Gëzimi i Projektuesit 2
Burimi i kënaqësisë
Por ka edhe një ide tjetër që mund të jetë akoma më qesharake: ideja se Perëndia ekziston por është një person që na vret gëzimin dhe dëshiron të ndrydhë dhe të prishë kënaqësitë tona. Kjo mund të jetë ideja më e keqe që ekziston. Perëndia shpiku kënaqësinë! Pse do të dëshironte ta ndrydhte atë?
Kur i ngre sytë për të parë perëndimin e diellit, apo një ujëvarë apo gjethet e zverdhura të një peme vjeshte, kush mendon se i shpiki të gjitha ato ngjyra të shkëlqyera dhe t’i dha ty sytë për t’i parë?
Kur dëgjon fëshfërimën e një puhize apo cicërimën e një zogu apo të qeshurën e një foshnje, apo melodinë e muzikës, kush thua se i shpiku të gjitha ato tinguj dhe të dha ty veshë për t’i dëgjuar? Kur shijon një ushqim të mirë dhe më pas e shoqëron me një pije freskuese, e kujt thua ishte vallë ideja për atë shije, dhe kush të dha ty zonat e shijes për të shijuar ushqimin? Kush i bëri krijesat, të cilat mund të shijojnë puthjet e dashurisë dhe kujdesin e ëmbël? Kush e shpiku idenë për të gjitha këto gjëra? Perëndia! Si mundi të krijonte Perëndia të gjitha këto dhe sërish të jetë armiku i kënaqësisë?
Perëndia nuk është kundër lumturisë; lumturia është ideja e tij. Në fakt, nuk është vetëm ideja e Tij por edhe thelbi i qenies së Tij. Perëndia është një Perëndi i kënaqësisë. Triniteti i Perëndisë Atë, Krishtit Bir dhe Frymës së Shenjtë, është një bashkim i kënaqësisë së pafund. Ati, Biri dhe Fryma vendosën të shfaqnin kënaqësinë e pafund të vetë Perëndisë duke krijuar një botë të mbushur me krijesa shumë të këndshme që do të kënaqeshin në botën dhe Krijuesin e vet.
Te Psalmi 104 Bibla thotë " Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij."
Të veshur në dritë
Psalmi 104 tregon gëzimin e madh të Perëndisë për gjithçka që Ai ka bërë. Psalmi fillon duke thënë:
“Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.
Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejt si një çadër;
ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.
I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.
Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.”
Çfarë pamjeje! Perëndia përdor dritën ashtu siç përdorim ne rrobat. Pse i përdorim rrobat ne? Për të përmirësuar pamjen tonë si edhe për të thënë diçka për veten, dhe për të mbuluar trupin. Pothuajse të njëjtën gjë bën Perëndia kur mbështillet me dritën si me një mantel. Ai krijon dritën si dekor por edhe për të treguar diçka për veten dhe, në të njëjtën kohë Ai e fsheh veten që askush mos ta shohë në sy.
Duke e veshur veten me dritën që ai krijoi, Perëndia tregon se Ai është drita dhe në të njëjtën kohë Ai e mban të fshehtë dritën e Tij shkatërruese që asnjë krijesë mos ta shohë.
Ky Perëndi i shkëlqyer i shtrin qiejt si një çadër: pra shtrin"qiejt"- jo vetëm "hapësirën", por "qiejt”. Mbretëria e gjerë përtej kësaj toke, nuk është thjesht një hapësirë boshe, por një plotësi qiellore, sepse Perëndia e ka shtrirë çadrën e Tij atje. Ai është i pranishëm atje në lavdi dhe gëzim hyjnor. Sa për retë, ato janë qerret e Tij. Erërat janë lajmëtarët e Tij engjëllorë. Flakët e zjarrit dhe erërat janë lajmëtarë dhe shërbëtorë që i binden urdhrave të Tij.
Tani, Perëndia nuk ka nevojë për një qerre të vërtetë për të shkuar prej këtu atje. Sepse Ai është kudo. Ai nuk ka nevojë për rroba, apo për një çadër ku të jetojë. Nuk ka çadër, apo galaktikë që të mund të mbulojë Perëndinë. Sikurse e thotë edhe Bibla: " Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë… " (2 Kronikave 6:18) Po atëherë pse duhet të flasim për çadrën e Perëndisë, për mantelin dhe gjithë gjërat e tjera? Këtu në Shkrime, Perëndia po përdor fjalët për të shprehur një realitet më të lartë se thjesht fjalët, sikurse në krijim Ai përdor gjërat e krijuara për të shprehur një lavdi të përjetshme, shumë herë më të madhe se çdo krijesë e krijuar. Ky univers është një krijim dhe zbulesë e një Perëndie madhështor, të zgjuar dhe të gëzuar. Ai është aktiv kudo dhe kënaqet në veprat e Tij.
Udhëzime hyjnore
Gjithë krijimi është krijuar sipas urdhrit të Perëndisë dhe funksionon nën udhëzimet hyjnore.
Ne e marrim si të mirëqenë që ujërat mblidhen në vendet e ulta, në vend që thjesht të mbulojnë gjithçka me një shtresë uniformë, ashtu siç mbulon gjithçka atmosfera. Por sipas Psalmit 104, nuk ka qenë gjithmonë kështu.
“Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet.
Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.
Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.
Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërcenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën."
Pse shiu nuk bie nga poshtë lart? Pse akulli qëndron mbi ujë dhe nuk fundoset? Pse uji rrjedh nga një kodër? Pse nuk është oqeani një kërcënim, që nga çasti në çast mund të vërshojë mbi tokë dhe ta mbulojë të gjithën? Pse vepron uji në këtë mënyrë? Sepse Perëndia ka caktuar kufij për mënyrën se si sillen ujërat. Të ashtuquajturat “ligjet e natyrës” që kontrollojnë ujin janë urdhra që vijnë prej Perëndisë.
Nëse Perëndia i jep ujit urdhra, që janë ndryshe nga urdhrat e zakonshme, uji i bindet Atij. Kur Perëndia donte të shpëtonte popullin e Tij dhe ta kalonte atë përmes Detit të Kuq, Ai i tha ujit të qëndronte i mbledhur, dhe uji ashtu bëri. Kur Jezusi i tha stuhisë së madhe të qetësohej, ajo pushoi menjëherë. Ne duhet ta lavdërojmë Perëndinë për mrekullitë e Tij të mëdha. Ju kujtohet kur uji u ngrit në dy anë duke hapur rrugë të thatë, apo kur stuhia u qetësua. Por sipas Psalmit 104, ne duhet ta lavdërojmë Atë edhe kur ujërat sillen natyrshëm sipas asaj që jemi mësuar. Cilado qoftë nga të dyja, nëse uji i bindet urdhrave të veçanta, si në rastin e mrekullisë, apo i bindet urdhrave të zakonshme, pra kur ndjek rutinën e zakonshme natyrore, Perëndia është Ai që drejton gjithçka dhe kënaqet në veprën e Tij.
Psalmi 104 vazhdon duke thënë se Perëndia siguron burimet malore për t’i dhënë ujë kafshëve të fushës dhe zogjve dhe, Ai dërgon shiun për të ujitur tokën. Në këtë mënyrë, thotë psalmisti: " Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e Tij,
dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut." (v. 14-15) Vera dhe buka, pica dhe pijet, vaji dhe pasta e rrojës, janë të gjitha produkte të gëzimit të Krijuesit. Perëndia vendos mundësi pa fund tek gjërat, dhe na jep ne aftësinë të hapim, të zhvillojmë dhe shijojmë këto dhurata.
Krijuesi nuk është i interesuar vetëm për krijesat e Tij njerëzore. Psalmi 104 thotë se Ai ujit pemët e mëdha dhe siguron strehë për të gjitha llojet e zogjve.
Ai siguron male të larta, jo vetëm që njerëzit t’i soditin por edhe që dhitë e malit të kenë atje shtëpinë e tyre.
Ato pëlqejnë vendet malore që nuk janë të përshtatshme për njerëzit apo shumicën e kafshëve të tjera. Kur mendoj për dhitë e malit, që ngjitin shkëmbinj të thepisur, apo pinguinët që pushojnë mbi akullnaja dhe luajnë me ujin e ftohtë akull, apo për kaktuset dhe devetë që jetojnë në shkretëtirë, mahnitem se si Krijuesi i përshtat këto krijesa të pazakonta me shtëpitë e tyre kaq të pazakonta.
Larmia e madhe e krijimit, është vepër e Perëndisë, po kështu edhe rutina e përditshme. Nata që i le vend ditës, ndryshimi i stinëve, rrotullimi hënës, tokës rreth diellit, nuk janë thjesht lëvizje mekanike të ligjeve të pajeta. Ato janë vepra të Krijuesit. Bibla tregon për një kohë kur Perëndia bëri që një ditë të zgjatej dyfishin e saj, në mënyrë që populli i tij të mund të kishte fitoren. " Kështu dielli u ndal në mes të qiellit dhe nuk u nxitua të perëndojë pothuajse një ditë të tërë. Dhe nuk pati kurrë, as më parë dhe as më vonë, një ditë si ajo…" (Jozueu 10:13-14)
Perëndia është Ai që ndaloi diellin (ose ndaloi rrotullimin e tokës) atë ditë, por njëkohësisht është i vetmi që përcakton gjatësinë e çdo dite tjetër “normale”. Psalmi 104 e thotë shumë qartë se Perëndia e drejton ritmin e rregullt të ditës dhe natës. Krijesat e natës kanë kohën e tyre të përcaktuar të errësirës për të gjetur ushqimin. Pasi shfaqet dielli, krijesat e natës largohen dhe njerëzit dhe krijesat e tjera të ditës dalin jashtë dhe kërkojnë ushqimin e tyre derisa bie nata.
Ky ritëm i rregullt nuk është rezultat i një determinizmi mekanik, as nuk është një larmi prekëse në krijim, si pasojë e rastësisë së rëndomtë, por janë projektim i një Krijuesi besnik dhe të gëzuar, të Cilit i pëlqen t’i bëjë disa gjëra në mënyrë të përsëritur.
Këtu do të ndahemi së bashku miqtë e mi. Shpresoj t’ia kaloni sa më bukur sot dhe mirë u takofshim herën e ardhshme. Deri atëherë mirë u dëgjofshim