woh-76-dhjetor-web

Gëzimi i të shpenguarve

Dita 76Lexoni nga: Isaia 35:1-10

“…hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre;”(v. 10)

Këto fjalë po i lexoni në mes të Adventit. Nëse si unë, jetoni në hemisferën veriore, atëherë Adventi juaj bie në mes të dimrit. Por teksa lexoj pasazhin e sotëm, po përfytyroj pranverën, çeljen e pemëve, shpërthimin e luleve, zogj që nxitojnë të ndërtojnë çerdhet e tyre. Bota ngazëllen teksa del nga një dimër i gjatë dhe i ashpër.

Kjo është ndjesia te Isaia 35. Ky pasazh e shpalos lulëzimin e pranverës si zgjimin e një krijese nga gjumi. Por shpejt vegimi i Isaias ndryshon nga bota natyrore në diçka të mbinatyrshme: “Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve; atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi…” (vv. 5-6). Te vegimi i Isaias, krijimi nuk po shkund dimrin. Por po çlirohet nga fuqitë e mëkatit, vdekjes dhe ferrit. Në qendër të krijimit të ripërtërirë kemi një racë njerëzore të ripërtërirë.

Përmes zemrës së këtij vegimi shtrihet një rrugë që quhet “Rruga e Shenjtë” (v. 8). Është rruga që ka krijuar Perëndia që populli i Tij të kthehet nga mërgimi. Është rruga e Birit të Perëndisë gjatë udhëtimit të Tij të gjatë drejt kryqit. Është rruga e arritshme për këdo që do të kalojë nga vdekja në jetë. Është një rrugë e shënuar me gëzim, gëzimin e atyre që dikur ishin të humbur, por tani janë gjetur, që dikur ishin të vdekur, por tani janë të gjallë. Nuk ka gëzim më të madh se gëzimi i të shpenguarve. — Ben Van Arragon

Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë që gjithmonë krijon një rrugë.

Tags: No tags