Print

Programi 14 prill 2015

Tri hapat drejt shkatërrimit 1

Dua ta filloj me një dëshmi reale, sepse ju e dini që më pëlqejnë shumë.

Kur fola me Nikun, ndihej i copëtuar. Gruaja e Nikut sapo e kishte lënë për tu lidhur me një burrë më të ri. Niku ndihej i tradhtuar dhe i shkatërruar prej tradhtisë së gruas së tij. Unë u trishtova dhe i thashë se më vinte keq për të. Sa gjëra të tmerrshme po kalonte ai!!

Teksa vazhdoja bisedën më të, e pyeta nëse ai dhe gruaja e tij kishin fëmijë. Ai u përgjigj: "Jo, nuk kemi. Të paktën jo së bashku. Ajo ka dy fëmijë nga martesa e mëparshme. Unë kam një fëmijë nga lidhja ime e mëparshme- kam jetuar me të dashurën time për shumë vite dhe nuk u martova kurrë me të, por ne kishim një vajzë bashkë. Tani vajza jeton me nënën e saj, ish të dashurën time."

Pak më vonë e pyeta Nikun nëse besonte ose jo te Perëndia. "Po sigurisht që besoj te Perëndia", tha Niku". Unë besoj edhe se engjëjt kujdesen për mua."

E pyeta Nikun nëse e lexonte ndonjëherë Biblën. "Jo," u përgjigj ai, “Unë nuk e lexoj Biblën”.

E pyeta Nikun nëse shkonte ndonjëherë në kishë. “Jo nuk shkoj në kishë”, u përgjigj ai. Nuk e kam parë asnjëherë të nevojshme të shkoj."

Pastaj Niku e ndryshoi bisedën dhe tha: "çfarë mendon për personat që tregojnë fatin? A mendon se ata mund të lexojnë mendimet e tua dhe të tregojnë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen?"

Unë u përgjigja: "Pse më pyet? Shkon te parashikuesit e fatit?"

"Sigurisht që po, tërë kohës”, pohoi Niku. "Unë marr shumë orientim prej tyre. Po ti çfarë mendon për ta?"

Unë ia ktheva, "parashikuesit e fatit, nuk kanë pushtet të veçantë dhe i sajojnë gjërat gjatë rrugës. Në rastin më të keq, nëse një person i tillë ka fuqi të veçanta, ato fuqi vijnë nga demonët. Pra edhe sikur personat që tregojnë fatin të jenë të rremë apo të drejtuar nga demonët, ato janë gjithsesi lajme të këqija." Niku u tërhoq nga biseda e më tha se duhet ta mendonte këtë pak më shumë.

Më pas i thashë: "Niku, më vjen vërtetë keq që të tradhtoi gruaja dhe, nuk dua të ta shtoj më dhimbjen. Por telashet e tua janë shumë më të mëdha se problemet me gruan. Ti nuk je në një mendje me Perëndinë. Sigurisht që ti beson se Perëndia ekziston, por edhe gruaja jote beson se ti ekziston. Por kjo nuk do të thotë medoemos se ju keni një marrëdhënie të mirë. Ka një ndryshim të madh mes të besuarit se dikush ekziston, dhe të pasurit e një marrëdhënieje të shëndetshme me të. Gruaja jote beson se ti ekziston por ajo të shpërfill dhe del kundër vullnetit tënd, e nuk të do në jetën e saj. Ti jetove me një grua për vite me radhë dhe, nuk u martove asnjëherë me të, ndonëse Perëndia thotë se seksi është vetëm për martesën. Ti shkon te parashikuesit e fatit, ndonëse Perëndia thotë të mos shkosh, po kështu ti nuk kalon kohë në kishë, ndonëse Perëndia thotë kështu."

"Ti ke nevojë të ndryshosh", i thashë Nikut. "A ndryshon shumë tradhtia e gruas sate nga koha kur jetove me të dashurën tënde sikur martesa të mos kishte rëndësi fare?

Në rrënjë të këtij problemi është të jetuarit pa Perëndinë. Ti ke nevojë për Perëndinë në jetën tënde. Mos beso thjesht se Perëndia ekziston. Kërko një marrëdhënie personale me Krishtin. Lexo Biblën. Bëj atë që thotë. Më vjen keq, Niku, nëse këto që po të them të bëjnë të ndihesh më keq. Nuk dua të t’i shtoj problemet. Unë thjesht dëshiroj që të gjesh një jetë të re." Niku më tha se i kisha dhënë shumë material për tu menduar dhe më pas u përshëndetëm dhe u largua.

