STUHITË NË DET
Ne kemi folur rreth dyshimit dhe faktit se dyshimi mund të prekë çdo njeri, madje edhe ata që e njihnin Jezusin shumë mirë, dhe ishin në qendër të rrethit të parë të dishepujve të Tij. Hidhi një sy kësaj historie, e gjen te Mateu kapitulli 14.
Jezusi ka kaluar një ditë shumë të lodhshme duke ushqyer një turmë prej pesë mijë vetë. Shumë pranë Tij, Jezusi dërgon dishepujt e Tij përgjatë detit të Galilesë që të mund të kalojnë pak kohë vetëm me Atin e Tij.
Siç e shikoni, Jezusi jo vetëm që kalon kohë në lutje PARA se tu shërbejë, por edhe PASI u ka shërbyer.
Dhe ndërkohë që Jezusit iu desh që të ngjitej në mal, të kalonte kohë me Atin e tij, dhe të zbriste në breg, një stuhi e fuqishme kishte pushtuar ujërat.
Kjo ishte diçka shumë e zakonshme. Deti i Galilesë, ishte rrethuar me maja të larta dhe erërat mund të zbrisnin përmes qafave të malit dhe të godisnin liqenin me një shtrëngatë të madhe, ashtu siç po ndodhte këtë natë.
Era kishte filluar dhe, dishepujt ishin në varkën e tyre të vogël. Po lëkundeshin fort atje jashtë mbi ujëra.
Po është e lehtë të mendojmë se dallgët dhe stuhitë po terrorizonin ekuipazhin e Jezusit. Por midis dishepujve kishte edhe peshkatarë, të cilët ishin mjeshtër me vozitjen. Ky nuk ishte një udhëtim i këndshëm atje jashtë në liqen. Por as nuk duhet të mendojmë se këta dishepuj do të fundoseshin në thellësi të detit.
Jo, gjëja e parë e tmerrshme që duhet të përmendim në këtë histori nuk ka lidhje me dallgët dhe stuhitë. Por ka lidhje me Jezusin. Këta dishepuj vështruan në errësirën përreth dhe panë hijen e dikujt që po lëvizte përmes dallgëve. Ata arrijnë të shikojnë një rrobë të bardhë që valëvitet mbi ujëra. Dhe menjëherë i kapi paniku. Dishepujt mendojnë se po shikojnë një shpirt që fluturon përgjatë detit, ndoshta një fantazmë që i paraprin shkatërrimit të tyre përfundimtar. Dhe ata terrorizohen fare.
Unë e kuptoj frikën e tyre para diçkaje të panjohur. Por teksa Jezusi qartësohet mes dallgëve, unë dua të sugjeroj se këtu Bibla dëshiron të na mësojë diçka tjetër. Fakti i thjeshtë që Jezusi vjen përmes ujërave më sjell ndërmend Psalmin 77: 19. ” Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën.” Dishepujt shikojnë një pamje që dëshmon praninë e Perëndisë mbi ujëra dhe i kap frika deri në palcë.
A je i çuditur? A është realisht shenja e ardhjes së Perëndisë që i bën dishepujt të frikësohen vërtetë?
A ka kuptim kjo? Po unë mendoj se po. Kur lexon Shkrimet, thjesht shikon se çfarë ndodh kur Perëndia afrohet. Ose kur një engjëll shfaqet duke shpallur Fjalën e Perëndisë. Perëndisë i duhet që t’i thotë vazhdimisht njerëzve të terrorizuar: Mos kini frikë.
Krishti po i afrohet njerëzve të tij. Dhe kur dishepujt kuptojnë se është Jezusi, atje historia bëhet edhe më interesante. Sepse pikërisht atëherë Pjetri kupton se Krishti është i pranishëm atje jashtë me të, në mes të ujërave. Atje ai frymëzohet të bëjë diçka që e fut atë në një rrezik të VËRTETË. Po, shqetësimi i vërtetë i Pjetrit fillon kur ai thotë: “Zot, nëse je me të vërtetë ti, më urdhëro të vij mbi ujëra.”
Dëgjo edhe njëherë:Pjetri së shpejti do ta gjejë veten në krizën e dyshimit. Por ky dyshim fillon me një akt besimi. Dhe kjo tregon diçka të rëndësishme që duhet të dimë për dyshimin. Kjo tregon se dyshimi është parazit. Dyshimi ka këtë gjë: ai dëshiron të jetojë në kurriz të besimit. Dyshimi gjithmonë dëshiron të hipë mbi besimin.
