Print

Programi 13 gusht 2015

Të sillesh si burrë 1

Bota ka nevojë për më shumë burra. Në këto çaste që flasim ka një mungesë burrash. Sigurisht që ka miliona meshkuj mbi moshën 18 vjeç, por të qenurit një mashkull i rritur, nuk të bën ty burrë të vërtetë. Shumë meshkuj të rritur nuk sillen si burra.

Disa burrave iu duket vetja sikur kanë lindur si dema, pra, këta janë të fortët. Ata flasin fjalë të pista, godasin njëri tjetrin, bëhen copash dhe sillen vërdallë për të gjetur ndonjë mëshqerrë. Këta dema të tërbuar e masin burrërinë  me faktin se kush thotë më shumë fjalë të pista, kush është më i forti, kush rrëzon më shumë njerëz përtokë dhe, kush ka më shumë femra për raporte seksuale.

Unë jam rritur në një fermë. E di se si janë demat, dhe e di se të sjellurit si një dem kokëtrashë nuk të bën ty burrë. Unë kam parë dema që pëllasin dhe e mbushin ambientin me pisllëqe, por të folurit me fjalë të pista nuk e bën një burrë vërtetë burrë. Unë kam parë dema që hedhin gardhet dhe shkatërrojnë pronat dhe e dinë se thyerja e kufijve nuk e bën vërtetë burrë.

Unë kam parë dema që mundohen të marrin njerëzit nëpër këmbë dhe  t’i çajnë me brirë, dhe unë e di se të qenurit një rrugaç i urryer nuk të bën ty vërtetë burrë. Unë kam parë dema që patrullojnë fermën dhe mbarështojë çdo lopë që i jepet mundësia, por unë e di se nuk është kjo që e bën atë vërtetë burrë.

Ti nuk duhet të jesh një dem, por a duhet të jesh një qenush i vogël në vend të kësaj? Disa prindër dhe mësues mendojnë se është mirë kështu. Ata janë kaq të frikësuar se mos djemtë bëhen si dema të tërbuar sa që shkojnë në ekstremin tjetër dhe mundohen ti kthejnë ata në djem të përkëdhelur. Djemtë trajtohen si këlyshë, destinacioni i të cilëve është të bëhen qenushë ledhatarë shtëpie. Djemtë e trajnuar për të qenë kështu duhet së pari të neutralizohen dhe trajnohen në shtëpi. Ata duhet të pushëzohen, të zbukurohen dhe më pas të pispillosen. Këta qen meshkuj duhet të bëhen që të ngjajnë dhe të sillen si femra. Ata duhet të mësojnë hile të ndryshme si "Ulu!" dhe "bëhu si i vdekur!" Nëse djemtë nuk mësojnë hilet e të qenurit si një qen shtëpie, e nuk mund të trajnohen për të qëndruar orë të tëra ulur dhe nëse nuk janë mjaftueshëm të pavendosur për të kaluar tërë ditën pas një tavoline pune, djemtë kanë nevojë për ilaçe. Shumë energji dhe entuziazëm nuk u bën mirë qenushëve shtëpiakë.

Nëse trajnimi i qenushëve qime përdredhur ka sukses, djemtë bëhen të varur, të rritur që ankohen. Në punën e tyre ata ulen dhe vërtiten pas një urdhri, e ata varen në kujdesin e zotërisë së tyre për ta. Nëse martohen ndonjëherë, gratë e tyre i mbajnë ata nën zinxhirë. Këta qenushë të varfër mund të kenë zët zinxhirët që mbajnë në shtëpi, dhe ata nuk i durojnë hilet që zotërinjtë e tyre i detyrojnë të bëjnë në punë, por janë tepër të ndrojtur për të mbrojtur veten. Ata nuk guxojnë të lehin apo të kafshojnë. Sepse kjo nuk është e këndshme për një qenush. Një qen i vockël mund të jetë shumë i mirë si kafshë shtëpiake, por një njeri është projektuar që të jetë shumë më tepër se sa një qenush i ëmbël i zbutur dhe i padëmshëm. Unë nuk kam asgjë kundër qenushëve, por burri nuk duhet të jetë si qenush.

Bota ka nevojë për më pak dema( meshkuj) të tërbuar. Bota ka nevojë për më pak qenushë në zinxhirë. Bota ka nevojë për më shumë burra: meshkuj të rritur të cilët sillen si burra dhe që mund t’i tregojnë brezit të ardhshëm të djemve se çfarë do të thotë të jesh burrë. Bota ka nevojë për burra të cilët janë të fortë pa qenë nevoja të jenë dema, të zgjuar pa qenë si çupëlina.

Burra si çupëlina dhe burra barbarë

 Terrens Mur (Terrence Moore), një ish toger i flotës marine   dhe profesor kolegji, është drejtor i një shkolle çarter në Amerikë.

