Gëzimi i Projektuesit 3
Modelet dhe përsëritjet e zakonshme në krijim janë projektim i një Krijuesi besnik dhe të gëzuar, të Cilit i pëlqen t’i bëjë disa gjëra në mënyrë të përsëritur. Perëndisë i pëlqen t’i thotë diellit edhe hënës:" Bëje prapë! Bëje prapë!" Në të njëjtën kohë, Ai është Perëndia, të Cilit i pëlqen larmia, ndaj edhe ka krijuar dhe mbështetur larminë mahnitëse të krijesave.
Në fakt, Perëndia shpesh shijon, kombinimin e larmisë me ngjashmërinë. Ai kënaqet në bërjen e kësaj gjëje, në një mënyrë që nuk është asnjëherë njëlloj. Ai bën miliarda flokë bore që kanë pak a shumë të njëjtat karakteristika dhe duken pothuajse njëlloj në pamje të parë.
Gjithsesi çdo njëra prej këtyre flokëve të borës është unike. Kësisoj, Perëndia bën miliarda njerëz që kanë pak a shumë të njëjtat karakteristika, megjithatë çdo person është unik. Miliarda njerëz lindin me dhjetë gishta, megjithatë nuk ka asnjeri me të njëjtat shenja gishtash, po kështu nuk ka dy njerëz që të kenë ekzaktësisht të njëjtin personalitet. Ne kemi kaq shumë të përbashkëta, megjithatë askush nuk është i zakonshëm. Perëndia kënaqet duke na dhënë secilit prej nesh një identitet të dallueshëm dhe, njeh secilin prej nesh në emër.
Varësi e plotë
Pasi vazhdon duke përshkruar veprat e mrekullueshme të Krijuesit, shkruesi i Psalmit 104, merr frymë dhe pohon: " Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua." (v. 24)
Psalmisti shikon madhështinë dhe larminë e veprave të Perëndisë dhe nuk mund të rrijë pa e lavdëruar Perëndinë për urtësinë e Tij. Kur e kthen vëmendjen nga toka drejt detit, ai vë re, se Perëndia jo vetëm e ka përmbajtur detin që të mos pushtojë krijesat e tokës, por njëkohësisht e ka mbushur detin me një botë krijesash të vetat. Psalmi 104 thotë " Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta”, si të mëdha ashtu edhe të vogla.
Perëndia i bën oqeanet shtëpinë e një morie gjallesash ujore, një rrugë për anijet dhe një skenë argëtimi për çdo përbindësh detar që të mund të zbavitet në thellësitë, që janë ende të pazbuluara për ne.
Më kujtohet habia që ndjeva për herë të parë kur u zhyta me veshje zhytëse pranë disa shkëmbinjve nënujorë koralorë. Ishte një botë e tërë, një botë që flakëron prej ngjyrave dhe jetës së gjallë.
Psalmi 104 thotë se çdo krijesë e gjallë është krijuar prej Perëndisë dhe vazhdon të jetë nën kujdesin e Perëndisë çdo çast. " Të gjithë presin që ti t'u japësh ushqimin në kohën e duhur.
Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira.
Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre.
Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut." (v. 27-30)
Kjo botë nuk është një makinë që Perëndia e nisi njëherë e një kohë dhe më pas e la të ecte vetë. Ajo mbahet çdo moment prej Krijuesit. Të gjitha krijesat, ti ,unë dhe çdo krijesë tjetër e gjallë, mbështet plotësisht tek krijuesi për jetën.
Kur Ai jep, gjithçka begatohet dhe ka kënaqësi. Kur Ai largohet, ka tmerr dhe vdekje. Kur Fryma e Tij lëviz, ndodhin gjëra të reja dhe ka përtëritje.
Kjo varësi e plotë në Perëndinë tregon përulësi, por mund të jetë edhe inkurajim. Ne mund të mendojmë se jemi të gjallë dhe të fortë, se kemi plane të mëdha, por Perëndia mund ta ndalë jetën tonë në çdo çast. Nga ana tjetër, ne mund të mendojmë se jemi shkatërruar dhe po vdesim, s’ka më shpresë për ne, por Perëndia është një Perëndi që krijon dhe rikrijon, një Perëndi që mund të ngrejë madje edhe të vdekurit në jetë. Në fakt, ringjallja njerëzore një ditë do të jetë aq e zakontë dhe universale sa ajo që shohim tani, kur toka e thatë dhe farat e thata mbijnë dhe lulëzojnë sa herë që Perëndia përtërin faqen e dheut.
Gëzimi i krijuesit
Sikurse frymëzohet e mahnitet shkruesi i Psalmit 104 prej urtësisë dhe krijimit të Perëndisë, zemra e tij ngrihet mbi këtë botë drejt shkëlqimit dhe gëzimit të Atij që e krijoi këtë botë: " Lavdia e Zotit të rrojë përjetë”, pohon ai. Le të gëzohet Zoti me veprat e tij, ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym."