Një miku im që jeton pranë Liqeneve të Mëdha në Amerikë më tregoi për një lloj të veçantë peshku. Peshku quhet ndryshe peshku parazit, apo peshku ngatërrestar. Ai afrohet pa u vënë re dhe i fut dhëmbët një salmoni apo trofte liqeni dhe i merr jetën presë.
Gjithsesi kështu është edhe dyshimi. Dyshimi është gjithmonë në kërkim të besimit. Dyshimi vjen dhe i ngul dhëmbët besimit. Dyshimi energjinë e merr duke sulmuar besimin. Por kjo do të thotë se pa besim, dyshimi nuk mund të ekzistojë.
Ju e dini se dyshimi nuk është i barabartë me mosbesimin.
Përgjatë viteve, njerëzit kanë ardhur për tu këshilluar me mua dhe më kanë thënë: “Unë përballem me dyshime në besimin tim, unë ndoshta nuk jam besimtar.” Pasi i kam dëgjuar i kam thënë se e kanë gabim. Një dyshues nuk është ateist. Dyshimi nuk barazohet me mosbesimin.
Fakti është se sulmi i madh dyshues i Pjetrit ndodh si rrjedhojë e një akti të madh mosbindjeje. Fundja fare, askush nuk po del nga varka për të shkuar pas Jezusit.
Nëse është një person që po e jeton besimin e tij vërtetë, ky është Pjetri. Nëse ka një njeri të gatshëm që të jetë jo vetëm dëgjues por një bërës i Fjalës së Perëndisë, ky është Pjetri. Jezusi tha se ai që beson do të bëjë gjëra të mëdha dhe, Pjetri po bën me të vërtetë gjëra të mëdha! Ai po jeton mrekullinë e tij personale. Ai po kalon mes dallgëve për tu takuar me Jezusin.
Disa prej të krishterëve të bindur dhe sakrifikues që kam takuar ende ndeshen me pasiguritë e tyre rreth besimit. Dhe përse? Për një arsye, natyra guximtare e bindjes së tyre i çuan të rrezikonin shumë për hir të Mbretërisë. Ata e kanë dorëzuar veten plotësisht në duart e Perëndisë. Ata po bëjnë gjëra, që nuk mund të bëhen me forcën e tyre. A është çudi që në çaste si këto, ata fillojnë të pyesin veten nëse kjo lloj bindjeje është e mundur edhe për njerëzit e thjeshtë?
Kjo gjë në fakt po i shkon nëpër mend Pjetrit. Teksa Pjetri ecën mbi dallgë, ai kupton madhështinë e asaj që po bënte. Ai po ec mbi ujëra njëlloj sikur të kalonte një cekëtinë uji. Pjetri e humb fokusin e tij te Krishti. Dhe kur e humb gjithçka ka marrë fund. Kjo ngjan pak a shumë me një organist që po luan një muzikë të ndërlikuar të Bahut, ndërkohë që gishtërinjtë fluturojnë mbi tastierë, papritur ai ndalon sepse në mendjen e tij vjen mendimi: si ka mundësi që ato shenjat e vogla mbi pentagram kthehen në muzikë. Dhe pasi ai mendon se kjo gjë është e pamundur, fillojnë telashet.
Ky pra është Pjetri. Ai shikon atë që po bën dhe është shumë, po shumë e madhe. Dhe menjëherë ai zbret poshtë dhe uji i shkon deri në grykë.
Shumë prej nesh kanë qenë në situatën e Pjetrit. Ne marrim mbi vete aktin e bindjes. Ne vendosim se do të ndjekim Jezusin dhe pasi kemi dalë mbi ujëra, e pyesim veten: “Po unë ç’dua këtu?”.
Ne MENDUAM se e dinim se çfarë dëshironte Jezusi prej nesh. Ne MENDUAM se e kishim kuptuar si duhet. Por tani qe po shërbejmë me te vërtetë, po bindemi me të vërtetë, çfarë nuk do të jepnim për tu kthyer mbrapsht! Vetëm për tu kthyer mbrapa do të duhej po aq mundim sa duhet për të vazhduar para. Dhe papritur ne fillojmë të ndiejmë ujin që na lag shputat, më pas pulpat, gjunjët. Dhe ne shkojmë poshtë. Çfarë ndodhi që shkuam kaq poshtë? Çfarë t’i shtojmë besimit për të qëndruar të fortë? Si të largojmë dyshimet tona?
Për të gjitha këto pyetje, miq të dashur për arsye kohe do të flasim herën e ardhshme. Deri atëherë besoni se Jezusi është me ju gjithmonë edhe në mes të stuhisë.