ELEMENTËT THELBËSORË TË DISHEPULLIZIMIT

Kush është
Jezu Krishti?

Një pyetje që kërkon më shumë se një përgjigje. Kërkon të njohim personin, veprën dhe fjalët e Jezusit.

Kur takoni dikë për herë të parë, çfarë informacioni doni të dini rreth tij/saj? Kur po prezantoni një mikun tuaj tek një person që nuk e njihni, çfarë informacioni përdorni për t'i njohur ata me njëri-tjetrin?

Këto janë pyetje për t'u marrë në konsideratë kur kemi parasysh temën “Kush është Jezu Krishti?” Çfarë do t'ju duhet të mësoni për të me qëllim që ta njihni me të vërtetë? Si do ta prezantonit atë me njerëzit që janë në jetën tuaj?

Në një perifrazim bërë shkrimtarit dhe teologut të mirënjohur britanik, C. S. Ljuis, ai ka thënë se kur lexojmë shkrimet dhe gjërat që bëri dhe tha Jezusi, atëherë duhet të marrim një vendim që Jezu Krishti ose është një gënjeshtar, një i rrjedhur nga trutë ose është Zoti.

Po ju, kush thoni se është?

Çfarë na tregon Bibla për Jezusin?

Duke lexuar Biblën, ne mund të mësojmë shumëçka në lidhje me Jezusin dhe kush tha Ai se ishte. Duke studiuar atë që bëri Ai, gjatë jetës së tij në tokë, ne marrim një kuptim më të plotë të identitetit të tij dhe të qëllimit për të cilin erdhi.

Është e zakonshme të dëgjosh njerëz që thonë se e besojnë që Jezusi ishte një njeri i vërtetë (jo fiktiv), dhe që ishte një mësues i mirë, ose ndoshta edhe se ishte një profet. Mirëpo, kjo nuk është ajo që tha Jezusi për veten e vet.

Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë, është t'i japim përgjigje pyetjes “Kush është Jezusi?”

Edhe pse thjesht njohuria rreth Jezusit nuk mjafton për të marrë shpëtimin, prapë është një vend i mirë ku të filloni rrugëtimin tuaj personal të besimit, dhe prezantimin e Jezusit me njerëzit që janë në jetën tuaj.

“Ai u tha atyre: ‘Po ju, kush thoni se jam unë?’. Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur, i tha: ‘Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë’.”

Mateu 16:13–16

Të lexojmë Biblën me përulësi

Shpeshherë, për shkak të asaj që kemi mësuar si fëmijë, ose për shkak të asaj që beson familja apo komuniteti ku jetojmë, Bibla ka disa të vërteta të vështira, të cilat hezitojmë t'i përqafojmë.

Megjithatë, nëse besojmë që Bibla është Fjala e Perëndisë, atëherë duhet ta lexojmë duke kërkuar të biem dakord dhe duke kërkuar t'i rreshtojmë besimet tona me atë që thotë Bibla.

Nëse i qasemi Biblës duke kërkuar që të na vërtetojë se kemi të drejtë, atëherë do ta gjejmë veten shumë të pështjelluar.

Për të kuptuar realisht se kush është Jezusi, është thelbësore që t'i lutemi Zotit të na japë urtësi dhe arsyetim.

Kur i përqasemi Biblës duke besuar se është e vërtetë, dhe kur lexojmë, studiojmë dhe dëgjojmë me gatishmërinë për të zbuluar se mendimet dhe besimet tona të para mund të jenë të gabuara, atëherë vetë Zoti mund të na zbulohet.

Veprimet, karakteri dhe fjalët e Jezusit

Një lexim i plotë i Ungjijve ju tregon veprimet dhe karakterin e Jezusit. Ai kreu shumë mrekulli. Ai shqiptoi shumë urtësi. Ai i deshi njerëzit dhe u shërbeu me dhembshuri dhe mëshirë.

Por gjithashtu, ai tha se ishte Biri i Perëndisë Atë, tha se ishte Krishti, Mesia.

A ishte gënjeshtar? A ishte konfuz? A po i çonte njerëzit në rrugën e gabuar qëllimisht?

