Politika për fillestarët 1
Ky njeri ishte fillestar në politikë. Babai dhe gjyshi i tij kishin qenë në qeverisje për dekada, por ky njeri nuk kishte qeverisur kurrë. Tani ai ishte një hap nga drejtimi i kombit. Ai zbuloi se nuk mund të humbiste. Atij po i ndodhnin shumë gjëra. Njerëzit e admironin familjen e tij, e vlerësonin rolin e familjes në ndërtimin e një kombi, dhe ishin të prirur të mendonin më të mirën për atë djalosh. Ai nuk e dinte se çfarë qëndrimi të mbante në këto çështje, por opinioni publik ishte pozitiv.
Megjithatë, para se të mbyllnin marrëveshjen dhe ta bënin atë kreun e qeverisë, njerëzit dëshironin të dinin se çfarë qëndrimi do të mbante ai. Atmosfera e vendit ishte në favor të një qeverie më të vogël. Administrata e mëparshme kishte qenë e mirë në shumë mënyra por kishte kërkesa të vështira mbi njerëzit. Ata po lodheshin me qeverinë e madhe. Ata donin heqje taksash dhe ndërhyrje sa më të vogël të qeverisë në punët e tyre. Si iu përgjigj ky politikan fillestar situatës së tyre? Ai u përgjigj duke bërë një nga gafat më të mëdha në historinë e politikës.
Njeriu për të cilin ju fola quhej Roboam. Roboami vinte nga një familje me drejtues të shkëlqyer. Babai i tij, mbreti Salomon dhe, gjyshi i tij, mbreti David, secili sundoi Izraelin për dyzetë vite me radhë, dhe ajo periudhë tetëdhjetë vjeçare ishte një kohë e artë për Izraelin. Salomoni ishte politikani më i shkëlqyer që jetoi ndonjëherë. Ai ndërtoi një ekonomi të lulëzuar dhe forcoi ushtrinë. Ai e bëri Izraelin të fuqishëm dhe të begatë me anë të centralizimit të pushtetit, zgjerimit të programeve qeverisëse, ngritjes së taksave, kufizimit të lirive, dhe rekrutimit të punonjësve që do të punonin në projekte ndërtesash të mëdha dhe baza ushtarake. Deri diku kjo ishte e mirë. Salomoni nuk po e bënte vetëm për vete. Ai po ndërtonte kombin dhe shumica e izraelitëve e dinin këtë. Shumë ishin mirënjohës për rritjen e sigurisë dhe begatisë. Ata e respektonin Salomonin dhe vlerësonin atë që ai kishte arritur për kombin. Por tani që erdhi koha që dikush tjetër ta zëvendësonte, ato donin ndryshime.
Kjo është koha e ndryshimit të politikës. Ndonjëherë duket e nevojshme të zgjerojmë rolin e qeverisë, por në një pikë të caktuar qeveria bëhet aq e madhe e, taksat aq të larta, sa që shumica e njerëzve mendojnë se ka ardhur koha të zvogëlojnë rolin e qeverisë.
Pas një periudhe projektesh të mëdha dhe ndërtimit të kombit, vjen një kohë për të lehtësuar barrën e taksave dhe për ta zbritur qeverinë nga kurrizi i popullit. Qeveritë e mëdha kishin bërë disa arritje madhështore nën Salomonin, por tani njerëzit dëshironin t’i jepnin fund epokës së qeverisë së madhe.
Vendimi i një njeriu budalla
Izraelitët u mblodhën që të bënin mbret, 41vjecarin Rehoboam, por para se të vazhdonin me ceremoninë e inaugurimit, donin të dinin së pari qëndrimin e tij. Një njeri me emrin Jeroboam u bë përfaqësuesi i tyre. Jeroboami i kuptonte taksapaguesit dhe punëtorët dhe njihej ndër të gjithë. Te 1 Mbretërve 12, Bibla tregon se si ky delegacion shkoi te Rehoboami.
" Yt atë e ka bërë zgjedhën tonë të rëndë; tani ti lehtëso skllavërinë e ashpër të atit tënd dhe zgjedhën e rëndë që na ka imponuar dhe ne do të të shërbejmë".
Ai iu përgjigj atyre: "Shkoni dhe kthehuni tek unë pas tri ditëve". Dhe populli iku… (12:4-5)
Roboami nuk mund të merrte një vendim aty për aty. Nëse një politikan nuk mund të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë për një pyetje kyçe në lidhje me qëndrimin e tij në qeveri, ai ka probleme serioze.
Roboami me sa duket nuk kishte asnjë bindje reale apo ndonjë dhembshuri për njerëzit. Në të kundërt ai do ta kishte thënë këtë menjëherë. Në vend të kësaj ai tha:
"Mos më nxitoni. Kthehuni pas disa ditësh."
