Dita 9 | Lexoni nga Galatasve 5:1-10
Qëndroni, pra, në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë. (v. 1)
Një zog i lëshuar nga kafazi, por që s’është i gatshëm të fluturojë, mbetet “rob” me dëshirë. Po kështu edhe shumë besimtarë, të cilët Krishti i ka çliruar, jetojnë ende sikur të jenë skllevër. Shpesh faji, turpi, frika dhe zakonet e vjetra mbeten aty, duke e mbajtur të lidhur me zinxhir zemrën që supozohet të ngrihet lart në fluturim. Jezusi vdiq të na çlirojë. Fitorja e tij në kryq e shpartalloi fuqinë e mëkatit, dhe ringjallja e tij hapi rrugën për ne që të ecim në risinë e jetës.
Mesazhi i Palit drejtuar Galatasve është një kujtesë e përjetshme që liria në Krishtin është edhe dhuratë edhe përgjegjësi. Ne duhet të qëndrojmë në atë liri, duke refuzuar t’i kthehemi jetës së vjetër të robërisë. Bota, mishi dhe armiku na tundojnë vazhdimisht që të vendosim përsëri zgjedhën e skllavërisë, dhe të lejojmë legalizmin, varësitë apo dënimin që të sundojnë mbi zemrën tonë. Mirëpo liria në Krishtin do të thotë që të jetojmë nën hir, jo nën faj; nën dashuri, jo nën ligj.
Liria e vërtetë shpirtërore nuk do të thotë të bëjmë çfarë na pëlqen, por do të thotë të jemi të fuqizuar me anë të Frymës së Shenjtë për të bërë atë që i pëlqen Perëndisë. Çmimi për të ndjekur Jezusin përfshin dorëzimin e çdo identiteti të rremë apo zakoni që dikur na skllavëronte. E megjithatë, shpërblimi është jeta me bollëk, paqja, dëlirësia dhe qëllimi në praninë e Perëndisë. Ne duhet të zgjedhim, çdo ditë, të fluturojmë për t’u ngritur mbi të shkuarën, të jetojmë nën hir me guxim dhe të ecim në fitore. — Rev. Shadrack Ogwal
Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë t’ju ndihmojë të qëndroni të patundur në lirinë e tij dhe të mos ktheheni kurrë tek zinxhirët prej të cilëve ju çliroi.
#LiriaNëKrishtin#FjalëtEShpresës#JetoNëHir#MeditimePërÇdoDitë