Një vështrim i Krijuesit mund të dërgojë një tërmet; prekja më e vogël e gishtit të tij mund të shkaktojë shpërthimin e një vullkani. Kaq i fuqishëm është Ai! Lavdia e Perëndisë dhe fuqia e Tij është kaq e madhe sa që Ai nuk varet në asnjë mënyrë te krijimi i Tij.
Me një vështrim apo një prekje, Ai mund ta zhbëjë atë në një çast, dhe të jetë sërish Perëndia i përjetshëm dhe i bekuar. Ai do të vazhdojë të gëzohet në gjithçka që vendos të bëjë.
Kështu që kur psalmisti lutet që lavdia e Perëndisë të zgjasë dhe që Zoti të gëzohet në veprat e Tij, kjo nuk është vetëm një dëshirë apo një shpresë e flaktë. Është e sigurt që do të ndodhë. Perëndia ka fuqi që t’i bëjë gjërat realitet. Sikurse e thotë edhe Bibla në një vend tjetër: " Zoti bën ç'të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat." (Psalmi 135:6)
Para së gjithash Perëndia e krijoi universin për lavdinë dhe kënaqësinë e Tij. Disa gjëra Ai i bëri për njerëzimin, por gjithçka e bëri për vete. Disa prej krijesave të Perëndisë shpallin lavdinë e Tij ndaj njerëzve që i shikojnë ata, por gjithë krijesat e Perëndisë, reflektojnë lavdinë e Perëndisë para vetë Zotit që i krijoi të gjitha ato. Krijuesi bëri miliarda krijesa në dete dhe oqeane që askush tjetër veç Perëndisë nuk do t’i shohë asnjëherë. Ai bëri miliarda lule, që çelin dhe lulëzojnë dhe veniten sërish, larg shikimit të gjithkujt, por nën shikimin e tij.
Ai bëri miliarda yje, shumica e të cilëve nuk shihen as me teleskop, por Perëndia njeh çdo yll me emër dhe kënaqet me secilin prej tyre.
Gjithë gjërat e krijuara, që nga galaktikat e deri te peshku i kuq, shpallin lavdinë dhe gëzimin e Perëndisë dhe shkëlqimin e birit të tij të dashur, përmes të cilit u krijua gjithçka. Edhe sikur të njihje faktet e këtij universi të mahnitshëm, prapëseprapë do të kishe vetëm një grimë të urtësisë dhe imagjinatës së madhe të Perëndisë. Nëse do të mund të përjetoje disi gjithë kënaqësitë dhe shkëlqimin e universit, ti do të kishe veç një shije të kënaqësive të përjetshme që vërshojnë përgjithmonë qenien e Perëndisë. Nëse bashkon gjithë vitalitetin e çdo krijese të gjallë që ka ecur ndonjëherë, është zvarritur, ka notuar apo fluturuar do të përjetoje veç një grimcë të zbehtë të jetës së pakufizuar që Perëndia ka në vetvete.
Mahnitje dhe adhurim
Ky krijim është kaq i mrekullueshëm dhe pothuajse magjik, aq sa shumë njerëz përgjatë historisë janë tunduar ta adhurojnë atë. Fetë nga më të ndryshmet thonë se krijesa të caktuara janë realisht perëndi, madje ka edhe fe panteiste që thonë se çdo gjë është perëndi. Ndërsa në epokën shkencore që jetojmë, disa prej nesh kanë shkuar në ekstremin tjetër. Disa priren të mendojnë se krijimi nuk është magjik apo mekanik, as hyjnor por i vdekur.
Bibla gjithsesi shpalos të vërtetën. Krijimi është i madh, të le pa mend, të fal kënaqësi dhe të ndriçon prej lavdisë hyjnore. Por Krijuesi vetë është akoma më i madh dhe magjepsës, i mrekullueshëm dhe i lavdishëm.
Prandaj mos e merr krijimin si të mirëqenë, por as mos e adhuro atë. Mrekullohu prej krijimit dhe më pas lavdëro Krijuesin tënd. Besoji Birit të Tij Jezusit, jo vetëm si i vetmi përmes të Cilit u krijuan gjërat, por edhe si i vetmi përmes të Cilit mëkëmben jetët e zhytura në mëkat.
Prano Frymën e Tij të shenjtë, jo vetëm si ai që fryn jetë tokësore në trupat tanë, por edhe si i Vetmi që fryn jetë të përjetshme në shpirtrat tanë. Lartësoje këtë Perëndi. Kërko që ta lavdërosh dhe ta kënaqësh atë me gjithçka që bën. Gëzohu me Krijuesin në veprat e tij dhe, lëre gëzimin tënd të reflektojë kënaqësinë e projektuesit.
Le ta mbyllim me lutjen që vjen nga fundi i psalmit 104.
Lutje:
Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij;
ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym.
Unë do t'i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t'i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem.
Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti.
Shpirti im, bekoje Zotin! Haleluja.