Mëso të dëgjosh 3
Folëm pak herën e kaluar për zemërimin dhe gjaknxehtësinë e thamë se duhet të mbajmë nën kontroll gjaknxehtësinë nëse duam të përfitojmë nga e vërteta. Kjo është e rëndësishme kur dëgjon të tjerët, dhe ka shumë rëndësi kur ti e dëgjon Perëndinë. Le të marrim si shembull, mësimin që thotë se mund të shpëtohemi vetëm duke besuar tek Jezus Krishti. Gjoni 3:18 thotë: " Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë." Këto fjalë i zemërojnë disa njerëz. Ndoshta të zemërojnë edhe ty. Pse duhet të ketë vetëm një rrugë për të shkuar në qiell? Pse duhet të dënohen me ferr ata që nuk besojnë te Jezusi? Ti mund të tërbohesh që Bibla thotë këtë dhe të zemërohesh me të krishterët që e besojnë atë, por nuk ka rëndësi, se sa shumë zemërohesh, fakti mbetet fakt: Jezusi është e vetmja rrugë shpëtimi. Në vend që të zemërohesh, bëhu i zgjuar dhe prano të vërtetën dhe merr dhuratën e mrekullueshme të shpëtimit.
“Jakobi thotë: " …çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim, sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë. Prandaj, hiqni çdo ndyrësi dhe mbeturinë ligësie, pranoni me butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj.”
Një dëgjues i mirë e pranon me përulësi Fjalën e Perëndisë. Kur diçka në Bibël, të zemëron, nuk do të thotë se duhet ndryshuar Bibla. Kjo do të thotë, se duhet të ndryshosh ti. Pra shumë njerëz, e humbasin dritën dhe jetën e Perëndisë për shkak se zemërohen sa herë që e vërteta i lëndon. Ata nuk dëshirojnë të heqin dorë, prej sjelljes së tyre mëkatare dhe, ata kundërshtojnë të përballen me të. Bibla thotë: " Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta ". (Gjoni 3:19) Me qëllim që të pranojmë të vërtetën e Perëndisë, duhet të lemë pas zemërimin tonë dhe të kuptojmë se mbrojtja jonë mund të ketë të bëjë me ndotjen morale apo ligësinë që duhet të heqim qafe.
Nëse ke marrëdhënie seksuale jashtë martese, apo jeton me dikë pa pasur një përkushtim jetëgjatë, nuk do të pëlqejë ASPAK kur të dëgjosh se Bibla është kundër tradhtisë bashkëshortore, por ti duhet ta dëgjosh atë. Nëse je gej apo lesbike, mund të tërbohesh fare me kishat të cilat mësojnë se seksi midis personave të së njëjtës gjini është mëkat, por Bibla kështu thotë. Nëse e konsideron veten të parazgjedhur, ti mund të zemërohesh prej atyre që thonë se aborti është vrasje e qenieve njerëzore të pafajshme, por ky është konkluzion i qartë i një mësimi biblik, mos të përmendim më pas faktet shkencore.
Në rast se ti thua sharje, apo thashetheme dhe nuk mund ta kontrollosh gjuhën, mund të bëhesh me nerva, kur Bibla thotë se feja është e kotë, por ti duhet të përballesh me të vërtetën. Nëse ti mendon pa reshtur si të bësh para, por nuk ndihmon asnjëherë njerëzit në nevojë dhe nuk jep bujarisht për bamirësi, ti mund të mërzitesh kur Bibla dënon lakminë dhe urdhëron të jemi të mirë me të varfrit, por ti duhet ta dëgjosh këtë të pëlqen apo nuk të pëlqen.
Është një prirje e natyrshme njerëzore që të mbrohemi. Por kur Fryma e Perëndisë na shtyn të dëgjojmë, ne nxjerrim menjëherë mbrojtjen, ose ndalojmë së pretenduari që mëkati nuk bën keq dhe në vend të kësaj pranojmë atë që thotë Perëndia. "Prandaj" thotë Jakobi, " Prandaj, hiqni çdo ndyrësi dhe mbeturinë ligësie, pranoni me butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj.”
Gati të përgjigjesh?
