Po, është e vërtetë ” Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm.” Besoj se ti e kupton se çfarë ka dashur të thotë Perëndia me këto fjalë. Fundja fare, edhe ti mund të kesh pasur momentet e tua të vetmisë dhe të izolimit edhe pse ke qenë rrethuar me njerëz.
Një grua e ve në kishën tonë, e cila humbi bashkëshortin e saj vite më parë, vazhdon ende të flasë për vetminë e saj, se sa e vetmuar ndihet tani pa të. Pavarësisht pjesëmarrjes së vazhdueshme në aktivitet e kishës, mbështetjes së fortë në besim dhe në një jetë të ngritur mbi lutjen, duket sikur për të vetëm perëndia nuk është mjaft.
A do të ishte e udhës që unë si pastor i saj ti thoja se nuk duhet të ndihet e vetmuar sepse Perëndia është me të? Nuk mendoj kështu. Po ne kemi nevojë për Perëndinë në jetën tonë, së pari dhe mbi gjithçka tjetër në jetë, por kemi nevojë edhe për më shumë.
Unë nuk mendoj se përvoja e kësaj vejushe është unike.
Shumë prej nesh ndihen të vetmuar, ndonjëherë edhe kur rrethohemi me mirësinë e Perëndisë ne ndihemi të vetmuar.
Ndoshta edhe ti ndihesh kështu, ndoshta ti e di se dikush është i vetmuar. Në njëfarë mënyre, ne kemi nevojë për diçka tjetër veç Perëndisë në jetën tonë.
Ne kemi nevojë për diçka tjetër veç kafshëve.
Ndoshta ti nuk je dakord për këtë, sepse për shumë prej nesh kafshët shtëpiake janë “miqtë më të mirë.”
Ne jemi të gatshëm të paguajmë shumë të mëdha parash për kujdesin, ushqyerjen dhe argëtimin e kafshëve tona.
Nga përvoja ime mund të them, se një prej pyetjeve më të zakonshme që fëmijët më bëjnë për qiellin është: “a do të ketë kafshë në qiell? ” (qesh këtu pastor) Po ne i duam shumë kafshët shtëpiake?
Po edhe pse njeriu është i rrethuar me kafshët, shkrimet thonë, “nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm.”
Në çfarë përfundimi dalim këtu? Si fillim duhet të pranojmë dhe të marrim parasysh se edhe pse njeriu ka Perëndinë në jetën e vet, po kështu edhe kafshët, kaq nuk mjafton.
Ne duam më shumë. Nuk është mirë për mua të qëndroj vetëm, thjesht me Perëndinë dhe me kafshët.
Ne kemi nevojë për më tepër. Sikurse e thotë edhe një thënie vjetër: “Asnjeri nuk është ishull i vetmuar.”
Disa nga ju mund të kenë parë filmin me titull “I braktisuri”. (Castaëay)
Në këtë film Tom Henks (Tom Hanks) luan rolin e punonjësit të koorporatës Fedeks (FedEx ) dhe ka emrin çak.
Avioni i i Çakut, Federëll Ekspres( Federal Express) rrëzohet dhe bie në një ishull të pabanuar të Paqësorit.
Shumë shpejt ai zbulon se është krejt i vetmuar në atë ishull. Aty nuk ka asnjë njeri për shoqëri. Dallgët nxjerrin pilotin e avionit në breg, por ai ka vdekur tashmë dhe Çaku e varros.
Çakut tani i kanë mbetur vetëm pakot e lagura pas rrëzimit të avionit. Me shumë kujdes ai i mbledh ato në një vend. Më vonë kur kupton se ai mund të jetë në atë ishull për një kohë të gjatë, fillon t’i hapë, pakot. Aty gjen vogëlsira.
Në një çast inati ai shkelmon një top të markës Uillson drejt bregut. Ai është vetëm fare, kush do të luajë me të? Ai është i braktisur, është vetëm. Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm.
Pasi kanë thënë këtë, se nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm, shkrimet vazhdojnë me eksplorimin e asaj që ka nevojë njeriu.
