Dita 38 | Lexoni nga Isaia 58:1-14
Ti do të jesh si një kopsht i ujitur dhe si një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë. (v. 11)
Në kulturën perëndimore, ne priremi ta mendojmë idenë e të qenit të lulëzuar si një përpjekje individuale. Ky nocion ka depërtuar në të gjitha fushat e kulturës, përfshirë edhe kishën. Më parë unë e mendoja lulëzimin në besimin tim si një akt “solo”, derisa u martova me një pastor. Duke u afruar më shumë me komunitetin tonë të kishës dhe duke parë nga afër mënyrat se si e kemi mbështetur njëri-tjetrin gjatë periudhave të vështira dhe festive të jetës, unë kam arritur ta kuptoj lulëzimin si një realitet që ndodh më shumë bashkërisht, sesa vetëm.
Pasazhi ynë për sot e çon një hap më tej lulëzimin e përbashkët. Tek Isaia 58, Perëndia shpall se lulëzimi i popullit të tij është i kushtëzuar nga lulëzimi i atyre që janë më të dobët ndër ta (v. 6). Perëndia, përmes profetit Isaia, e qorton popullin e tij që adhurimin që shpalos e ka bërë për vetveten, ndërkohë që neglizhon ata që janë në nevojë (v. 7). Lulëzimi individual në kurriz të mirëqenies së përbashkët është një rrugë fetare pa krye që nuk premton rritje shpirtërore. Por në vend të kësaj, Perëndia i fton izraelitët ta adhurojnë atë me gjithë jetën e tyre, pra, edhe duke përfshirë se ku i investojnë paratë, kohën dhe burimet e tyre.
Kur prioriteti ynë është drejtësia për të gjithë, atëherë rezultati nuk është as më pak e as më shumë sesa ripërtëritja e Edenit. Ne nuk mund të bëhemi një kopsht i ujitur mirë, burimet e të cilit nuk shterojnë kurrë, në kurriz të lirisë apo të mirëqenies së dikujt tjetër. Ajo që duhet për të lulëzuar me të vërtetë, në nivelin komunitar, është që dheu ynë të jetë drejtësia. Ky pasazh na fton të marrim parasysh: A po lulëzojmë në kurriz të një tjetri? Nëse po, a po lulëzojmë realisht? — Katelyn J. Dixon
Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju tregojë nëse ka ndonjë fushë në jetën tuaj ku prioritet ka marrë rehatia në kurriz të drejtësisë.

