Print

Programi 12 gusht 2015

Politika për fillestarët

Zoti i tha Jeroboamit:

Por do të heq mbretërinë nga duart e të birit, dhe do të të jap ty dhjetë fise;

36  birit të tij do t'i lë një fis, me qëllim që Davidi, shërbëtori im, të ketë gjithmonë një llambë para meje në Jeruzalem, qytet që kam zgjedhur për t'i vënë emrin tim.

37  Kështu do të të marr ty dhe ti do të mbretërosh mbi gjithçka dëshiron zemra jote, dhe do të jesh mbret i Izraelit.

38  Në rast se dëgjon me kujdes të gjitha ato që po të urdhëroj dhe ecën në rrugët e mia, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e mi, duke respektuar statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu siç veproi Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme, ashtu si ja ndërtova Davidit, dhe do të të jap Izraelin."

1 Mbretërve 11:35-38

Kështu kur dhjetë fiset braktisën djalin e Salomonit, Roboamin dhe e kurorëzuan Jeroboamin në vend të tij, kjo ndodhi si rezultat i gabimit të një politikani fillestar.

Zoti vetë po punonte pas kuintave, duke realizuar atë që i kishte thënë Salomonit dhe Jeroboamit vite më parë. Roboami ishte përgjegjës për budallallëkun e vet, por në të njëjtën kohë marrëzia e tij përdorej për të arritur qëllimet e Perëndisë.

Ende sot, është e rëndësishme të kuptojmë se pas kryeartikujve kryesorë dhe zhvillimeve politike, Perëndia është duke punuar. Ndoshta ne nuk e shohim për momentin, ndoshta nuk e kuptojmë ekzaktësisht se çfarë është duke bërë Ai, por ngjarjet në qeveri dhe tërë ngjarjet e tjera, përfshihen në planin e Perëndisë dhe lidhen me premtimet e Tij për bekime si dhe, kërcënimet e Tij për gjykim. Perëndia është gjithmonë duke punuar pas kuintave. Kjo do të thotë se suksesi afat gjatë i një kombi apo një sunduesi bazohet më shumë në ndjekjen e Perëndisë se sa zgjuarsisë politike.

Drejtuesit që meritojmë

Politikanët nuk janë të vetmit që duhet ta dinë këtë. Duhet ta dinë edhe qytetarët e zakonshëm. Deri tani, në historinë tonë folëm për drejtuesit siç ishte Salomoni, Roboami, dhe Jeroboami. Por çfarë mund të themi për popullin? Ata mbështetën qeverinë, projektet e mëdha nën qeverisjen e Salomonit por realisht kuptuan se ajo qeveri ishte tepër e madhe dhe e rëndë për ta, ndaj donin një ndryshim. Kur Roboami qëndroi për ta zmadhuar qeverinë e për ta bërë më dominuese, dhjetë fiset zgjodhën Jeroboamin, kampionin e qeverisë së kufizuar, taksa më të ulta, dhe një liri më të madhe. Kjo mund të duket e kuptueshme, por vini re se njerëzit nuk thanë asnjë fjalë për Perëndinë. Ata u ankuan që qeveria nën Salomonin ishte zmadhuar tej mase, por ata asnjëherë nuk bënë zë për gratë pagane dhe tempujt paganë që kishte ndërtuar Salomoni. Për ta kishte rëndësi ekonomia dhe liria e tyre, ndërsa Perëndia nuk kishte shumë rëndësi.

Ata panë gjërat nga një pikëpamje politike dhe ekonomike, por shpërfillën anën shpirtërore. Ata e panë Jeroboamin si njeriun që mund t’i drejtonte ata në një epokë të re. Ata përfunduan me në krye drejtuesin që meritonin: një njeri që po e vinte politikën para besimit.

Jeroboami kishte dëgjuar premtimin e Perëndisë se nëse do të jetonte me besim dhe bindje, mbretërimi i tij do të ishte i sigurt dhe dinastia e familjes së tij do të zgjaste. Por Jeroboami nuk jetoi sipas premtimeve të Perëndisë. Në vend të kësaj ai u mundua të garantonte të ardhmen e tij politike duke marrë në dorë çështjet.

Jeroboami kishte një shqetësim të madh. Tempulli i Zotit ishte vendosur në Jeruzalem, në vendin e Judës. Juda dhe Jeruzalemi qëndruan besnikë ndaj Roboamit. Jeroboami kishte frikë se nëse njerëzit e dhjetë fiseve vazhdonin të shkonin në tempullin e Jeruzalemit për të adhuruar atje perëndinë, ata mund të përfundonin në shërbim të mbretit të Judës. Prandaj për të ndaluar këtë gjë, Jeroboami ngriti dy faltore të mëdha në territorin e tij dhe bëri dy viça të arta për secilën faltore, si perëndi ku njerëzit mund të shkonin për adhurim. Populli i adhuronte këto idhuj, e shpërfillte Perëndinë e Mojsiut, të Davidit, e të profetëve dhe e humbi interesin në tempujt e Jeruzalemit. Plani i Jeroboamit funksionoi. Kjo dukej si një lëvizje e shkëlqyer politike që konsolidoi mbretërinë e Tij dhe garantoi pushtet të sigurt.

Vetëm se këtu kishte një problem: Zoti u tërbua fare nga kjo gjë. Perëndia e gjykoi Jeroboamin, dhe ai i gjykoi të dhjetë fiset. Zoti e shfarosi linjën familjare të Jeroboamit, dhe dhjetë fiset që e ndiqnin Jeroboamin në idhujtari u pushtuan prej Asirisë, u dërguan në mërgim, dhe reshtën së ekzistuari si komb. Diçka e vogël që ata e quajtën lëvizje e zgjuar politike solli shkatërrimin e tyre.

