Marinela

Meditimet
"Unë quhem Marinela. Pasi kam lexuar libërthin me meditime nga Fjalët e Shpresës, jam bekuar së tepërmi nga lutjet që janë të shkruara në fund të çdo devocioni. Në fakt, duke bërë këto lutje kam kuptuar që për Perëndinë nuk kanë rëndësi fjalët e mëdha dhe lutjet e gjata, por lutjet të cilat bëhen me gjithë zemër. Shpesh janë gjërat e thjeshta dhe të vogla ato që i pëlqejnë Perëndisë kur bëhen me zemër, si, për shembull: 'Zot mësomë t'i dua të tjerët ashtu siç na do ti neve'. Kjo lutje më ka ndihmuar që unë t'i dua dhe t'i pranoj të tjerët ashtu si më deshi dhe më pranoi mua Perëndia. Faleminderit për këtë libërth dhe për këto devocione. .Zoti ju bekoftë dhe urtësia e Perëndisë qoftë me ju!".

Alma

Meditimet
Përshëndetje miq të Fjalët e Shpresës Me quajnë Alma dhe jam një besimtare e krishterë nga Lushnja. Ndoshta nuk njihemi personalisht, por përmes mesazheve, meditimeve dhe programeve të ndryshme me të cilat na vini pranë, jeni bërë miqtë tanë të çdo dite. Jemi shumë të bekuar që të marrim edhe botimet e Fjalët e Shpresës, “Meditime për çdo ditë.” Ky libërth i vogël është çdo ditë me mua në çantën time. Sa herë që kam një kohë pushimi, jam duke udhëtuar apo duke pritur, unë e hap atë dhe shijoj Fjalën e Zotit të shpjeguar dhe komentuar me shumë dashuri nga autorët. Lexoj meditimet dhe mahnitem se sa shumë mund të thotë Fjala e Perëndisë në një varg të vetëm. Shpeshherë janë vargje absolutisht të njohura, por duke lexuar meditimin e gjej veten duke e përjetuar atë varg sa shkurt aq edhe të thellë. Me mahnit fakti që autorëve të meditimeve nuk u duhen shumë fjalë për të shprehur plotësisht shpjegimin e kontekstit biblik, kulturën e kohës, vendosjen e saj në kulturën e sotme, shembuj reale ku çdo njeri gjen veten dhe, shpesh, një pyetje sfiduese për të reflektuar. Më pëlqejnë sidomos seritë e meditimeve nga i njëjti libër i Biblës. Për shembull, meditimet mbi librin e Zbulesës dhe të Gjonit më kanë tërhequr më tepër dhe më kanë mbetur gjatë në mendje. Të dy këta janë librat e mi të preferuar në Bibël. I kam lexuar dhe studiuar gjerësisht, dhe përsëri gjeja nuanca shumë të holla në ato meditime, që vinin të reja dhe praktike tek unë. Kam një kënaqësi të veçantë kur vargjet apo meditimet e ditës i ndaj me persona të tjerë në kishë apo me jobesimtarë. Shpesh më vjen meditimi si një këshillë e vlefshme nga Perëndia, apo si një ilustrim i një situate të caktuar. Madje shpeshherë e kam përdorur libërthin e meditimeve si dhuratë për një shoqe/shok apo të afërm, si një ndihmë në ecjen e tyre me Zotin. Falënderojmë Zotin që ka siguruar botimin, shpërndarjen dhe regjistrimin e këtyre materialeve ndihmuese në njohjen dhe ecjen tonë me Zotin. Zoti ju bekoftë
E Vërteta Ime
"Më pëlqen shumë emisioni "E Vërteta Ime". E kam ndjekur me mjaft interes. Unë jam prekur dhe jam inkurajuar shumë nga jeta e personave që, në dukje janë të thjeshtë dhe të përulur, por që për mua janë heronj të besimit. Ata kanë lënë pas dore gjithçka duke sakrifikuar për të sjellë ndryshim, duke luftuar me armën e dashurisë, lutjes dhe duke derdhur nga jeta e tyre tek të tjerët. Mendoj që në botën e sotme, ku të gjithë ne vrapojmë e rendim të bëjmë sa më shumë, jo gjithnjë ndjekim zemrën, sepse nuk kemi kohë ta dëgjojmë. Epo Zoti, me këtë emision, i ka folur pikërisht zemrës time, duke më kujtuar se ne kemi vetëm një jetë dhe duhet ta përdorim atë me qëllim dhe të marrim kohë e të reflektojmë mbi jetën tonë. Unë shpeshherë i bëj pyetje vetes: Po unë, ku jam o Zot? Çfarë mund të bëj unë? Shih këta persona, dhe të vërtetën e tyre, po e imja cila është? Çfarë mund të bëj më shumë për të të nxjerrë Ty në pah me jetën time?"