E lamë herën e kaluar bisedën tonë tek përballja e Jezusit me saducejtë. Në bisedën e tyre shohim diçka pa vend, se si fuqia e Perëndisë keqkuptohet. Sigurisht që ajo është keqkuptuar prej saducejve. Ata nënvlerësuan fuqinë e Perëndisë për të ngritur njerëzit prej së vdekurish.
Lavdi Zotit, Perëndia është i gatshëm dhe në gjendje të transformojë, dhe të shërojë popullin e tij, qoftë prej gjendjes së keqe që ne e njohim si vdekje.
Por fuqia transformuese e Perëndisë nënvlerësohet ose përçmohet edhe nga ne sot.
Më lejo të shpjegohem më mirë.
Ne jemi njerëz me boshllëqe. Nuk e kam fjalën për shenjtërinë. Dua të them se kemi disa gjëra në natyrën tonë që janë bosh. Ndonjëherë i ngjajmë atij djathit me vrima. Këto vrima apo boshllëqe janë relative.
Ne mundohemi ti mbushim me miqësinë, me intimitetin dhe shoqërinë.
Ne jemi projektuar për dy nivele intimiteti.
Sërish, Hajbells, dhe shumë autorë të tjerë, kanë shkruar rreth këtyre karakteristikave që janë kaq të zakonshme për të gjithë njerëzimin.
Në nivelin njerëzor ne të gjithë jemi krijesa sociale.
Pra është njëlloj sikur të themi, ne dëshirojmë të njohim të tjerët dhe të njihemi prej tyre, të dashurojmë dhe të dashurohemi.
Tani është e qartë se të qenurit i thyer, i ndarë, apo jo i plotë na shtyn në një kërkim të etur për miqësi me të tjerët.
Por nevoja për tu ndier pranë të tjerëve që janë të ngjashëm me ne, nuk është pasojë e rënies në mëkat.
Mos harroni se edhe para se Eva dhe Adami të binin në mëkat, ata kishin nevojë për miqësinë e njëri tjetrit. Ju kujtoj Zanafillën kapitulli 2.
“… Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; por për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të. Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend. Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu.
Dhe njeriu tha: “Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim…
Dhe qysh atëherë, qeniet njerëzore, kanë kërkuar ngushëllim, shoqëri dhe afërsi që vjen me anë të marrëdhënieve.
Këto marrëdhënie mund të jenë të formave të ndryshme, duke filluar nga miqtë, kolegët në punë, e partnerët në martesë. Marrëdhëniet e mira kënaqin nevojat sociale që kemi.
Por ne kemi nevojë për më shumë. Ne të gjithë kemi nevojë për intimitet në një nivel hyjnor, ne duhet të përjetojmë miqësi të thellë me Perëndinë.
Sërish, mëkati solli thyerje në gjithë krijimin, përfshi këtu edhe marrëdhëniet tona, sidomos marrëdhënien tonë me Perëndinë.
Adami dhe Eva nuk mund të bisedonin më miqësisht me Perëndinë, nuk mund të ecnin më në kopsht as të qëndronin më aty.
Edhe pse ata ishin ndaluar të hynin në praninë e tij, nevoja për të qëndruar pranë tij, mbeti brenda tyre dhe ka mbetur brenda nesh, fëmijët e tyre.
Telashe të mëdha vijnë në çdo marrëdhënie nëse nuk jemi në dijeni të faktit se kemi nevojë për një miqësi hyjnore. Problemet vijnë pikërisht atëherë kur ne mendojmë se ky boshllëk brenda shpirtit tonë duhet të mbushet duke jetuar me një bashkëshort apo bashkëshorte, një fëmijë, një nip, apo një shok.
Ndoshta ne dëshirojmë që partneri apo miku ynë të jetë shëruesi, lumturia apo burimi dashurisë së vërtetë. Por vetëm Perëndia mund të jetë ai që plotëson të gjitha këto.
Këtë e thotë edhe Perëndia vetë.
Dëgjo me vëmendje këto premtime të Jezusit:
- Te Gjoni 10:10, Jezusi deklaroi, ” Por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk. “
- Te Mateu 11:28, Ai na ftoi, ” Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.”
- Te Gjoni 14:27, Ai i bekoi dishepujt duke thënë ” Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.”
Këto oferta mund t’i bëjë vetëm Perëndia, dhe vetëm Perëndia mund ti realizojë. Ai do ta bëjë këtë një ditë, ashtu si e premtoi Jezusi. Atëherë ne do të jemi si engjëjt, nuk do të kemi më nevojë për kaq intimitet në marrëdhëniet njerëzore. Por ndërkohë, ne do ti afrohemi të tjerëve për të plotësuar nevojat tona për shoqëri, dhe për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.
Gjithsesi, ne ngatërrojmë ndryshimin mes nevojës sonë për intimitet me njerëzit dhe, nevojës tjetër më të madhe për intimitet të ngushtë me Perëndinë. Kështu jo vetëm ne por edhe marrëdhëniet që kemi vihen në rrezik, veçanërisht martesa jonë vihet në rrezik.
