Dita 84 | Lexoni nga Zanafilla 1:26-2:3
Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. (v. 27)
Në fillim të pranverës, para se gjethet të dalin nëpër pemë, pylli rreth shtëpisë sime mbushet me lule të egra jetëshkurtra. Të ndërlikuara e të vogla, të brishta, por aq të forta sa të mbajnë kokën lart, që lulëzojnë në dëborën e fundprillit. Varen nga shumë gjëra për lulëzim: nga bletët, toka, milingonat, nga shirat, nga dielli dhe nga bimët e tjera. Tek ato shikoj një shembull të bashkësisë. Secila prej tyre shumë e çmuar dhe tejet unike. Secila varet nga shumë faktorë për të lulëzuar.
Mbase s’e dimë ç‘do të thotë të krijohesh sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, por dimë që natyra e Tij ekziston në një marrëdhënie, tre persona: Ati, Biri e Fryma e Shenjtë, që e nderojnë njëri-tjetrin në unitet të përsosur. Të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij, ne duhet të lulëzojmë në marrëdhënie të ngjashme. Por, ndryshe nga krijimi që Ai e shpalli “shumë mirë” (Zan. 1:31), Ai thotë: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t’i bëj një ndihmë që i leverdis” (2:18).
Kultura jonë e kthen individin në idhull. Megjithatë, vlera kritike e marrëdhënieve kuptimplota për shëndet dhe mirëqenie vazhdon të mirëdokumentohet. Shkencat natyrore vazhdojnë ta përkufizojnë botën fizike në termat e marrëdhënieve të ndërvarura. Ka kuptim, të gjitha gjërat vijnë nga Krijuesi ynë, Perëndia, i cili banon në marrëdhënie dhe na bën thirrje të bëjmë të njëjtën gjë. Gjeni pak kohë sot për të listuar mënyrat si të ndërtoni dhe ushqeni marrëdhënie të forta me Perëndinë, me njëri-tjetrin dhe me botën. – Bonnie Nicholas
Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju tregojë hapat e radhës për të ndërtuar, thelluar apo shëruar marrëdhëniet tuaja!