(Sh. i p Këto shkolla e kanë marrë emrin nga shoqëria çarter themeluar në vitin 1733 në Irlandë për të siguruar arsimim protestant për katolikët e varfër. Tani shkolla çarter ka në Evropë e SH.B.A.)

Tani t’i kthehemi edhe një herë Terrens Murit, për të parë se çfarë shkroi ai në lidhje me burrat, që unë pak më lart i quajta qenushë hundë përdredhur dhe dema të tërbuar. Mur i përshkruan ata në një artikull me titull "çupëlina dhe barbarë." Ai thotë se gratë e reja janë "gjykatëset të lindura për të gjykuar karakterin e meshkujve", dhe nëse i bëhet pyetja, a po bëhen njerëz djemtë e rinj po bëhen burra të përgjegjshëm shumica e grave të reja do të thonë një "Jo!" të prerë. Mur thotë,

Sipas përvojës sime, shumë gra të reja, mërziten por jo për shkak të Princit magjepsës iluziv as për mungesën e “djemve simpatikë” përreth tyre. Për më tepër ato kanë ankesa shumë specifike kundër mënyrës se si janë trajtuar nëpër dyqane apo në  konvikte prej meshkujve të papjekur dhe të pagdhendur. Po ankesat më të mprehta janë kundër të dashurve të tyre apo miqve meshkuj të cilët nuk janë të aftë t’i mbrojnë ato. Ndonjëherë këto gra duken të pashpresa në kulm. Ato thonë se meshkujt rreth tyre nuk e dinë të sillen si burra e jo më si zotërinj. Atyre u duket sikur, me përjashtim të disa anëtarëve fatlume të seksit të tyre, shumica e grave duhet të zgjedhin midis burrave të cilët janë qaramanë, të paaftë për të marrë vendime vetë, dhe në përgjithësi “sillen si burra” në thonjëza, ose atyre që i trajtojnë gratë shumë ashpër, që janë të dyshimtë, nuk dinë të sillen dhe zakonisht janë budallenj.

Burrat e rinj, nga ana e tyre, vihen jo pak në siklet kur dëgjojnë këto akuza ndaj tyre, por nuk mund t’i mohojnë plotësisht ato. Në të vërtetë, kur i bëjnë pyetjen e thjeshtë "Kur të kanë mësuar për herë të fundit se çfarë do të thotë të jesh burrë?" është tipike që nuk dinë çfarë të thotë dhe janë disi në turp.

Autori Terrens Mur (Terrence Moore) shikon një nevojë urgjente për burrëri. Ai thotë: "Burrëria nuk është thjesht një çështje të qenurit burrë dhe arritja e një moshe të caktuar. Këto janë vepra të natyrës; ndërsa burrëria është vepër e karakterit."

Ndërkohë që burri barbar kërkon të zihet e të fillojë përleshje, burri çupëlinë  i bën bisht këtyre, fshihet apo të mundohet ta shmangë rrezikun. Ndërkohë që barbari pi birra dhe gromësin, çupëlina shqetësohet për flokët e tij dhe për thonjtë. Ndërkohë që barbari dëshiron një grua për kënaqësi seksuale dhe fizike, burri si çupëlinë ka nevojë për një grua që të ndërtojë vetëbesimin e tij.

Terrens Mur thotë për një çupëlinë,

Ndonëse seksi është sigurisht një prej dëshirave të tij, më shumë se seksin atij i duhet afirmim. Ai ka dëshpërimisht nevojë për një të dashur që t’i rrisë vlerësimin për veten. Të pasurit e dikujt tjetër që ia vë veshin atij do t’i tregojë botës se ai nuk është një dështak i plotë. Çupëlina ka po ashtu nevojë për dikë që t’i dëgjojë të qarat e tij, ta mishërojë kur ai ndihet i mërzitur, të ekspozojë veten e tij të fshehtë. Fillimisht,  burri që sillet si çupëlinë mund të duket argëtues për një zonjë të re, dhe shumë ndryshe nga mashtruesit e pandjeshëm dhe llafazanët që ajo ka njohur. Megjithatë burri që sillet si çupëlinë,  kërkon ta tërheqë atë në rrjetën e tij të melankolisë  dhe të keq ardhjes për veten. Historia përfundon gjithmonë e trishtueshme duke qenë se romanca nuk mund të bazohet te mëshira apo fasada  e hollë e personalitetit të tij. Ai mund të trishtohet e të qajë si të dojë, në krevatin një gruaje, por do të gjejë justifikime për të shmangur "përkushtimin."  Burri çupëlinë do të fillojë një marrëdhënie duke thënë: "Ti je e vetmja që më kupton" dhe do t’i japë fund lidhjes me fjalët, "Ti nuk më kupton fare mua." E vërteta është se këtu nuk ka shumë për tu kuptuar.

Çfarë e dallon tjetër një burrë që sillet si çupëlinë? Si e shfaq mungesën e burrërisë një burrë? Na ndiqni në programin tonë të herës së ardhshme. Deri atëherë mirë u dëgjofshim!