Njeriu ka nevojë për një ndihmë të përshtatshme për veten.
Ne qeniet njerëzore kemi nevojë për një ndihmë të përshtatshme.
Në shkrimet kjo fjalë hebrease është përkthyer “ndihmuesi” dhe në Bibël shpesh është përdorur për Perëndinë. Psalmisti thotë se Perëndia është ndihmuesi im.
Por Perëndia në një farë mënyre nuk është (në thonjëza) “i përshtatshëm” për ne. Fundja, Perëndia është Perëndi ndërsa ne nuk jemi. Perëndia është Krijuesi ndërsa ne jemi krijesa.
Perëndia është plotësisht ndryshe. Cilado qoftë marrëdhënia jonë me Perëndinë, qoftë kjo një marrëdhënie e ngushtë, apo një marrëdhënie personale, njëlloj si ajo që njeriu i parë kishte në fillim me Perëndinë, përsëri mbetet një marrëdhënie e pabarabartë midis Perëndisë sovran dhe të plotfuqishëm dhe krijesave të thjeshta.
Ne nuk jemi të barabartë me Perëndinë. Nuk mund të zhvillojmë marrëdhënie nw të njëjtin nivel me të.
Pra edhe pse Perëndia është ndihmuesi ynë në këtë aspekt Ai nuk është i përshtatshëm.
Një ndihmues i përshtatshëm, një marrëdhënie e përshtatshme, duhet të zhvillohet në një nivel të barabartë, pra me një qenie njerëzore.
Po kështu edhe kafshët nuk janë të përshtatshme, njëlloj si në rastin me Perëndinë.
Perëndia nuk është i përshtatshëm sepse ai është lartësuar mbi ne, shumë lart nesh; nga ana tjetër kafshët janë nën ne, të sunduara nga ne.
Kafshët nuk janë krijuar në imazhin apo në ngjashmërinë e Perëndisë. Ato nuk kanë dominim mbi tokën.
Ne mund të kemi miqësi të mirë me kafshët. Dhe mund të zhvillojmë raporte shumë të mira me to. Por kafshët nuk janë të barabarta me ne. Ne duhet të kujdesemi për ta, ti mbrojmë ata, por ata nuk janë një ndihmë e përshtatshme për ne. Ne kemi nevojë për më shumë.
As Perëndia dhe as kafshët nuk janë ndihmuesi e përshtatshëm që shkrimet tregojnë.
Në fakt ndihma që bëhet fjalë aty i referohet një partneri të barabartë, që do të jetë pjesë e jetës dhe e punës sonë.
Por këta partnerë të barabartë nuk janë gjithmonë të lehtë për tu gjetur. Në shkrimet Adami dhe Perëndia panë rrotull gjithë kafshët, emrat e të cilëve i vendosi Adami, por nuk u gjet asnjë ndihmë e përshtatshme për Adamin.
Si të gjesh një ndihmë të përshtatshme?
Çfarë bëjmë kur ndihemi vetëm, kur na mungon intimiteti në jetën tonë dhe në marrëdhëniet tona? Shumë prej nesh veprojnë si Çaku, personazhi i filmit “I braktisuri”, që ndodhej në një ishull të braktisur.
Ju kujtohet topi i volejbollit që Çaku hedh tutje si të pavlerë?
Për çudi, ai top bëhet miku më i mirë i Çakut në atë ishull.
Kjo ndodhi rastësisht. Çaku mundohet që të fërkojë fort një dru palme me pëllëmbët e duarve të tij të papunuara, për të ndezur një zjarr, por nuk arrin dot ta ndezë dhe në inat e sipër merr topin e volejbollit dhe e gjuan me këmbë.
Njollat e dorës së gjakosur, lënë mbi top formën e diçkaje, që me pak imagjinatë mund ta quajmë ‘një fytyrë mbi top’.
Çaku e vështron topin dhe fillon të përfytyrojë një fytyrë.
