Rregullim plastik i fytyrës pa kirurgji 2
Herën e kaluar thamë se një njeri që është i gëzuar i shkëlqejnë sytë, i qesh fytyra dhe nuk ka nevojë për asnjë rregullim tjetër në fytyrë veç gëzimit dhe buzëqeshjes. Por gëzimi nuk është diçka që e prodhon vetë. Gëzimi vjen teksa "merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit." Pra nëse dëshiron të kesh lumturinë e vërtetë brenda teje, shko te burimi i duhur. Pi ujin e duhur. Jezusi është burimi i gëzimit; Ai është burimi i shpëtimit. Fryma e Tij e shenjtë është burim jete, dashurie dhe gëzimi. Kur shkon te Jezusi dhe mbushesh me Frymën e Tij, Ai e kthen trishtimin në buzëqeshje, mërzinë në entuziazëm, fajin në falje, ankthin në paqe. Prandaj nëse nuk je ende një i krishterë dhe po kërkon gëzim, eja te Burimi i gëzimit. Eja te burimi i shpëtimit, Jezus Krishti. Ai vdiq dhe u ngrit sërish për tu sjellë gëzim mëkatarëve, për të sjellë lumturi në zemrat tona dhe buzëqeshje në fytyrat tona. Besoji Atij dhe prano Frymën e Tij të Shenjtë.
Dhe pasi t’i përkasësh Jezusit, gjej kënaqësi në gëzimin që vjen prej Tij. Ktheje jetën në një festë. "Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!" (Filipianëve 4:4) Mos lejo asgjë që të vjedhë gëzimin që të ka dhënë Zoti. Le të gurgullojë lirshëm dhe të tej mbushë jetën tende me një lumturi të shenjtë dhe të qeshura të shëndetshme.
Ndonjëherë, edhe sikur të jesh një i krishterë që hyn lirisht në burimin e shpëtimit, ti mund të jesh shumë i mërzitur, ndoshta më shumë se sa duhet. Nëse je i pavëmendshëm, përrenjtë e gëzimit mund të bllokohen. Mos lejo që kjo të ndodhë me ty. Bibla na tregon për burimin hyjnor të gëzimit dhe pasi kemi atë gëzim, Bibla na jep disa udhëzime konkrete se si të lejojmë përrenjtë e gëzimit të rrjedhin lirshëm dhe të mos i lemë ato të bllokohen. Le të shohim katër udhëzime kryesore biblike për një zemër të gëzuar dhe një fytyrë të qeshur. Por më parë le të ndalemi në një çast muzikor.
Numëro bekimet e tua
Udhëzim i parë është thjesht ky: Numëro bekimet e tua, mos u anko. A të ka rënë rasti të dëgjosh një atlet profesionist që ankohet se nuk paguhet mirë, ndonëse një atlet merr miliona, veç për një garë që bën? Qesharake apo jo? Por më qesharake është kur ankohet, murmurit, ngryset apo vrenjtet dikush që ka marrë pasuri të përjetshme në Krishtin. Një atlet milioner është shumë herë më i lumtur kur ndalon së ankuari për ato që nuk ka dhe fillon të numërojë dhe të gëzojë pasurinë që ka. Pra, e njëjta gjë vlen edhe për ty si i krishterë, do të ishe shumë më i lumtur nëse do të ndaloje së ankuari dhe do të numëroje bekimet e tua.
Sipas fjalëve të Biblës " Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.
Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,
shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;
ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja. " (Psalmi 103:2-5)
Nëse je i krishterë, por nuk je i lumtur në zemër, mos ke harruar diçka? Mos ke harruar bekimet në jetën tënde? Atëherë fillo numëroji bekimet.
Unë nuk po them se nëse je i krishterë, ti duhet të vendosësh një buzëqeshje falso njëzetë e katër orë non stop. Në kohë vështirësie dhe hidhërimi dhe në situata të tjera si këto, është normale që të qash. Bibla thotë se ka një kohë për të qarë. Por Bibla po ashtu thotë, në të njëjtin varg se ka edhe një kohë për të qeshur.(Predikuesit 3:4)
Pra nëse është koha për të qarë, atëherë vazhdo të qash. Por nëse është koha për të qeshur, atëherë qesh! Kur ke bërë diçka të mirë, shijoje! Mos gjej gjithmonë një arsye për tu ankuar. Edhe atëherë kur jeta është e vështirë dhe ti je duke qarë, edhe atëherë mos “harro të gjitha të mirat e tua”. Fokusohu në dashurinë e Perëndisë dhe çfarë Ai ka bërë për ty. Në rast se e bën këtë, mund të kesh gëzim në zemër madje edhe në mes të pikëllimit. Numëro bekimet e tua dhe jo vetëm ankimet. Ky ishte udhëzimi i parë. Tani do të ndalemi tek i dyti: lër veprimtaritë e padobishme. Le të dëgjojmë një sfond muzikor dhe kthehemi në studio.
