit, Birit të vetëmlindur të Perëndisë. Këto përfitime përfshijnë privilegjin për t’i thirrur Atit, njësoj si fëmijët që kërkojnë njërin nga prindërit në terr të natës për shkak të bubullimave e vetëtimave. Kur ne i thërrasim, ai dëgjon. Kur ne qajmë, ai na dëgjon. Ai është Ati ynë; ai na dëgjon për shkak se i përkasim atij dhe ai kujdeset për ne. Vetë klithmat tona drejtuar atij janë provë që i përkasim atij, dhe kur thërrasim emrin e tij është si kujtesë që jemi bijtë e tij. — Jon Brown

Ndërsa luteni, i thërrisni Atit tuaj të dashur qiellor.

21 shk

21 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:1-8

Jeta në Frymë

Ata që jetojnë sipas Frymës, [e çojnë mendjen] në gjërat e Frymës. (v. 5)

Fjala “frymë” është përdorur as më shumë e as më pak por 22 herë tek Romakëve 8, megjithëse jo gjithmonë me të njëjtin kuptim. Këtu mund të dallojmë tri frymë të ndryshme: Frymën e Perëndisë, frymën njerëzore, dhe frymën (ose qëndrimin) që i reziston Frymës së Perëndisë. Tek vargu 5 është e qartë se cilës Frymë i referohet Pali kur na bën thirrje që “ta çojmë mendjen në gjërat e Frymës”. Në një botë ku shpërthejnë bomba, ku ekziston varfëria, ku ka shtypje, ku ndodhin padrejtësi dhe ku mëkati shfaqet tek jeta e secilit me shprehitë e veta të shumëllojshme, të krishterëve u bëhet thirrje të fokusohen tek gjërat e Frymës. Gjërat e Frymës janë “dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli” (Gal. 5:22).

Jeta në Frymë fillon me veprën e shpengimit nga Perëndia nëpërmjet Krishtit. Por ajo rritet në ne kur e çojmë mendjen aktivisht drejt gjërave të Frymës. Nëse mendojmë rreth dashurisë do të jemi më të prirur të duam. Nëse mendojmë rreth gëzimit do të jemi më të prirur të jemi të gëzuar. Nëse mendojmë rreth paqes do të jemi më të prirur të jemi paqebërës. Ne e kërkojmë me ngulm jetën në Frymë kur i fokusojmë qëllimisht mendimet tona tek gjërat e Perëndisë.

Pyeteni veten: për çfarë jeni duke menduar shumicën e kohës? Ku e çoni mendjen? — Jon Brown

Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju çlirojë nga shpërqendrimet dhe t’ju ndihmojë ta çoni mendjen në gjërat e Frymës.

Audio:

 

428597936_898760168921368_6225410469149640817_n

20 Shkurt

Lexoni nga Romakëve 8:31-35

Vetëm Krishti

Kush është ai që do t’i dënojë? (v. 34)

Një nga sfidat e mëdha të besimit të krishterë është pranimi i realitetit të një gjykimi, ndërkohë që nga ana tjetër përpiqemi ta ruajmë veten nga tundimi që vete ne kemi për të gjykuar. Pali na kujton më herët në librin e Romakëve: Ai “do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij” (Rom. 2:6). Gjithashtu, edhe Krishti na bën thirrje ta shmangim gjykimin e të tjerëve: “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni” (Mt. 7:1). Disa prej nesh dëgjojnë fjalët e Palit në lidhje me sigurinë e gjykimit, dhe fillojnë të dridhen. Të tjerë i dëgjojnë fjalët e Jezusit si një lloj autorizimi për të bërë çfarë t’u dojë qejfi ose a thua ta kenë fshirë ndikimin e çdo standardi objektiv të vlerave morale. Por Pali shkon përtej qoftë terrorit apo qoftë dhënies së autorizimit kur bën pyetjen retorike: “Kush është ai që do t’i dënojë?” (v. 34). Në të njëjtën kohë ai largon nga ne barrën e gjykimit dhe njëkohësisht na kujton se ekziston një Gjykatës.

