woh-27-july

Lumi i shenjtë

Dita 27 | Lexoni nga Ezekieli 47:1-12

Ujëra dilnin nga poshtë pragut të tempullit në drejtim të lindjes. (v. 1)

Ra shi, gjëmoi e vetëtiu për afro dhjetë orë. Era ishte kaq e fortë, saqë theu një pemë, vetëm disa metra larg çadrës sonë. Ndërsa një pemë tjetër ra mbi varkën tonë, duke prerë kiçin e varkës nga përpara mbrapa. Pasi stuhia u qetësua, unë dhe vajza ime morëm kutinë e ndihmës së shpejtë në varkë dhe arritëm të largoheshim. Gjurmët tona tashmë ishin fshirë prej përrenjve të rrëmbyeshëm, që arrinin deri në gju. Edhe në një vend me liqene të pafund, siç është zona e mbrojtur e Kanoeve të ujërave të kufirit në verilindje të Minesotës, dukej sikur uji ishte gjithandej. Dukej sikur gjithçka ishte mbuluar prej këtij lumi të gjerë.

Po kështu, edhe në këtë vizion nga profeti Ezekiel, duket sikur uji gjendet kudo. Ujërat dilnin nga poshtë tempullit në drejtim të lindjes, të jugut dhe të veriut. Në fillim lumi ishte i cekët, por shumë shpejt ngrihet derisa bëhet i pakalueshëm.

Por ky nuk është një lumë i zakonshëm. Ai është lumi i jetës. Ai gjallëron çdo qenie të gjallë. Atje ku kalon lumi, jeta nuk mbaron. Është një parajsë për peshkatarët, duke qenë se ka peshq me bollëk. Dhe ato ujëra i japin jetë gjithë llojeve të pemëve që rriten përgjatë brigjeve të tij, pemëve që japin fryte gjithë vitin, kështu që atje ka gjithmonë mjaftueshëm për të ngrënë. Dhe gjethet e këtyre pemëve shërbejnë për shërim. Ky është një lumë i shenjtë. Lumi i jetës. Shenjë e dashurisë së Perëndisë. — Steven Bouma-Prediger

Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë për dashurinë e tij të madhe, dhe i kërkoni atij t’ju vadisë me lumin e jetës, në mënyrë që të mbusheni me mëshirën dhe hirin e tij.

Tags: No tags