Secili nga partnerët zhgënjehet keq nga tjetri.
Çfarë ndodh kur gjashtë muaj pas martese njëri nga partnerët zbulon se nevojat e tij apo të saj nuk po plotësohen? Nëse nuk tregohen të kujdesshëm, nëse nuk kuptojnë se çfarë po ndodh, ata mund të shkatërrojnë marrëdhënien e tyre duke vendosur shumë presion mbi tjetrin, në pritje që ky partner të plotësojë nevoja, të cilat vetëm Perëndia mund t’i plotësojë.
Sot shkalla e divorcit në botën perëndimore luhatet rreth pesëdhjetë përqindëshit. (50%)
Pesëdhjetë vite më parë, numri i divorceve ishte më i ulët.
Unë besoj se një prej arsyeve është se shoqëria jonë është larguar nga rrënjët e rëndësishme të familjes. Dhe kjo na ka bërë që të ngremë kërkesat tona ndaj partnerëve, të cilët nuk mund t’i plotësojnë dot ato. Dhe shumë shpesh, njerëzit largohen, shumë të zhgënjyer.
Kërkimi i plotësisë së vërtetë shpërblehet vetëm kur bashkohemi me Perëndinë, krijuesin tonë, Atin tonë qiellor. Ne jemi të bekuar që e njohim atë me anë të Frymës së Shenjtë.
Pra mësuam tashmë se pritjet realiste, janë pika thelbësore, për një martesë të qëndrueshme.
Kur ne e kërkojmë Perëndinë, dhe e lejojmë atë të jetë Perëndia i jetës sonë, kjo e lejon bashkëshortin apo bashkëshorten tonë të jenë njerëz.
Do të ishte shumë më mirë akoma nëse do ta jetonim jetën tonë, duke pranuar se Perëndia është në fronin e tij,
Kështu të dy partnerët janë të lirë prej kërkesave për të përmbushur role të pamundura. Në vend të saj janë të lirë t’i shërbejnë Perëndisë, njëri tjetrit dhe fqinjëve që Perëndia vendos në jetën e tyre.
Uenxhërin e quan fazën e tretë të një martese të suksesshme ‘pranimi’ Në të gjitha marrëdhëniet, sidomos në martesë përulësia vjen e para. Nëse është nevoja, shihu në pasqyrë. Nëse je irrituar me dobësitë e partnerit apo partneres kujto këtë! Ti vetë nuk je i përsosur! Dhe është gjë shumë e mirë që partneri yt nuk është i përsosur. Përndryshe, ai apo ajo nuk do të lidhej me një person të papërsosur si ty!
Pranimi i kufizimeve të tjetrit jo vetëm që e bën të lirë partnerin prej kërkesave të pamundura, por i jep secilit ne këmbim të saj liri.
Po, asnjeri nuk është i përsosur, ndaj le të ndihmojmë njëri tjetrin.
Le ta duam njëri tjetrin mjaftueshëm sa të jemi të përulur.
Le ta duam njëri tjetrin mjaftueshëm sa të ndihmojmë tjetrin, Le ta shikojmë atë si një person që ka nevojë për shërim, gëzim dhe dashuri pa kushte.
Në programet në vijim do të hedhim një sy më nga afër disa prej bekimeve dhe sfidave të martesës dhe marrëdhënieve të tjera në një lidhje, siç janë intimiteti, konflikti dhe falja.
Por tani le të ndalemi tek themeli i lidhjes. Vendos Perëndinë në vendin e parë.
Analizo zhgënjimet e tua nga të tjerët.
A janë realiste këto pritje që ke vendosur tek partneri apo të tjerët?
Nëse po kërkon perfeksionin, qëllimin, plotësinë tek njerëzit e tjerë, atëherë do të zhgënjehesh.
Nëse nuk je i lumtur nga martesa jote, atëherë para së gjithash analizo marrëdhënien tënde me Perëndinë.
Çfarë lutjesh i ofron ti në ditë si këto? A je plotësisht i sinqertë me të, duke i rrëfyer Zotit gëzimet më të mëdha apo dështimet më të mëdha. A i rrëfen atij mëkatin tënd, a e dorëzon tek ai zemërimin tënd, a i jep atij falënderime për gjithçka të mirë?
A kalon një kohë të caktuar gjatë ditës për ta njohur më mirë Perëndinë, me anë të leximit të fjalës apo kërkimit të gjurmëve të tij në bukurinë e krijimit?
Nëse nuk është kështu atëherë ti po kërkon me pa të drejtë plotësi nga partneri. Sepse atë plotësi vetëm Perëndia mund të ta japë.
Një ditë, Perëndia do të përfundojë bërjen e gjithçkaje nga e para, përfshi këtu edhe ne. Ndaj le të shikojmë tek Jezusi, buka e jetës, burimi i ujit të gjallë, për të plotësuar gjithë dëshirat tona, që i presim veç nga një marrëdhënie, nga marrëdhënia jonë me Jezusin.