Lër veprimtaritë e padobishme
Këshilla ime e dytë për të pasur një zemër të lumtur: Lëru veprimtaritë e padobishme atyre që kanë nge. Ti mund të fiksohesh pas suksesit, ti mund të punosh natë e ditë për të arritur qëllimet e tua, por çfarë vlere do të ketë? Bibla thotë " Çfarë i mbetet në të vërtetë njeriut për tërë mundin e tij dhe për shqetësimin e zemrës së tij, me të cilën është munduar nën diell? Tërë ditët e tij nuk janë veçse dhembje dhe puna e tij është e rëndë. Zemra e tij nuk pushon as natën. Edhe kjo është kotësi." (Predikuesit 2:22-23)
Me fjalë të tjera, çmimet e mëdha që duhet të paguash në veprimtaritë e padobishme janë ulcera dhe pagjumësia. Një këngë e vjetër e muzikës kauntri,e shpreh shumë bukur këtë: "Po të punosh pa pushim, do të bëhesh kockë e lëkurë!"
Në këtë lloj gare, jeta është veç punë dhe nuk ka lojë. Ti punon shumë tërë ditën dhe vazhdon të punosh edhe pas pune në shtëpi. Koha për familjen dhe argëtimin të duket humbje kohe. Në rast se merr disa ditë pushim, edhe ato i kalon duke bërë punë. Ti tërë kohën bën të njëjtat pyetje: "Çfarë plane kemi për sot? Sa shkoi ora? Sa kushton kjo?" Pushimet kështu nuk kthehen në një kohë çlodhjeje dhe rifreskimi; por në një kohë ku ti mundohesh të bësh sa më shumë gjëra që të mundesh! Ti duhet të vizitosh sa më shumë vende që të mundesh, të bësh sa më shumë gjëra që të mundesh, ti nuk çon dëm as edhe një minutë! Dhe kur kthehesh në shtëpi, mendon se të duhen disa ditë të tjera pushim për ta marrë veten nga lodhja e pushimeve.
Nëse je tepër i zënë për tu çlodhur, tepër i zënë për të qeshur, tepër i zënë për familjen dhe miqtë, tepër i zënë për të kaluar kohë me Perëndinë në adhurim dhe në lutje, atëherë je me të vërtetë SHUMË i zënë. Në rast se nuk dëshiron të pengosh burimin e gëzimit, nëse dëshiron të ruash lumturinë e zemrës, atëherë duhet të dish se çdo gjë e ka një masë. Në rast se po vrapon pas diçkaje të padobishme, ndalo! Pyete veten a ja vlen të vrapoj si miu pas djathit? Besoji Perëndisë. Shijo dhuratat e Tij. Dhe lërja veprimtaritë e padobishme, njerëzve të ngeshëm.
Boll u shfryve!
Ky është parimi i tretë që do të ndihmojë të lejosh që gëzimi të qëndrojë në jetën tënde; mos zbraz thesin e ankimeve! Bibla thotë" Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij." (Fjalët e Urta 14:29) Kur diçka nuk shkon mirë, ti priresh të humbasësh durimin dhe të shfrysh gjithçka që mban përbrenda, por ndonjëherë është më mirë që thjesht ta kalosh me humor atë situatë në vend që të shfryhesh dhe të prishësh gjithçka. Tani dua t’ju tregoj një histori shumë gazmore.
Një nënë e re e kishte lënë për të dalë me shoqet një pasdite. Ajo kishte pjekur disa biskota dhe i kishte lënë jashtë furre që të ftoheshin. Ashtu siç ishte me nxitim, rrëmbeu çantën me sendet e saj dhe doli. Djalin e vogël ia kishte lënë në ngarkim burrit. Kur u kthye në shtëpi, zbuloi një surprizë të madhe: djali kishte qenë duke ngrënë biskota tërë kohës. Dhe nuk kishte ngrënë një apo dy. Jo, ai si brejtës i vogël kishte kafshuar të paktën një herë çdo biskotë që ishte mbi tavolinë. Po burri ku ishte? E ku tjetër… duke fjetur në kolltukun e tij të rehatshëm!
Po të jesh ti në një situatë si kjo çfarë do të bësh? Besoj se duhet të bësh një zgjedhje: Ti ose mund të shfrysh nga inati dhe të fillosh të bërtasësh, ose thjesht të habitesh dhe të qeshësh. Disa gjëra që na inatosin, shumë kohë më vonë kthehen në histori qesharake, dhe ne qeshim me lot për to.
Situata si këto mund të kesh përjetuar plot edhe ti, ndoshta shtëpia të është përmbytur pasi ke lënë çezmën hapur apo ke harruar çelësin e makinës brenda në makinë dhe je munduar të gjesh një mënyrë si t’i marrësh,( kjo më ka ndodhur mua disa herë), e plot histori të tjera që mbushin bllokun e kujtimeve tona. Megjithatë ngelen pjesë e humorit në bisedat me miqtë apo shokët, që na bëjnë të qeshim me lot.
Por për më shumë rreth temës si të kemi një fytyrë të bukur pa kirurgji do të flasim herën e ardhshme. Deri atëherë mirë u dëgjofshim!