Parashikime të vërteta

Print

Titulli: Parashikime të vërteta (pjesa 1)

Krishterimi nuk është e vetmja fe përreth, Bibla nuk është i vetmi libër në botë dhe, Jezusi nuk është i vetmi drejtues që tërheq ndjekës pas vetes.

Pra, pse të zgjedhësh të jesh i krishterë kur mund të jesh një besimtar hindu, budist apo dikush tjetër? Pse ta besojmë Biblën si librin më të rëndësishëm kur edhe besimet e tjera kanë librat e tyre; myslimanët kuranin, besimtarët hindu kanë Bagavad-Gitën dhe drejtuesit e tjerë kanë librat e tyre që i quajnë të shenjtë. Pse t’i besojmë Jezusit si e vetmja lidhje mes Perëndisë dhe njerëzimit, kur kaq shumë njerëz besojnë te Konfuci, apo Gau-tama, Buda apo dikush tjetër?

Me kaq shumë fe sa ka në botë, mund të duket e pamundur të vendosim se cila fe ka të drejtë. Ndonjëherë tundohesh që të thuash: “Shiko, ti beso çfarë të duash dhe unë do të besoj çfarë të dua, kaq, pikë, mos ta diskutojmë më.” Kjo mund të na ndihmojë të shmangim diskutimet dhe konfliktet, por nuk do të na ndihmojë aspak t’i afrohemi së vërtetës. Nëse duam që besimi ynë të mos mbetet diçka që thjesht e dëshirojmë në mendjen tonë, atëherë nuk mund të besojmë çfarëdo lloj gjëje. Ne duhet të besojmë atë që është e vërtetë.

Do të flas hapur me ty: Nëse krishterimi nuk është i vërtetë, atëherë unë nuk dua të jem i krishterë. Nëse Bibla nuk është Fjala e Perëndisë atëherë unë nuk dua ta besoj. Nëse Jezusi nuk është Perëndia që vjen tek ne si një njeri, atëherë unë nuk dua t’i besoj, as ta ndjek Atë.

Nga ana tjetër, nëse Krishterimi është i vërtetë, atëherë unë nuk jam i vetmi person që duhet të jetë i krishterë. Edhe ti duhet të jesh i krishterë. Nëse Bibla është Fjala e Perëndisë, atëherë unë nuk duhet të jem i vetmi që duhet ta besojë atë. Edhe ti duhet ta besosh atë. Nëse Jezusi është Perëndia me ne dhe Shpëtimtari i botës, atëherë un nuk jam i vetmi që duhet ta ndjekë atë.  Edhe ti duhet ta ndjekësh atë.

Së pari, duhet të shqyrtojmë nëse ka diçka që e veçon Biblën nga librat e tjerë dhe nëse ka diçka që e ndan Jezusin prej drejtuesve të tjerë fetarë. Të krishterët besojnë se Bibla është Fjala e shkruar e Perëndisë, plotësisht e besueshme dhe pa gabime në atë që zbulon. Por pse t’i besojmë Biblës dhe të mos i besojmë një libri tjetër të shenjtë? Të krishterët besojnë se Jezusi është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i gjithë atyre që besojnë në Të. Por pse t’i besojmë Jezusit dhe jo një drejtuesi tjetër fetar?

Profecitë lidhur me personin

Ka një sërë mënyrash për t’ju qasur profecive për Jezusin. Ne mund të eksplorojmë arkeologjinë dhe dorëshkrimet e ndryshme, që tregojnë saktësinë e Biblës. Ne mund të shqyrtojmë një sërë argumentesh logjikë dhe historikë që tregojnë se është racionale të besosh tek Jezus Krishti. Por në vend që të mundohemi të shohim një herë një rast për Biblën, e më pas një rast të tjetër për Jezusin, do të doja të fokusohesha njëkohësisht tek të dyja për të treguar se Bibla dhe Jezusi konfirmojnë njëri-tjetrin.

Si ta dimë se Jezusi është rruga? E dimë sepse Bibla thotë kështu. Por pse e besojmë ne atë që thotë Bibla? Sepse Jezusi e konfirmon atë që thotë Bibla.

Fillimisht kjo nuk mund të duket aspak ndihmuese dhe bindëse. A nuk është ky një rreth vicioz diskutimi? Ti mund të mendosh “Bibla dhe Jezusi nuk kanë lidhje. Ashtu mendon vërtetë?!

Sigurisht që libri i shenjtë përshtatet me themeluesin e Krishterimit. Libri i shenjtë i çdo feje paraqet idetë e themeluesit të tij, sigurisht që njeriu dhe mesazhi përputhen. Por sikur njeriu dhe libri që flet për të, ta kenë gabim që të dy?”

Në rastin e Biblës dhe Jezusit, ne nuk po flasim veç për një libër të shenjtë që ishte shkruar prej një drejtuesi fetar apo prej ndjekësve të Tij si pasojë e asaj që Ai mësoi. Siç e shikoni Bibla nuk është thjesht një libër; por një përmbledhje prej 66 librash. 27 prej këtyre librave, ato që përbëjnë Dhjatën e Re u shkruan pasi Jezusi eci në këtë tokë dhe, regjistroi ato që tregoi dhe bëri. Por 39 librat e tjerë të Biblës, që përbëjnë Dhjatën e Vjetër, u shkruan para se  Jezusi të vinte. Këto 39 libra, shkruar shekuj para Jezusit, shpesh folën për ngjarjet që do të ndodhnin në të ardhmen. Dhe këtu të habit fakti se ato parashikime u realizuan, po u realizuan në jetën e një personi të veçantë: Jezusit!