Gjendja e bekimit të miratuar nga Jeroboami dukej e arsyeshme. Kishte kaq shumë kuptim për ta adhurimi në një formë të re. Jeroboami i zgjuar e bëri vendin e adhurimit më të volitshëm. Ai zgjodhi priftërinjtë e duhur për këtë vendim politik. Ai ofroi po ashtu orare të përshtatshme. Gjithçka ishte e volitshme dhe miqësore. Kishte vetëm një problem: që e tërë kjo solli gjykimin, vdekjen dhe ferrin. Këtu të çojnë fetë e bëra nga njeriu, që janë sa më të volitshme.

Mbreti i mbretërve

Në këtë histori ka një mësim të rëndësishëm, për të gjithë ne. Pavarësisht nëse jemi drejtues politikë apo qytetarë të zakontë, është vdekjeprurëse të mendosh më shumë për gjërat materiale se sa ato shpirtërore. Është fatale të vendosësh politikën apo ekonominë para besimit në Zotin. Ndoshta ne mund të debatojmë nëse duam më shumë programe qeverisëse a më pak taksa më të larta apo më të ulta, por nuk ka një sistem të një lloji, i cili mund të funksionojë në çdo vend dhe çdo kohë. Ndonjëherë duhet një qeveri më e madhe, ndonjëherë më e vogël, dhe është e shëndetshme të debatojmë dhe të kuptojmë se çfarë kërkohet në çdo moment të caktuar. Por përtej çështjeve politike, ka një çështje supreme; ku qëndrojmë ne në lidhje me Perëndinë e gjallë. Në rast se e shpërfillim këtë, atëherë do të përfundojmë në telashe pavarësisht se sa e zgjuar apo budallaqe është qeverisja jonë, pavarësisht politikës së taksave dhe programeve ekonomike që favorizojnë ata.

Roboami fillimisht u tregua shurdh që dëgjoi këshilltarët e tij papërvojë, pasi i kishte kërkuar këshillën e veteranëve të vjetër. Por më shurdh u tregua që nuk ia vuri veshin fare Perëndisë. Për pasojë, ai humbi pjesën më të madhe të mbretërisë së tij.

Salomoni dhe Jeroboami ishin që të dy politikanë më të zgjuar se Roboami, por zgjuarsia e tyre shkoi kot kur zemrat e tyre u larguan prej Perëndisë. Salomoni ishte i shkëlqyer në përdorimin e qeverisë së tij të madhe, por imoraliteti i tij dhe idhujtaria sollën gjykimin e Perëndisë.

Jeroboami ishte i shkëlqyer në përdorimin e një qeverie më të vogël, por imoraliteti dhe idhujtaria e tij sollën gjykimin e Perëndisë.

Ndërkohë, njerëzit organizuan mbledhje politike dhe mbajtën anësi, duke shpërfillur Perëndinë për një farë kohe. Ata menduan se e vetmja gjë që ju duhej ishte një drejtues që do t’i kuptonte dhe që dinte si të drejtonte.

Por ata harruan se Drejtuesi i vetëm që mund t’i kuptonte ata dhe t’i drejtonte në mënyrë të përsosur ishte Zoti, Perëndia vetë.

Të mos keqkuptohemi. Është mirë të kesh qëllime politike, por le të mos e vendosim besimin tonë më të madh në filozofinë apo partinë politike, në një drejtues të caktuar, sikur ai të jetë çelësi i së ardhmes sonë. Bibla thotë, "Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë." (Psalmi 146:3)

" Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t'u kesh besim princave." (Psalmi 118:9)

Perëndia u mësoi këtyre njerëzve disa mësime të vështira që të mos i besonin politikës apo princave, por nuk bëri vetëm kaq. Perëndia në drejtësinë e tij na jep drejtuesit që meritojmë; Por Perëndia në mëshirën e tij na dërgoi një drejtues më të mirë se ç’meritojmë ne. Perëndia dërgoi Birin e tij mbi tokë, të lindur nga linja e mbretit David, Salomonit, dhe Rehoboamit. Jezusi është mbreti i mirë që ne nuk e meritojmë.

Kur Roboami pohoi se ishte më i madh se Salomoni, ai  thjesht po rrihte erën. Por kur Jezusi tha për veten se

" këtu është një më i madh se Salomoni." (Mateu 12:42), ai po thoshte të vërtetën. Jezusi kishte më shumë urtësi, pushtet dhe mirësi se çdo sundues tjetër. Ai nuk erdhi me një ushtri të madhe apo me një plan të madh ekonomik për tu zbatuar. Jezusi erdhi për të pushtuar zemrat tona, për të paguar për mëkatet tona me gjakun e Tij, për të na kthyer te Perëndia, për të na dhënë jetë të përjetshme në mbretërinë e tij që nuk mbaron kurrë. Jezusi tani mbretëron si mbret mbi mbret. Ai fiton zemra me anë të dashurisë dhe së vërtetës së tij, jo me anë të zgjuarsisë apo forcës. Jezusi kap besimin tonë dhe fiton bindjen tonë.

Teksa shqyrtomë këtë mësim në politika për njerëzit që s’ marrin vesh, cili mund të jetë mesazhi i Perëndisë për ty, pikërisht tani? Forcimi i një kombi nuk varet aq shumë në programet e politikanëve të tij, sa varet në lutjet e popullit. Dhe destinacioni yt si individ nuk varet në ato që ndodhin në korridoret e qeverisë por në faktin e thjeshtë, A është Jezusi në fronin e zemrës tënde?

Këtu kemi përfunduar edhe për sot. Mirë u dëgjofshim në programin e radhës!