Dita 36 | Lexoni nga Levitiku 26:3-13
E kam thyer zgjedhën tuaj dhe kam bërë që të ecni me kokën lart. (v. 13)
Si një person që lufton me depresionin, ka ditë kur ndihem më shumë sikur po rropatem sesa po lulëzoj. Në ato ditë kam vërtetë nevojë të rifreskohem duke kërkuar dhe duke marrë vizionin dhe qëllimin që Perëndia ka për jetën time. Nëse kam vështirësi ta ndjej Perëndinë në të tashmen, ajo që më ndihmon është të kujtoj çlirimin e Perëndisë në të kaluarën. Kurdoherë që e kthej kokën pas dhe shoh jetën time, mbaj mend që Perëndia ynë është një Perëndi i qëllimit, pra, ne çlirohemi gjithmonë nga një realitet për një qëllim të ri.
Udhëzimet që Perëndia i jep Moisiut në malin Sinai vijnë pasi Perëndia i ka çliruar izraelitët nga robëria në Egjipt; ligji që ai i jep Moisiut mishëron qëllimin plot dashuri që Perëndia ka për izraelitët pasi të kenë arritur më në fund në tokën e premtuar. Perëndia përshkruan për Moisiun dhe izraelitët, të cilët janë të lodhur nga ecejaket, një pamje të freskët të një populli, një toke dhe një jetese të frytshme. Kjo është një pamje e bollëkut, lirisë dhe plotësisë, e cila është e lidhur ngushtë me bindjen me besnikëri ndaj parimeve të Perëndisë.
Në mes të rraskapitjes sonë dhe endjeve pa fund, Perëndia është besnik dhe na kujton vizionin e tij për ne që të lulëzojmë. Që prej Adamit tek Noeu, e nga Jozefi tek Moisiu, Perëndia e fton popullin e tij që të lulëzojë brenda besëlidhjes me të. Dhe kjo është e rrënjosur në bindjen ndaj besëlidhjes, pra, asaj bindjeje që në fund të fundit është për të mirën tonë dhe për lavdinë e Perëndisë. Gjatë ditëve të vështira, ne mbajmë mend këtë: Ne jemi fëmijët e dashur të Perëndisë, të çliruar nga robëria e mëkatit dhe vdekjes për plotësinë e jetës bashkë me të. — Katelyn J. Dixon
Ndërsa luteni, jini mirënjohës për atë nga e cila ju ka çliruar Perëndia, dhe kërkoni vizionin që ai ka për lulëzimin tuaj.