Si të shpëton Fjala e Perëndisë? Ajo të shpëton duke të ndryshuar. Ti nuk duhet vetëm ta dëgjosh, duhet të përgjigjesh." Mos jini vetëm dëgjues të Fjalës", thotë Jakobi, "dhe mos e mashtroni veten. Bëni atë që thotë Fjala." Është shumë keq të mbyllësh veshët plotësisht ndaj Perëndisë, por është më keq akoma të dëgjosh se çfarë thotë Ai dhe të mbetesh i pandryshuar. Pasi dëgjon Fjalën e Perëndisë, ke vetëm dy mundësi: ose të bësh atë që thonë Shkrimet, ose të shkatërrosh veten.
Një mënyrë për të mashtruar veten, është të dëgjosh se çfarë ka për të thënë Perëndia dhe, të mendosh se fjalët e Tij nuk kanë lidhje me ty. Ti mund ta lexosh një pjesë nga Bibla, apo një predikim dhe të thuash me vete: "Sa mesazh i fuqishëm! Filani ka nevojë ta dëgjojë këtë." Po mund të jetë e vërtetë, që dikush tjetër ka nevojë për atë mesazh, por ti duhet të pyesësh veten çfarë po të thotë Perëndia ty përmes atij mesazhi.
Ti po i hedh hi syve të tu nëse reagon duke menduar se Fjala e Perëndisë është e mirë për dikë tjetër, por jo për ty.
Një mënyrë tjetër si e mashtron veten është të kthesh leximin e Biblës në një ushtrim akademik. Ti krenohesh që di shumë, aq sa do të ishe në gjendje të mundje këdo në një konkurs njohurish nga Bibla. Ty të pëlqen të zbulosh se çfarë ishte një efod, apo kush ishin jebusitët, por ti nuk e pyet kurrë veten se çfarë po të thotë Fryma e Shenjtë për Perëndinë e gjallë, në këto momente.
Ti analizon fjalë të ndryshme për pendimin në gjuhën hebrease dhe greke, por ti nuk bie asnjëherë në gjunjë të pendohesh dhe të thuash "Perëndi, ki mëshirë për mua, mëkatarin!" Kokën e ke plot me fakte biblike, por zemra jote mbetet e pandryshuar. Nuk jam kundër studimit të kujdesshëm të Biblës, por nëse jemi më tepër të interesuar që të shuajmë kuriozitetin tonë se sa t’i përgjigjemi zërit të Perëndisë, gjithë njohuria jonë për të dhënat e Biblës është e kotë.
Sipas Jezusit "çdo njeri që e dëgjon Fjalën e Perëndisë por nuk bën atë që thuhet aty, i ngjan një njeriu që pasi ka parë veten e vet në pasqyrë , largohet menjëherë duke harruar se si ishte." Kur ngrihem në mëngjes unë e shikoj veten në pasqyrë dhe nuk dukem aq bukur. Fytyra ime është e paruajtur, në anë të syve kam sklepa, dhe flokët më janë ngatërruar keq. Tani mendo sikur në vend që të rruaj mjekrën, të bëj një dush, dhe të kreh flokët, unë të largohem prej pasqyrës dhe dal në publik me atë pamjen e shëmtuar. Do të ishte me të vërtetë budallallëk nga ana ime apo jo?
Çfarë vlere do të kishte ta shikoje veten në pasqyre dhe të mos bëje asgjë për ta ndryshuar atë që pe? Për këtë e ka fjalën Jakobi kur thotë, ju e lexoni Biblën por nuk bëni asgjë nga ato që ajo thotë.
"Por" thotë Jezusi " ai që do të shikojë me vëmendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet." (Jakobi 1:25) Ky është premtimi i Perëndisë: kur fokusohesh në Fjalën e Perëndisë si udhërrëfyesin për të jetuar lirinë e vërtetë dhe kur i hedh këto në praktikë, ti do të lulëzosh.
A po mëson të dëgjosh? A le një kohë të veçantë për Perëndinë, që ti kushtosh vëmendje asaj që Ai të thotë.
Kur e vërteta lëndon, a zemërohesh dhe mbrohesh, apo i kërkon Zotit të të falë dhe të ndryshojë ty?
A i përgjigjesh asaj që Perëndia thotë, duke e praktikuar atë me anë të ndihmës së Frymës së Perëndisë. A po i beson Jezusit për shpëtimin tënd dhe e ndërton jetën tënde mbi Fjalën e Perëndisë? Në rast se po, ti do të shpëtohesh dhe do të bekohesh. Nëse jo, atëherë të lutem mëso ta dëgjosh Perëndinë para se të jetë tepër vonë.