Fillojmë pa humbur kohë. Përmes profetit Isaia, që shkroi rreth 700 vite para lindjes së Jezusit, Perëndia jo vetëm që parashikoi se një foshnjë do të lindte prej së virgjërës dhe do të ishte Perëndia me ne, (7:14), por profeti parashikoi gjithashtu se me ardhjen e Mesias, do të hapeshin sytë e të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjonin dhe të çalët do të kërcenin prej gëzimit (35:5). Madje edhe njerëzit më skeptikë, të cilët e njihnin Jezusin nuk mund të mohonin se Ai i kishte aftësuar të verbrit të shikonin dhe të shurdhrit të dëgjonin. Askush nuk mund të mohonte se Jezusi e bëri të paralizuarin të ecte, të kërcente e lavdëronte Perëndinë. Madje edhe armiqtë më të këqij të Jezusit duhet ta pranonin se Ai po bënte gjëra të mrekullueshme. Këto mrekulli ishin jo vetëm çudira që i habitën njerëzit; por ishin shenja që Jezusi ishte personi që kishin parashikuar profetët.
Kur Gjon pagëzori, miku i Jezusit ishte në burg, Ai i dërgoi një mesazh Jezusit ku e pyeste: “A je ti Ai që duhet të vijë apo duhet të presim dikë tjetër?”
Përgjigja e Jezusit ishte e thjeshtë. Ai u përgjigj ” Të verbrit po shohin, të çalët po ecin, lebrozët janë pastruar dhe të shurdhrit po dëgjojnë; të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u predikohet të varfërve.” (Mateu 11:3-5) Këto gjëra tregojnë se po, Jezusi ishte ai që pritej, Jezusi, ishte Mesia i premtuar dhe përgjigja është jo për disa njerëz që nuk mund të shikonin mrekullitë që Jezusi po bënte, të cilat ishin parashikuar në Dhjatën e Vjetër. Shumë prej njerëzve të zakonshëm, që kujtuan këto parashikime dhe panë Jezusin në veprim, i besuan atij. Ata thanë, “Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?” (Gjoni 7:31)
(Ne po shohim profecitë e Dhjatës së Vjetër që ishin bërë shumë shekuj para Krishtit dhe u përmbushën në Jezusin. Ka kaq shumë sa që nuk mund t’i përfshij të gjitha në një program në radio. Megjithatë vazhdoni të na ndiqni, menjëherë pas muzikës, me parashikime për javën e fundit të jetës së Jezusit.
Parashikime të javës së fundit të Jezusit
Deri tani kemi sjellë shembuj të profecive që u përmbushën në lindjen dhe shërbesën e Jezusit. Tani le të shohim më nga afër javën kur Jezusi vdiq, për të parë parashikimet e detajuara.
Ishte java e festës së madhe të Pashkës, një kohë kur turma të mëdha njerëzish mblidheshin së bashku në Jeruzalem. ” Të nesërmen, një turmë e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezusi po vinte në Jeruzalem, mori degë palmash dhe i doli para, duke brohoritur:“Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!”. Dhe Jezusi gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar”(Gjoni 12:12-14). Ai u drejtua për në Jeruzalem mbi një gomar, rrethuar prej turmave të gëzuara.
Kjo ishte parashikuar kohë më parë në Dhjatën e Vjetër. 800 vite më parë, Psalmi 118 kishte thënë: ” I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit… dhe me degë nëpër duar, bashkojuni turmës festive” (Psalmi 118:26-27). Më shumë se 500 vite më parë, profeti Zakaria kishte shkruar, “Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jeruzalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri.” (Zakaria 9:9) Kur Jezusi hipi mbi një gomar të ri dhe u nis për në Jeruzalem i përshëndetur nga turmat me degë palmash, tregoi se Ai ishte personi që kishin parashikuar profetët.
Por këto profeci përmendnin shumë në tepër se ecjen mbi gomar apo mbi degët e palmave. Zakaria kishte vazhduar duke thënë “Sa për ty, për shkak të gjakut të besëlidhjes sime me ty, i çlirova robërit e tu nga gropa pa ujë.” (9:11) Mbreti mbi gomar do të sillte lirinë bazuar te gjaku. Ai do të ishte i butë, pra nuk do të derdhte gjakun e të tjerëve. Por nëse nuk do të ishte gjaku i tyre, gjaku i kujt do të derdhej atëherë? Gjaku i tij! Sipas Zakarias, mbreti mbi gomar, do t’i shpëtonte të tjerët përmes gjakut të Tij.
