KORRIK 2015

Print

Programi 13 korrik 2015

Njeriu madhështor 2

Çfarë është njeriu?

Bibla e shpreh shumë bukur këtë te Psalmi 8. Psalmi 8 fillon me lavdërime për Perëndinë. Më pas tregon se njerëzit e vegjël dhe të dobët, kanë një rola të madh në planin e Perëndisë. Dhe në fund psalmi mbyllet ashtu si filloi, me lëvdime për Perëndinë. Ai nuk është një psalm i gjatë, kështu që le ta lexojmë:

3  Kur mendoj qiejt e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,

4  çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?

5  Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.

6  E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!

7  Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,

8  zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ata që kalojnë nëpër shtigjet e detit.

9  O ZOT, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!"

(Psalmi 8:3-9)

Disa njerëz flasin sikur teleskopi dhe zbulimet astronomike për përmasat e universit na detyrojmë që të kemi një këndvështrim të ulët për tokën dhe racën njerëzore.

Por a është me të vërtetë një prej zbulimeve moderne fakti se universi është madhështor krahasuar me njerëzimin që është shumë i vogël? Sigurisht që jo!

Këtë fakt mbreti David e shkroi e Psalmin 8, tri mijë vjet më parë.

Kur vështroi qiellin dhe yjet ai u ndie i vockël.

Ai nuk mund të rrinte pa u mahnitur dhe pa pyetur: “çfarë është njeriu?”

Por përgjigja e Davidit për atë pyetje ishte ndryshe nga ajo e Karl Segën. Pse? Arsyeja nuk ishte se Segën i njihte yjet më mirë por sepse Davidi e njihte më mirë Perëndinë.

Davidi njihte një realitet më të madh se kozmosi. Ai njihte Zotin, Perëndinë fuqiplotë.

Davidi ishte po aq i mahnitur sa çdo astronom prej përmasave dhe shkëlqimit të universit, por ai e pa gjithçka si vepër të gishtërinjve të Perëndisë. Gishtërinjtë e Perëndisë mund të  bëjnë një galaktikë aq lehtë sa mund të bëjë një fëmijë një top balte. Davidi e dinte se ky univers është vepër e një perëndie të pafund dhe të mrekullueshëm.

Madhështia e universit e bëri Davidin të ndihej si një xhuxh. Por ai u ndie edhe gjigant, sepse njihte të gjitha gjërat e mrekullueshme që kishte krijuar Perëndia, por mbi të gjitha sa shumë Ai e do njeriun.

Mahnitesh kur mendon që Perëndia i galaktikave kujdeset dhe tregon interes për njerëz kaq të vegjël sikurse jemi ne, por ja që është e vërtetë.

Psalmi 8 tregon se një qenie njerëzore për Perëndinë ka më shumë rëndësi se njëmijë galaktika. Po ashtu ajo tregon se megjithëse Perëndia bëri një larmi të mrekullueshme kafshësh dhe shumë prej tyre i bëri atletë më të mirë se njerëzit, sërish Perëndia na bëri drejtues mbi krijesat e tjera dhe na vlerëson më shumë se tërë ato bashkë.

Unë jam njeri i mrekullueshëm, ja se çfarë jam unë! Ja se çfarë je edhe ti. Psalmi 8 thotë se Perëndia na krijoi ne pak më të vegjël se krijesat qiellore dhe na kurorëzoi me lavdi dhe nder. Mendoje pak! Ne jemi bërë sipas imazhit të Perëndisë që të mbajmë emrin e Tij të shkëlqyer dhe të jetojmë në praninë e Tij. Jemi projektuar që të lavdërojmë atë dhe të gëzojmë me Të përgjithmonë! Është e mrekullueshme të dimë se jemi bërë pak më të ulët se engjëjt. Por ajo që të çudit më shumë është  se në Jezus Krishtin, njerëzimi promovohet mbi engjëjt. Çfarë identiteti i mrekullueshëm! Dhe gjithë kjo për shkak të emrit ë mrekullueshëm të Zotit.

Sa herë që mendojmë se kush jemi dhe çfarë vlere kemi, duhet të fillojmë dhe të përfundojmë me madhështinë e Perëndisë i Cili na krijoi dhe na projektoi për lavdinë e Tij.

Pamja, gjithçka?