Teksa ndava këtë dëshmi, dua të jem i sinqertë me ju: nuk kam përdorur emrin e tij të vërtetë dhe kam ndryshuar disa detaje për të mbrojtur identitetin e tij. Por biseda jonë shkoi pak a shumë siç e përshkrova më lart. Biseda të ngjashme me këtë kam bërë edhe me njerëz të tjerë. Jam trishtuar sa herë një jetë është në rrënoja dhe, e kam siklet të madh që tu tregoj ku çalon problemi, se kam frikë mos ndihen keq. Por ndonjëherë e vetmja rrugë për të dalë nga një rrëmujë është së pari të kuptosh si re brenda.

Pra le të pretendojmë se të ka shkuar ndër mend të shkatërrosh jetën dhe ti dëshiron një orientim të qartë, këshilla të sakta, si mund ta shkatërrosh një jetë. Pra ti dëshiron të dish rrugën drejt shkatërrimi në tre hapa të thjeshtë. Atëherë fillojmë me hapin e parë që të çon drejt shkatërrimit, e di cili është? Pas një çasti muzikor do të flasim për këtë.

Ji vetvetja

Nëse do të më duhej të shkruaja një manual, apo të bëja një seminar mbi hapat e shkatërrimit të jetës, këshilla ime e parë do të ishte kjo: Ji vetvetja! Vetëm kaq duhet. Thjesht ji vetvetja. Mbaj mendimin tënd. Ndiq dëshirat e tua. Bëj çfarëdo që të pëlqen të bësh. Thjesht ji vetvetja dhe të jesh i sigurt se ke për tu shkatërruar.

Te Fjalët e Urta 14:12 Bibla thotë: "Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes." Bibla nuk përsërit shumë gjëra me të njëjtat Fjalë, por këtë varg e përsërit sërish me të njëjtat fjalë te Fjalët e Urta 16:25, që pohon sërish: "Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes." Asgjë tjetër nuk të duket aq e drejtë sa të qenit vetvetja dhe asgjë tjetër nuk mund ta shkatërrojë jetën me kaq siguri sa kjo.

Niku thjesht ishte vetvetja dhe po ndiqte një rrugë që i dukej e drejtë në sytë e tij. Atij i dukej mirë të besonte te Perëndia dhe te engjëjt pa pasur një marrëdhënie reale me Perëndinë. Atij i dukej mirë të mos lexonte Biblën. I dukej mirë të mos shkonte në një kishë. I dukej mirë të jetonte me një grua, të kishte fëmijë dhe të ndahej më të e të fillonte nga e para me një grua tjetër e kështu me radhë. Atij i dukej mirë të mbështetej te parashikuesit e fatit për drejtim. Për Nikun ishte mirë të ndiqte instinktet e tij dhe të ishte vetvetja, por kur gruaja e tij ndoqi instinktet dhe shkoi me një burrë tjetër, papritur gjërat nuk po shkonin shumë mirë.

"Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes"- marrëdhëniet vdesin, ëndrrat vdesin, trupat vdesin dhe në fund fare pas vdekjes fizike ka një vdekje akoma më të tmerrshme. Pra ji vetvetja, bëj atë që të pëlqen, dhe do ta shkatërrosh jetën tënde këtu në tokë, e do të shkatërrosh jetën tënde të përjetshme. Të qenit vetvetja është hapi kryesor në rrugën drejt shkatërrimit.

A nuk është ofenduese të të thonë se duke qenë thjesht vetvetja do ta shkatërrosh jetën këtu në tokë e më pas do të shkosh në ferr? Çfarë të keqe ka të jesh vetvetja? Bibla thotë se vetëm dhe pa Perëndinë, ne jemi shpirtërisht të vdekur në mëkate. Ne mundohemi të plotësojmë dëshirat tona egoiste. Ne ndjekim mendime që duken normale për ne, por e zemërojnë Perëndinë dhe na sjellin nën dënimin e tij. (Efesianëve 2:1-3)

Kjo botë e rënë, ndonjëherë quhet "mishi" apo "natyra mëkatare", me të cilin jemi lindur të gjithë. Ne nuk kemi nevojë të mësojmë si të jemi egoistë apo mëkatarë; kjo vjen natyrshëm. Nëse natyra juaj mëkatare mbetet në thelb të identitetit tuaj, nëse nuk merrni një vete të re me anë të Frymës së Shenjtë, nëse thjesht vazhdon të jesh vetvetja, dhe bën gjithçka që të thotë natyra jote mëkatare, ti do ta shkatërrosh jetën dhe do të shkosh në ferr. Shkrimet thonë: "Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç'të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.

Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme.”

(Galatasve 6:7-8) Shkatërrimi i jetës tënde është po aq i sigurt sa mbjellja dhe korrja. Mbill për të kënaqur veten dhe do të korrësh shkatërrim dhe ferr.

Këto ishin minutat e programit tonë edhe për sot. Por mos harroni se do të takohemi herën e ardhshme në të njëjtën orë për të vazhduar temën tonë “Tri hapat drejt shkatërrimit”. Deri atëherë mirë u dëgjofshim!