web-woh-21-korrik

Mos ndiqni turmat!

Loading poll ...

Dita 21 | Lexoni nga Mateu 7:7-14

Sepse e ngushtë është dera dhe e shtrënguar është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë. (v. 14)

Keni hyrë ndonjëherë diku përmes dyerve të gjëra dhe të mëdha? Mund të kenë qenë dyer të parqeve zbavitëse, të teatrove dhe operave apo të sallave sportive. Dyert e tilla hapen në mënyrë që të futen turmat, dhe nëse je në këtë mes, shpesh mund të përfundosh me grupe të njerëzve me të cilët çuditërisht nuk ke as edhe një gjë të përbashkët.

Teksa po vizitoja Romën vitin e kaluar, natyrisht që në listën time të prioriteteve ishte edhe vizita për të parë afresket e Kapelës Sistinë, të Mikelanxhelos. Por, gjithashtu doja të shihja dhe veprën “Pietá” të Van Gogut, sepse e dija se edhe kjo perlë e botës së artit fshihej diku aty në muzetë e Vatikanit. Ndërkohë që po kaloja nga një dhomë e muzeut në tjetrën pashë mbishkrimin mbi një “derë të vogël” që thoshte “Arti Modern”. E dija se kjo ishte rruga për të gjetur “Pietá-në”, por duke u futur në këtë derë, lamë pas shumë persona të cilët vazhduan pas turmave përmes dyerve të gjëra e të mëdha! Duke lënë pas kështu, të pa eksploruar dhe të papërjetuar, jo vetëm veprën e Van Gogut por edhe vepra nga Pikaso, Matisse, Nolde, Kandinski, e shumë artistë të tjerë me vlera të pakontestuara artistike.

Kur ecni pas turmave ju dëshmoni se nuk jeni futur përmes derës së ngushtë dhe në këtë mënyrë nuk jeni duke ecur pas Jezusit. Sepse Jezusi nuk është duke shkuar pas turmave. Në anën tjetër, në udhën e ngushtë mund të ndjeheni të vetmuar, të frikësuar, por merrni zemër se keni për të parë pamje madhështore, të cilat turmat nuk do të kenë mundësi t’i shohin kurrë. Sado e ngushtë dhe e vështirë të jetë rruga, mos harroni: bashkëudhëtari juaj është Jezusi.- Arijeta Ajeti

Ndërsa luteni, kërkoni që Ati t’ju drejtojë dhe t’ju tregojë rrugën në të cilën duhet të ecni.

#MosNdiqTurmat #DeraENgushtë #UdhaEQëndresës #Mateu714 #JezusiBashkëudhëtar #ZgjidhRrugënEDrejtë #BesimiNukËshtëTurmë #EcMeZotin #FjalëteShpresës #Meditime

Tags: No tags