Pra, Pali pyet në mënyrë retorike “Kush është ai që do t’i dënojë?”, sepse ne e dimë përgjigjen: “Jezusi”. Dhe Jezusi vdiq për ne, Jezusi u ringjall për ne, Jezusi ndërmjetëson për ne përpara Atit. Ai që është Gjykatësi ynë është gjithashtu edhe ai që na drejtëson përmes besimit. Ai që është Gjykatësi ynë gjithashtu edhe lutet për ne. Vetëm Perëndia e ka autoritetin për të gjykuar, gjë që edhe më çliron nga nevoja për të gjykuar të tjerët, por edhe më ruan që të mos ngec tek jeta “që s’ka kufij”, a thua sikur çdo gjë është e pranueshme. Vetëm Krishti mund të dënojë, dhe ai i fal të gjithë ata që besojnë me çiltërsi tek ai. — Jon Brown

Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë për dhuratën e Jezusit, Gjykatësin e përsosur që lutet për ne dhe na do.

421266273_877383901058995_1747181424151916954_n

22 Janar

Lexoni nga Abdia 1:10-15
Fryma e indiferentizmit në ditën e fatkeqësisë
Nuk duhet të hyje . . . as të sodisje edhe ti me kënaqësi . . . ditën e fatkeqësisë së tij. (v. 13)

Më kujtohet kur isha i vogël ne shihnim televizionet greke fshehurazi, me zërin e ulur, nga frika që të mos dëgjonin komshinjtë e të na spiunonin, edhe pse disa herë mund të ishin edhe familjarët që nuk i shihnin kanalet greke. Sa familjarë janë përndjekur a vrarë nga spiunimet me frymë ziliqare, lakmitare, grabitqare dhe krenarie nga besnikëria ekstreme ndaj edomo-komunizmit!

Në vargjet e sotme shohim që Perëndia do ta dënojë Edomin për shkak se nuk e ndihmoi, nuk e mbrojti dhe nuk qau për vëllanë e tij në ditën e fatkeqësisë. Dhuna, indiferenca, narcizmi, grabitja, vëllavrasja, burojnë nga mëkati i lakmisë dhe i zilisë që kishte Edomi. Perëndia e urren mëkatin dhe edomitët, sepse ata vazhdojnë në frymën e Esaut, atit të tyre.

Po ne, çfarë bëjmë ditën e fatkeqësisë së vëllait tonë? A mos ngjajmë edhe ne me Kainin dhe edomitët që thonë: “Ç’më duhet mua? Se mos jam rojtari i vëllait tim.”? Shorti i fateve të Jeruzalemit na ngjan pak me Judën që tradhtoi Zotin tonë, Krishtin, dhe me Pjetrin që e mohoi dhe me rojet që hodhën short për mantelin e Jezusit. Cili është qëndrimi ynë kur shikojmë dikë që vuan në fatkeqësi? Cili është qëndrimi ynë në luftën Izrael – Gaza? A i përngjajmë samaritanit të mirë?

Le të bëhemi, pra, edhe ne samaritanë të mirë për ata që vuajnë dhe le të kthehemi në pendim si Pjetri nëse jemi larguar nga Jezusi apo/dhe nga kisha. Le të falim edomët biologjikë dhe frymërorë siç bëri Jezusi. Mesazhi i shpresës është që ne mund të shkojmë te Krishti dhe ai është i gatshëm të na falë nëse kthehemi tek ai të penduar. Apostulli Pal na thotë se asgjë nuk mund të na ndajë nga dashuria e tij, as fatkeqësia dhe as vdekja (Rom. 8:35-39). — Rev. Sotir Anagnosti

Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë për dashurinë e Krishtit. I kërkoni që t’ju çlirojë nga njerëzit që kanë frymë edomite dhe instinktin e lakmisë dhe grabitqarit. Lutuni për Izraelin dhe vëllezërit që vuajnë, duke u treguar bujarë me ta dhe duke qenë një bekim për ta.