Pothuajse çdo njeri mund të shkruajë një libër dhe pothuajse çdo libër mund të regjistrojë gjëra që tashmë kanë ndodhur apo fjalë që janë folur. Por çfarë mund të themi për një libër që parashikoi disa ngjarje shekuj para se ato të ndodhnin? Unë jam dakord se një libër i tillë do të ishte mahnitës. Besoj se je dakord me mua se është me të vërtetë një person i mahnitshëm ai njeri tek i Cili janë përmbushur profecitë e lashta; ai njeri që janë bërë shkrime të ndryshme prej një numër të madh shkrimtarësh përgjatë shekujve të ndryshëm. Mirë atëherë, Jezusi është një person i mahnitshëm dhe Bibla është po ashtu një libër i mahnitshëm.

Parashikimet rreth lindjes dhe shërbesës

Librat e Dhjatës së Vjetër përmbajnë shumë parashikime për lindjen e një sunduesi dhe shpëtimtari të ardhshëm, të Cilin Perëndia e dërgoi për të mposhtur të keqen dhe për t’i dhënë njerëzve një jetë të re. Këto nuk ishin thjesht parashikime të kota. Disa detaje ishin shumë specifike. Për shembull profeti Mikea tha se ky sundues do të lindte në Bethlehem (5:2). Profeti Osea tha se Biri i Perëndisë u thirr nga Egjipti. (11:1) Profeti Isaia tha se një virgjëreshë do të lindte një bir (7:14) dhe, Isaia tha po ashtu se një dritë e madhe do të shkëlqente zonën e Galilesë pas lindjes së këtij fëmije special. (9:1-2)

Është parashikim tepër i madh të thuash se një virgjëreshë do të lindë një bir. Duket plotësisht kontradiktore që profetë të ndryshëm të parashikojnë që një fëmijë të lindë në Bethlehem, të dalë prej Egjiptit dhe të shkëlqejë në Galile. Bethlehemi dhe Galilea janë në dy skajet e kundërta të tokës së Izraelit dhe, Egjipti është një vend krejt tjetër. Si mund të përmbushen tek e njëjta foshnjë profecitë që i referoheshin Bethlehemit, Egjiptit dhe Galilesë? Duket e pamundur apo jo?

Po shekuj më vonë, një grua e re nga Nazareti në Galile ngeli shtatzënë pa pasur marrëdhënie me një burrë. Kjo grua, Maria i ishte premtuar Jozefit për grua. Në fillim Jozefi nuk mund të besonte se shtatzënia e Marisë ishte një mrekulli, por një engjëll e bindi atë.

Çifti jetonte në Nazaret, kështu që dukej qartë se foshnja do të lindte atje, jo në Bethlehem, që ishte larg në jug. Por më pas perandori romak, deklaroi që të bëhej censusi dhe i kërkoi njerëzve të regjistroheshin në vendin e paraardhësve të tyre. Jozefi dhe Maria duhet të shkonin në Bethlehem, sepse linja familjare e Jezusit i përkiste asaj të mbretit David dhe, Bethlehemi ishte qyteti i Davidit. Teksa ishin në Bethlehem për censusin, Maria lindi foshnjën, pikërisht në Bethlehem, atje ku e kishte parashikuar profeti Mikea.

Mbreti Herod, sunduesi i keq në atë zonë, dëgjoi se një foshnjë e veçantë kishte lindur dhe Herodi ndihej i kërcënuar. Ai urdhëroi që të vriteshin gjithë foshnjat në Bethlehem. Megjithatë para se urdhri të zbatohej, një engjëll e paralajmëroi Jozefin për planet e Herodit. Jozefi dhe Maria u larguan në Egjipt së bashku me foshnjën Jezus. Ndërsa më vonë, mbreti Herod vdiq dhe Jezusi doli prej Egjiptit me Marinë, sikurse e kishte profetizuar Osea.

Pasi la Egjiptin, familja u kthye në Izrael në qytetin e Nazaretit, në Galile, nga ku ishin nisur në fillim. Atje Jezusi u rrit dhe filloi shërbesën e tij, duke sjellë dritën e Perëndisë në zonën e Galilesë, siç e parashikoi profeti Isaia! Profecitë që dukeshin kontradiktore u realizuan në Krishtin fëmijë: Ai u ngjiz prej së virgjërës, lindi në Bethlehem, doli nga Egjipti dhe ishte drita e Perëndisë në Galile.

Këto ishin disa nga parashikimet e para që u përmbushën për lindjen e Jezusit. Kemi shumë të tjera që do t’i shohim në programin e herës së ardhshme. Mos harroni të na ndiqni në të njëjtën orë, do të jemi sërish së bashku, mirë u dëgjofshim.