Ai nis punën për vizatimin e syve, bën pikërisht një hundë dhe një gojë me gjakun e vet. Pastaj ai e vendos topin mbi një trung të vjetër dhe e quan atë “Uillson.”
Përgjatë gjithë kohës që qëndron në ishull, ky top, Uillsoni, është shoku i tij më i ngushtë.
Intimiteti, si mund të krijojmë intimitet?
Në përgjithësi prirja jonë e parë është që të shkojmë aty ku mendojmë se mund ta gjejmë.
Ne kemi uri për intimitetin; kemi etje për të.
Dhe kur je i uritur dhe i etur, je gati të pish dhe të hash gjithçka që të del përpara. Po kështu është edhe me intimitetin në racën njerëzore. Ne jemi të prirur të pranojmë gjithçka. Ne kemi dëshirë të shohim pamje pornografike në kompjuterin tonë, ne dëshirojmë burrin e një gruaje tjetër.
Ne flasim për lulet apo kafshët shtëpiake, ndërkohë që nuk dimë as emrat e fqinjëve tanë. Intimiteti është iluziv. Ne shpesh mundohemi ta krijojmë, por shpesh e humbasim.
Pra nga vjen intimiteti?
Mendoje edhe njëherë pjesën e shkrimeve. Njeriu është krejt pasiv ndërkohë që intimiteti është duke u krijuar për të. A e kishe vënë re këtë ndonjëherë? Në këtë tekst është Perëndia, Ai që ndërmerr të gjitha veprimet. Është Perëndia që flet duke thënë: “nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm.” Ky është vëzhgimi i Perëndisë, dhe jo i njeriut. Perëndia thotë: “Unë do të bëj një ndihmë të përshtatshme për të.” Kështu njeriu mbetet i heshtur. Perëndia është duke kryer gjithçka në këtë fazë.
Perëndia bën që njeriu të bjerë në gjumë; Perëndia merr një brinjë nga burri dhe formon me të gruan. Perëndia po merret me krijimin në këtë tekst. Më në fund, është Perëndia ai që sjell gruan para burrit dhe, e prezanton atë përpara tij.
Burri, ndërkohë është plotësisht i heshtur. Ai nuk thotë asgjë gjatë këtij procesi krijues. Po kështu do të vini re se siç ndodh përgjithësisht se pikërisht atëherë kur duhet bërë një punë, njeriu fle gjumë.
Njeriu është në gjumë përgjatë gjithë procesit krijues. Që të mos mendojmë se Adami ka gisht në krijimin e partnerit intim, Perëndia bën që ai të flejë gjumë gjatë gjithë veprimtarisë.
Në fund shohim se njeriu nuk merr iniciativën për të shkuar tek gruaja, përkundrazi, ai thjesht zgjohet dhe merr dhuratën e Perëndisë.
Ne gjejmë këtu parimin bazë të dhuratës së intimitetit, pikërisht veprën krijuese të Perëndisë dhe në pranimin e dhuratës së Perëndisë.
Pra, Është detyra e Perëndisë të krijojë ndërsa detyra jonë është të përgjigjemi. Perëndia është krijuesi dhe ne jemi krijesat e tij. Perëndia jep, ne marrim.
E njëjta gjë është edhe me dhuratën e intimitetit. Perëndia krijon qenie njerëzore që na rrethojnë, e na jep mundësinë për të krijuar marrëdhënie intime njerëzore.
Perëndia na i jep kolegët dhe miqtë, partnerin, fëmijët, prindërit, motrat dhe vëllezërit, gjyshërit, dajat tezet, hallat.
Perëndia na dhuron njëri tjetrin dhe potencialin për marrëdhënie shumë të mira intime me të tjerët. Kjo është detyra e tij. Detyra jonë është të pranojmë dhuratën e mirë të intimitetit. Këtu minutave tona i ka ardhur fundi. Por mos harroni se do ta vazhdojmë herën e ardhshme për të mësuar më shumë si të krijojmë sërish intimitet pas humbjes së marrëdhënieve të mëparshme. Deri atëherë Zoti ju bekoftë dhe mirë u dëgjofshim.