Print

Programi 11 maj 2015

Mëso të dëgjosh 2

Tre mënyra për të dëgjuar

Le të shikojmë tre mënyra të rëndësishme se si mund ta dëgjojmë Perëndinë. Ato janë: lexo Biblën çdo ditë, dëgjo predikime çdo javë dhe, diskuto me të tjerët.

Së pari dëgjo Perëndinë përmes leximit të përditshëm të Biblës. Ashtu siç të duhet ta ushqesh trupin përditë, po ashtu duhet ta ushqesh shpirtin tënd përditë. Nëse dëshiron të jesh “i shpejtë në të dëgjuar”, ti duhet të zhvillosh një zakon të shëndetshëm të dëgjimit të Fjalës së Perëndisë përditë. Pra nëse ke kohë që nuk e ke hapur Biblën, ndoshta është momenti ta fshish pluhurin dhe të gjesh kohë për të dëgjuar çfarë thotë Perëndia.

Nëse të duket e vështirë të lexosh Biblën çdo ditë dhe të duhet ndihmë për ta zhvilluar këtë zakon, ndoshta do të vinte në ndihmë  libërthi ynë “meditime për çdo ditë”,  për të formuar zakonin e shëndetshëm të leximit të Biblës. Për çdo ditë të javës, “meditime për çdo ditë” të sugjeron një varg nga Bibla dhe më pas jep një meditim të shkurtër për të kuptuar vargun e dhënë dhe, si mund ta aplikosh atë në jetën tënde. Do të ishim shumë të lumtur të dërgonim një kopje të këtij libri, nëse dëshiron. Leximi i përditshëm dhe personal i Biblës është një domosdoshmëri për çdo njeri që është i etur të njohë Perëndinë.

Së dyti, po aq e rëndësishme në dëgjimin e Fjalës së Perëndisë, është gjetja  e një kishe ku predikohet Fjala e Perëndisë. Atje do të dëgjosh predikuesin dhe mësues të cilët e kanë studiuar Biblën me kujdes dhe janë të aftë të praktikojnë kuptimin e saj në kohën tonë dhe aty ku ti jeton. Është shumë e rëndësishme, të gjesh një kishë që shpall Biblën, të marrësh pjesë në takime çdo javë dhe, të dëgjosh me kujdes se çfarë thuhet në predikim.

Mënyra e tretë për të përfituar prej Fjalës së Perëndisë është ta diskutosh Biblën me njerëzit e tjerë. Një kishë e mirë siguron mundësi për tu bashkuar me një grup njerëzish që studiojnë dhe diskutojnë Biblën së bashku. Dëgjim i Biblës, në diskutime me miqtë, ka qenë një përvojë jetë ndryshuese për shumë njerëz. Kjo të lejon t’i bësh pyetje miqve, dhe të jep ty mundësinë të përfitosh prej zbulesave të të tjerëve dhe të gëzosh miqësinë dhe mbështetjen e tyre.

Nëse nuk ke mundësi të jesh në një studim bible, një mënyrë  tjetër  është të studiosh Biblën me dikë tjetër përmes postës elektronike. Për shembull,  Krosroud bajbëll Institjut (Crossroad Bible Institute) është një shërbesë partnere që bashkëpunon me Fjalët e Shpresës dhe ofron kurse studimi me korrespondencë  të quajtura “Të Vërteta të mëdha të Biblës”. Çdo mësim të vjen përmes postës elektronike dhe ti e bën studimin vetë. Më pas e dërgon studimin e plotësuar dhe një mësuese i krishterë bën vlerësimin, të shkruan një letër inkurajimi dhe i përgjigjet pyetjeve që mund të kesh.

Nëse do të doje të ndihmë në një prej këtyre mënyrave,  ju lutemi kontaktoni me ne. Në fund të këtij programi do të dëgjosh edhe një herë informacionin si mund të kontaktosh me ne, adresa jonë është fjaleteshpreses@yahoo.com

Me shumë kënaqësi do të bëjmë sa kemi mundësi për t’ju ndihmuar me  librin tonë “meditime për çdo ditë”, libra të tjera, gjetjen e një kishe, apo bërjen e një studimi biblik me anë të postës elektronike.

