Lexoni nga Filipianëve 4:10-20
“Sekreti”
Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon. (v. 13)

Ka gjithmonë nga ata që duan të dinë sekretet e suksesit, dhe për ata që merren me shitjen e metodave më të fundit dhe më të mira, njerëzit janë të gatshëm të hidhen në zjarr për ta arritur (dhe të shpenzojnë shuma të mëdha parash). Ekzistojnë aplikacione për dieta dhe ushtrime, emisione për stilin e jetesës, simpoziume të suksesit, rubrika me informacione praktike, podkaste (mësime audio) dhe libra. Për çdo person që është i etur të mësojë “sekretin”, duket sikur ekziston një tjetër person që është po aq i gatshëm të shpërndajë këshilla.

Megjithatë për Jezusin, i cili premton kënaqësi dhe lumturi, forcë dhe paqe për çdo rrethanë, radha e fansave është më e shkurtër. Jezusi nuk na jep mënyrën “sekrete” drejt suksesit; por ai na ofron një mënyrë frymërore për t’u përballur dhe për të kapërcyer çdo gjë që jeta na përplas fytyrës. Ky nuk është mesazhi që shumica e njerëzve duan.

Kostoja e dishepullizimit nuk paguhet në banak. Nuk mund të nxirrni dot para nga portofoli dhe të blini atë që premton Jezusi. Pa dyshim që Pali nuk e bëri kurrë këtë. Kostoja është në kohën që ne kalojmë vetëm me Mësuesin, duke dëgjuar zërin e tij, duke dashur fjalët e tij dhe duke u mbështetur në aftësitë dalluese përmes Frymës së Shenjtë. Kostoja është kur bindemi se vullneti i tij është më i mirë se i yni, dhe kur mund të bëjmë çdo gjë që na ka thirrur të bëjmë për shkak se ai do të na japë gjithçka që na nevojitet. Kostoja është në mësimin përmes përvojave, duke dalë nga barka për t’u futur në ujë, në qoftë se kjo është ajo që na kërkon Perëndia. Dhe së fundi, na zbulohet edhe sekreti për t’u përballur me jetën duke qenë të kënaqur: të mos kalojmë rrotull pengesave, por të shkojmë përmes tyre me forcë të brendshme dhe me paqe të sigurt. — Amy Clemens

Ndërsa luteni,falënderoni Perëndinë që hiri i tij është i mjaftueshëm për ju ndërkohë që mësoni “sekretin” e të qenit të kënaqur.

Categories: Meditimet

0 Comments

Leave a Reply

Avatar placeholder

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Ardit Prekaj