Me tërë bisedat për vetëvlerësimin që bëhen sot, kam frikë se shumë prej nesh nuk e kanë idenë e madhështisë sonë të vërtetë. Pse jo? Sepse ne nuk fokusohemi te krijuesi ynë apo te planet që Ai ka për ne.

Ne fokusohemi te imazhi, te pamja apo tek ajo çka çmon shoqëria jonë. Disa prej nesh e bazojnë vetë vlerësimin në gjëra si talenti atletik. Sigurisht që nuk është e gabuar. Por shumica prej nesh nuk janë yje atletike , kështu që nëse vlera jonë do të bazohej te atletika, nuk do të kishim shumë vlerë. Por edhe sikur të jesh një atlet i rangut botëror, e vërteta është se shumë kafshë janë më të mirë se atletët më të mirë apo se zotësitë e njerëzve më të mirë.

Të tjerët e bazojnë idenë e njeriut të madh tek fama dhe imazhi publik. Shumë prej nesh nuk janë të famshëm, megjithatë, shumica prej nesh nuk shfaqen asnjëherë në televizion; prandaj çfarë vlere mund të kemi? Dhe për ata pak njerëz të cilët nuk janë vërtetë të famshëm, a mund të themi se sa të mëdhenj janë realisht ata? Shumë njerëz të famshëm, nuk njihen për asgjë heroike, që kanë bërë.

Ata janë të famshëm për të qenurit të famshëm. Ata admirohen për një imazh që nuk ka aspak lidhje me faktin se cilët janë ata realisht.

Tom Kruiz ka bërë miliona dollarë si një yll kinematografie. Ai njihet për imazhin e tij si një djalë i fortë dhe romantik. Por realisht çfarë ka arritur ai? Ai nuk është një agjent sekret i rrezikshëm apo një luftëtar i madh; ai është një njeri që vë makijazh dhe shtiret shumë para kamerave. Tom Kruiz, nuk është i dashuri më i mirë që do të mund të lumturonte çdo grua. Përtej imazhit të tij romantik, e vërteta është se ai nuk do të ishte i aftë të mbante një grua të lumtur për një kohë të gjatë, e po ashtu të mbante martesën gjallë. Por ne jemi kaq të marrosur pas yjeve të kinemasë sa që mendojmë se burrat me makijazh janë maço dhe se yjet të cilët kalojnë përmes provave të marrëdhënieve të shkatërruara janë gjithsesi romantikë.

Më kuptoni drejt, nuk kam asgjë kundër Tom Kruiz apo ndonjë aktori tjetër, thjesht e mora si shembull.

Unë thjesht jam kundër mënyrës se si shumë prej nesh priren të adhurojnë njerëzit e famshëm. Shumë prej njerëzve të famshëm do të binin dakord se mënyra se si njerëzit mendojnë për ta, nuk ka të bëjmë me personin e tyre të vërtetë. Atyre ju duket për të qeshur që njerëzit i trajtojnë sikur kush janë. Ata nuk kanë asnjë ndryshim nga ne, janë si gjithë të tjerët.  Ata kanë pothuajse të njëjtat sfida që kemi edhe ne dhe, kanë të njëjtën vlerë e dinjitet si qeniet njerëzore të bëra sipas imazhit të Perëndisë. Çdo madhështi që zotërojnë ka të bëjë më shumë me imazhin e Perëndisë në ta se sa me imazhin që ka publiku për ta.

Pse jemi kaq të fiksuar pas njerëzve të famshëm? Unë mendoj sepse kemi nevojë të adhurojmë dikë dhe, nëse nuk e adhurojmë Perëndinë, do të adhurojmë dikë që shfaqet në televizion dhe në revista shumë më shpesh se Perëndia. Pse jemi kaq të dëshpëruar që të kemi lidhje me persona të famshëm, aq sa jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka vetëm për t’i takuar ata personalisht ose që të blejmë diçka të tyren, apo që të veshim atletet e markës së tyre?

Ne dëshirojmë të jemi pjesë e lavdisë së tyre dhe kjo për arsye se jemi krijuar kështu, që të marrim pjesë në lavdinë e një tjetri. Por ne jemi projektuar të marrim pjesë në lavdinë e vetë Perëndisë, të mos marrim pjesë thjesht në lavdinë e një personi të famshëm.

Këtu minutave tona për sot u ka ardhur fundi, takohemi sërish herën e ardhshme për të mësuar më shumë rreth temës Njeriu madhështor. Deri atëherë mirë u dëgjofshim!