Atëherë mbreti Roboami u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Salomonit, kur ishte i gjallë, dhe u tha: "Çfarë më këshilloni t'i përgjigjem këtij populli?".
7 Ata iu përgjigjën, duke thënë: "Në rast se sot ti do të bëhesh shërbëtor i këtij populli dhe do t'i shërbesh, në rast se do të tregohesh mirëdashës me ta dhe do t'u thuash fjalë të mira, ata do të jenë shërbëtorë të tu përjetë".
8 Por Roboami hodhi poshtë këshillën që i dhanë pleqtë dhe u këshillua me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin në shërbim të tij,
9 dhe u tha atyre: "Çfarë më këshilloni t'i përgjigjem këtij populli që më foli, duke më thënë: "Lehtëso zgjedhën që na ka vënë yt atë"?".
10 Atëherë të rinjtë që ishin rritur me të iu përgjigjën, duke thënë: "Kështu do t'i përgjigjesh këtij populli që të është drejtuar ty duke të thënë: "Yt atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tonë; tani ti lehtësoje atë". Kështu do t'u thuash atyre: "Gishti im i vogël është më i trashë nga brinjët e atit tim;
11 prandaj, në qoftë se im atë ju ka ngarkuar me një zgjedhë të rëndë, unë do ta bëj atë edhe më të rëndë; në qoftë se im atë ju ka dënuar me fshikull, unë do t'ju dënoj me kamxhik!"
Roboami kokëtrashë e mori vendimin: më mirë të ushtronte pushtet se sa të bëhej shërbëtor për të mirën e popullit. Në vend që tua vinte veshin qytetarëve ai ndoqi këshillën e njerëzve të tij.
Shumë politikanë bëjnë të njëjtin gabim. Ata qeverisin në bazë të këshillës së skuadrës së tyre elektorale, aderuesve të tyre apo njerëzve që u thonë veç “po”. Ata i besojnë propagandës së tyre dhe pranojnë se të gjithë do të mendojnë se drejtuesi i caktuar është Zotëria i mrekullueshëm, pavarësisht se çfarë bën ai.
Ata nuk kuptojnë se respekti është diçka që ti e fiton duke shërbyer mirë, nuk është diçka që vjen prej fjalimeve të pushtetit.
Shkruesit e fjalimeve të Roboamit i përgatisnin ato vërtetë të forta dhe thumbuese, dhe Roboami thjesht sa lexonte skriptin. Kur njerëzit mblidheshin për ta dëgjuar atë, ai thoshte: " Ju mendoni se babai im Salomoni ishte i fuqishëm? "Gishti im i vogël është më i trashë nga brinjët e atit tim; prandaj, në qoftë se im atë ju ka ngarkuar me një zgjedhë të rëndë, unë do ta bëj atë edhe më të rëndë; në qoftë se im atë ju ka dënuar me fshikull, unë do t'ju dënoj me kamxhik!"
Roboami ishte një legjendë në mendjen e vet. Ai dhe miqtë e tij mendonin se ishte më i zgjuar dhe më i fortë se Salomoni. Por në fakt truri i tij ishte më i vogël krahasuar me intelektin gjigant të babait të tij dhe, pushteti i tij ishte tepër i dobët krahasuar me autoritetin që Salomoni kishte grumbulluar ndër vite. Rrallëherë të bën punë ngritja e zërit dhe mbajtja e një shkopi të vogël, për të folur me autoritet kur të gjithë përveç teje e dinë se ti nuk mund të mbështetesh në to.
Roboami e pa veten si një mbret të padiskutueshëm dhe ai pohoi se tërë të tjerët do ta shihnin atë kështu. Por ja që nuk e shihnin.
Izraelitët nuk ia kishin frikën dhe pasi dëgjuan fjalimin e tij, ata vendosën që ai njeri nuk iu pëlqente. Kur panë se Roboamit i pëlqente vetja dhe nuk donte t’i dëgjonte, ata e humbën respektin për të dhe i thanë që ta harronte idenë e të qenurit mbreti i tyre. Ata vendosën më mirë të kishin Jeroboamin, i cili do tu hiqte taksat, kështu që e vunë atë në fron në vend të Roboamit. Nga dymbëdhjetë fiset e Izraelit, vetëm fisi i Roboamit, Juda si edhe një pjesë e vogël e fisit të Benjaminit, qëndruan besnikë të tij. Dhjetë fiset e tjera dëshironin të mos kishin të bënin fare me të.
Davidit dhe Salomonit iu deshën 80 vite për të ndërtuar mbretërinë e bashkuar( sh.i p të Izraelit) dhe ta bënin atë të madhe. Rehoboamit iu deshën 80 sekonda për ta përçarë atë. Sa budalla!