“Po ju, kush thoni se jam unë?”

Një ditë Jezusi pyeti dishepujt: “Kush thonë njerëzit se jam unë, Biri i njeriut?”

Dhe ata thanë: “Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë Jeremia, ose një nga profetët”.

Kjo është interesante. Edhe njerëzit në kohën e Jezusit mendonin se ai ishte një mësues i mirë ose një profet. Por Jezusi donte të dinte se kush besonin ndjekësit e tij më të afërt se ishte ai.

“Ai u tha atyre: ‘Po ju, kush thoni se jam unë?’. Dhe Simon Pjetri, duke u përgjigjur, i tha: ‘Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë’” (Mateu 16:13–16).

Dhe Jezusi vazhdon duke i thënë Pjetrit sa i bekuar ishte për shkak të përgjigjes së tij.

Ta ndiqje Jezusin, t'i shërbeje, t'i bindeshe dhe të punoje me të nuk ishte e mjaftueshme. Për dishepujt ishte e nevojshme ta njihnin me të vërtetë se kush ishte Ai.

Gjëja më e rëndësishme që mund të dinte Pjetri ishte të dinte se Jezusi ishte Krishti.

Nëse po përpiqeni ta njihni Krishtin

Nëse po orvateni që ta njihni Krishtin në të vërtetë, mos u shqetësoni, sepse nuk jeni vetëm.

Shumë njerëz e gjejnë veten në një pikë ku duhet të kacafyten me mendimet e tyre dhe të vendosin mes asaj që kanë menduar gjithmonë dhe asaj që thotë Bibla se është e vërtetë.

Nëse po ndihmoni dikë për ta njohur për herë të parë Jezusin, jini të durueshëm me të, ndërkohë që ai/ajo gjen përgjigjet për pyetjet që ka.

Jezusi dhe historia

Ekzistojnë prova historike që tregojnë se Jezusi i Nazaretit jetoi dhe vdiq ashtu siç na shpjegohet në Bibël, kështu që, në njërin aspekt, e dimë se kush është Jezusi.

Por, duke marrë një hap më tej për të ditur më shumë rreth tij (dhe për të besuar më shumë rreth tij) sesa që thjesht ekzistonte, kërkohet besim dhe urtësi.

Perëndia është i gatshëm t'ua japë të dyja.

Ejani tek Bibla me pritshmëri dhe me përulësi, dhe kërkoni ta njihni me të vërtetë se kush është Jezusi. Ka për të bërë gjithë ndryshimin.

Për ta përmbledhur

1

Askush nuk mund të jetë neutral me mendimin që ka se kush është Jezusi. Ai ose është Zoti (siç thotë vetë), ose një gënjeshtar, ose një i çmendur. Me kë zgjidhni të bini dakord?

2

Provat historike vërtetojnë se Jezusi jetoi, siç thuhet në Bibël. Çdo individ e ka vetë në dorë ta studiojë Biblën me mprehtësi, dallim dhe urtësi për ta ditur dhe kuptuar në të vërtetë se kush është Jezusi.

3

Qasja ndaj Biblës me shpresën që do të vërtetojë se besimet tuaja personale janë të sakta, është e rrezikshme dhe e padobishme. Edhe për temat e vështira, duhet t'i qasemi Biblës duke besuar se ajo është e saktë dhe e vërtetë, dhe duke pranuar me përulësi korrigjimin e mendimeve tona personale, edhe kur ato na sfidojnë.

Thoni fjalën tuaj

Kush thoni ju se është Jezusi?
Në bazë të edukimit tuaj ose situatës suaj familjare, cilin aspekt të identitetit të Jezusit e keni më të vështirë për ta rrokur?
Kaloni kohë duke lexuar Ungjijtë për të zbuluar se kush është me të vërtetë Jezusi, dhe ndoshta për ta njohur atë për herë të parë.

Dëshironi të dini më shumë?

Nëse keni pyetje, dëshironi të flisni me dikë rreth këtij materiali ose dëshironi të mësoni më shumë, jemi këtu për t'ju ndihmuar.