Nëse nuk e dëgjon Perëndinë, do të mbetesh në panjohuri. Në një studim të kryer me disa njerëz që e quajnë veten të krishterë ungjillorë, u zbulua se nuk ishin në gjendje të citonin as pesë urdhërimet e para të Dhjatës së Vjetër. Në një studim tjetër, pothuajse gjashtëdhjetë përqind e njerëzve të pyetur nuk e dinin se kush e predikoi Predikimin në Mal.

Në rast se nuk e di se ishte Jezusi ai që predikoi Predikimin në mal, me shumë mundësi nuk di as se çfarë u predikua aty dhe nuk po i hedh në praktikë as fjalët e Tij. Nëse nuk di as gjysmën e urdhërimeve që u dhanë në Malin Sinai, ti me shumë mundësi nuk po jeton sipas urdhërimeve të Tij. Nëse nuk e njeh Perëndinë, nuk është faji i Tij, sepse Ai ka folur por ti nuk ke qenë duke e dëgjuar.

Ashtu siç duhet të dëgjosh dikë për ta njohur realisht se kush është, kështu është edhe me Perëndinë. Ti duhet ta dëgjosh dhe ta kuptosh vullnetin e tij për ty.

Të ngadaltë në zemërim

Sapo gjen kohë për të dëgjuar, hapi tjetër është të mbash nën kontroll temperamentin. "Jini të shpejtë në të dëgjuar, të ngadaltë në të folur dhe të ngadaltë në zemërim” thotë Jakobi. A ke vënë re ndonjëherë se sapo fillon të zemërohesh, ti ndalon së dëgjuari, dhe thua apo bën gjëra që më pas pendohesh? Duket se kur temperamenti rebelohet, truri nuk punon më. Kjo është arsyeja përse Bibla thotë:" Mos u nxito në frymën tënde të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve. " (Predikuesit 7:9)   Për pak çaste muzikë dhe kthehemi sërish në studio me një histori të këndshme,  që e kam quajtur “Derri dhe shoferi”.

“Derri dhe shoferi”

Tregojnë një histori për një burrë që po zbriste me makinë një malore të ngushtë me shumë kthesa. Ai pa nga larg një makinë që afrohej drejt tij në kthesë. Për shkak të rrugës tepër të ngushtë, ai u mënjanua pak në anë të saj, që makina tjetër të kalonte lehtësisht. Teksa po kalonte rrugën me makinë, gruaja në timon u zgjat në dritare dhe bërtiti fort: "Derr, derr, derr!". Burri u tërbua fare. Ai ishte treguar aq i mirë, i kishte hapur madje edhe rrugën dhe, shiko çfarë mori në këmbim! Sa shumë e inatosi ajo grua që e thirri “derr”. Kështu që ai shkeli fort këmbën e gazit, dhe mori kthesën me shpejtësi dhe papritur, shtypi një derr!

Jo të gjithë njerëzit që të thërrasin"derr" kanë qëllim të të fyejnë; ata thjesht po përpiqen të të mbrojnë prej rrezikut në kthesë. Prandaj "ji i shpejtë në të dëgjuar, i ngadaltë në të folur dhe, i ngadaltë në zemërim”.  Në rast se dikush të thotë se ke pirë shumë kohët e fundit, mund  të të duket si fyerje dhe të humbasësh toruan, ose thjesht të vish në vete, t’i vësh veshin këshillës dhe të kërkosh ndihmë për tu marrë me problemin e alkoolit, para se të jesh shkatërruar vetë. Në rast se bashkëshorti/a të kërkon që të kalosh më shumë kohë në familje dhe me fëmijët, ti mund të nxehesh, ose të dëgjosh me kujdes dhe të përmirësosh marrëdhëniet familjare para se të jetë tepër vonë. Nëse dikush në punë të thotë se duhet të punosh më mirë, ti mund ta humbasësh qetësinë, ose të zgjedhësh t’i besosh asaj këshille dhe të jesh sa më efikas në punë. Kjo gjë do të shpëtojë punën tënde dhe do të parandalojë pushimin nga puna.

Te fjalët e Urta15:31, Bibla thotë "Veshi që e dëgjon kritikën e jetës ka për të qëndruar bashkë me të urtët." Ndonjëherë e vërteta vret, por është pikërisht ajo, që na ndihmon të vijmë në vete.

Me këto fjalë po e mbyll programin Fjalët e Shpresës edhe për sot. Shpresoj të jeni inkurajuar sadopak.