Dita 8 | Lexoni nga Isaia 40:6-26
O Sion, ti që sjell lajmin e mirë, ngjitu mbi një mal të lartë! (v. 9)
Shumë të krishterë i përdorin fjalët “lajm i mirë” për të folur rreth mesazhit të shpresës që gjendet tek Jezu Krishti. Mirëpo çfarë është “lajmi i mirë” dhe nga vjen kjo ide? Përdorimi i parë i “lajmit të mirë” në Bibël gjendet tek Isaia 40. Këto fjalë janë përdorur për të lajmëruar fillimin e një epoke te re (v. 9), mbërritjen e pashmangshme të Bariut të fuqishëm por edhe të butë (v. 10-11), i cili jo vetëm do të falë të gjitha mëkatet por gjithashtu do të çlirojë dhe do të shpërblejë. Ky lajm duhej të shpërndahej tek populli i Perëndisë, që po jetonte në mërgim si skllevër dhe refugjatë, të cilët e kishin humbur shpresën se do të ktheheshin ndonjë ditë në shtëpi.
Lajmi i mirë fillon me një lajm të keq. Të gjithë njerëzit janë si bari që thahet dhe si lulja që fishket (v. 6-7). Mirëpo fjala e Perëndisë sonë do të mbetet përjetë (v.
. Pavarësisht gjithçkaje, ajo do të përmbushet. Dëgjuesit e këtyre fjalëve duhet ta merrnin sërish në konsideratë Perëndinë e tyre. Shprehja e fuqishme që përdoret tek Isaia 40:9 është kjo: “Ky është Perëndia juaj”. Ai nuk është një figurë që është produkt i imagjinatës së vakët njerëzore (v. 18-20). A ekziston ndonjë që të jetë i denjë të krahasohet me të? (v. 25-26).
Lajmi i mirë është që Perëndia është besnik, madje edhe me ne që jemi njerëz të lidhur me zinxhirë në lloj-lloj skllavërie dhe zakone mëkatare. Besnikëria e Perëndisë u përmbush tek Jezusi dhe në faljen e plotë që marrim prej tij. Kur ju i besoni Jezusit, ju jeni të thirrur ta ndani këtë lajm të mirë me njerëzit që akoma nuk e kanë dëgjuar! — Drejtuesi i shërbesës në Azinë Jugore
Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë për lajmin e mirë.

