Dita 37 | Lexoni nga Hebrenjve 10:19-31
Le t’i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjes së ligë dhe trupin të larë me ujë të kulluar. (v. 22)
Ushtrimi dhe zhvillimi i karakterit nuk është gjë e lehtë. Njerëzit janë krijesa të ndërlikuara, me shumë shpresa, dëshira dhe nevoja. Secili prej nesh ka një histori dhe sfond të ndryshëm që na ndikon. Mëkati mund të shtrembërojë të gjitha këto aspekte, dhe pavarësisht se kush jemi, na nevojitet flijimi shpengues i Jezusit për të transformuar jetët tona.
Jezu Krishti e njihte qartësisht misionin e tij dhe u flijua tërësisht për nga dashuria. Ai e çoi njerëzimin në një jetë të re përmes flijimit të tij njëherë e përgjithmonë. Ai e njeh rrënjën e problemit që e pengon njerëzimin të përparojë, që është mëkati. Kur i drejtohemi Jezusit, ne marrim falje dhe mundësi për të ndryshuar. Pasazhi i sotëm na paraqet një mënyrë për ta bërë këtë — “le të kujdesemi për njeri-tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri-tjetrin” (vv. 24-25). Ka edhe një paralajmërim: nëse vazhdojmë të mëkatojmë me dashje dhe nuk e pranojmë mundësinë për ndryshim, do të ketë gjykim (v. 29).
Transformimi për mirë kërkon përkushtim, qëndrueshmëri dhe gatishmëri për të paguar çmimin. Ne duhet të jetojmë dhe të bëjmë flijime siç e tregoi Jezu Krishti, Mësuesi dhe Shpëtimtari ynë. Ai vdiq njëherë për ne, por dëshiron që ne të mbahemi fort vazhdimisht dhe të transformohemi, edhe nëse kjo do të thotë flijim. — Hariman Pattianakotta
Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju japë gatishmërinë për t’u restauruar.