Para se të shkonte drejt vdekjes Jezusi bëri shumë gjëra të tjera që përmbushën profecinë e Dhjatës së Vjetër. Pasi shkoi në Jeruzalem, Jezusi shkoi në tempull. Tempulli supozohej se kishte një oborr me johebrenjtë, ku njerëz nga çdo komb mund të mblidheshin për të adhuruar Perëndinë e Izraelit. Por drejtuesit fetarë i urrenin të panjohurit dhe ata ishin lakmues për para, kështu që e kthyen këtë vend adhurimi në një treg për këmbimin e monedhave si edhe për shitjen e kafshëve. Kur Jezusi e pa këtë, Ai u zemërua në tempull, bëri një kamxhik dhe pastroi tempullin prej gjithë tregtarëve dhe këmbyesve të parave.
450 vite më parë, profeti Malakia kishte shkruar: ” Po kush do të mund të durojë ditën e ardhjes së tij… Kush do të mund të qëndrojë më këmbë ditën kur ai do të shfaqet? Ai është si zjarri i shkrirësit, si soda e larësve.” (Malakia 3:1-2) Kur Zoti Jezus hyri në tempull dhe e pastroi atë, ai po përmbushte atë profeci.
Teksa po flakte përtokë paratë e tregtarëve, Jezusi tha “‘ Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje, por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh’”. (Mateu 21:13) Më shumë se 700 vite më parë, Perëndia kishte thënë përmes profetit Isaia: “Shtëpia ime do të jetë një shtëpi lutjeje për të gjithë kombet.” Kur Jezusi largoi tregtarët nga oborri i johebrenjëve, Ai tregoi se është personi që pastron rrugën për lutjen e vërtetë dhe hap rrugën që njerëzit nga çdo komb dhe racë të kenë hyrje të lirë te Perëndia, sikurse kishte premtuar Isaia.
Kur Jezusi tha se drejtuesit fetarë e kishin bërë tempullin e tij “një shpellë kusarësh” Ai po citonte profetin Jeremia (7:11). Ky profet prej gjashtë shekujsh më parë kishte folur për “një shpellë kusarësh” në një profeci rreth tempullit. Njerëzit në kohën e Jeremias po e trajtonin tempullin si një hajmali, për fat të mirë që do t’i mbronte ata pavarësisht se çfarë bënin edhe sikur të mos kishin një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë. Por përmes Jeremias Perëndia tha se meqenëse e kishin bërë tempullin e Perëndisë një shpellë kusarësh, tempulli nuk do t’i bënte asnjë të mirë. Perëndia do ta shkatërronte tempullin e tij dhe, do të ndëshkonte tempullin. Pak pas profecisë së Jeremias, ushtarët e Babilonisë erdhën dhe e kthyen tempullin në një pirg rrënojash.
Më vonë, tempulli u rindërtua, por në kohën e Jezusit ai u korruptua sërish. Kështu Jezusi citoi nga Jeremia dhe e quajti tempullin një shpellë kusarësh. Jezusi mori kështu edhe një herë profecinë e Jeremias për shkatërrimin dhe e përshtati me situatën. Jezusi deklaroi që tempulli shumë shpejt do të shkatërrohej. (Mateu 24:2) Dhe më pak se dyzetë vite më vonë, Fjalët e Jezusit u përmbushën. Lexo librat e historisë dhe do ta konfirmosh këtë. Ndodhi me të vërtetë. Ushtritë romake nën drejtimin e perandor Titit, shkatërruan tempullin dhe, sot e kësaj dite ai nuk është rindërtuar më.
Pasi Jezusi pastroi tempullin, armiqtë e Tij vendosën se ishte koha ta hiqnin qafe atë. Gjatë procesit, u plotësuan shumë parashikime të Dhjatës së Vjetër. Drejtuesit fetarë, paguan Judën, një anëtar të rrethit të brendshëm të Jezusit, për ta tradhtuar atë. Kjo përmbushi psalmin 41:9, shkruar mijëra vite më parë, i cili shkruan:”Madje edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim dhe që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij.” Kur Jezusi, u arrestua, dishepujt e tij ia mbathën të gjithë, ashtu siç e kishte thënë Jezusi, si edhe profeti Zakaria vite më parë ” Godite bariun dhe delet le të shpërndahen.” (13:7)
Jezusi u kap, iu bë një gjyq i shtirur dhe, më pas u dënua. Armiqtë e tij e rrahën, e tallën, dhe e pështynë. Isaia e kishte parathënë këtë kohë më parë: ” I paraqita kurrizin tim atij që më rrihte dhe faqet e mia atij që më shkulte mjekrën; nuk ia fsheha fytyrën time poshtërimit dhe të pështyrave. (50:6)
Por historia e Tij nuk mbaron me kaq. Pas rrahjes, talljes dhe poshtërimit, vjen diçka më e madhe. Për më këtë na ndiqni herën e ardhshme. Do të fokusohemi te parashikime të tjera për Jezusin, rreth vdekjes dhe ringjalljes së Tij, të cilat konfirmojnë atë që Bibla ka parathënë shekuj më parë për Të. Mos harroni të na shkruani nëse keni pyetje për temën tonë, pse t’i besojmë Jezusit!