Print

Programi 15 prill 2015

3-resume-formatting-that-can-ruin-your-resume

 

 

 

 

 

 


Tri hapat drejt shkatërrimit 2

Hapi i dytë drejt shkatërrimit është:

Ji i pa perëndishëm

Le të shikojmë hapin e dytë të thjeshtë që të çon drejt shkatërrimit të jetës: ji i pa perëndishëm. Nuk është e thënë të jesh ateist për të qenë i pa perëndishëm. Ti mund të besosh se Perëndia ekziston dhe sërish të mos jesh i perëndishëm, thjesht duke mos dëgjuar Perëndinë dhe duke mos e vendosur Perëndinë të parin në jetën tënde. Ti mund të jesh i perëndishëm duke kërkuar plotësimin e dëshirave të tua të çastit në vend që të kërkosh bekimet e përjetshme të Perëndisë. Ti mund të jesh i pa perëndishëm duke vendosur dëshirat e tua para drejtimit të Perëndisë.

Esau ishte një shembull biblik i kësaj. Esau e dinte se Perëndia ishte i vërtetë, por Esau nuk i kushtoi vëmendje Zotit, as nuk i vlerësoi bekimet e Zotit. Si djali më i madh i familjes, Esaut i takonte të merrte të drejtën e parëbirnisë si pasardhës i familjes, dhe trashëgimtar kryesor i premtimeve që Perëndia i bëri babait dhe gjyshit të tij. Një ditë Esau ishte jashtë në fusha për pak kohë.

Një herë që Jakobi gatoi për vete një supë, Esau erdhi nga fusha krejt i lodhur.

Dhe Esau i tha Jakobit: "Të lutem, më lërë të ha pak nga kjo supë e kuqe, sepse jam i lodhur". Për këtë arsye e quajtën Edom.

Por Jakobi iu përgjigj: "Më shit më parë parëbirninë tënde".

Esau tha: "Ja unë jam duke vdekur, ç'dobi kam nga parëbirnia?".

Atëherë Jakobi tha: "Më parë betoju". Dhe Esau iu betua dhe i shiti Jakobit parëbirninë e tij.

Pastaj Jakobi i dha Esaut bukë dhe supë me thjerrëza. Dhe ai hëngri dhe piu, pastaj u ngrit dhe iku. Kështu Esau shpërfilli parëbirninë e tij."

(shiko Zanafilla 25:29-34)

Esau interesohej më shumë për stomakun e tij se për Perëndinë. Ai nuk e vlerësonte të pasurin e bekimit të Perëndisë në jetën e tij dhe në brezat që do të vinin. Motoja e tij ishte: "Unë dua atë që dua, kur e dua unë!"

Esau ndoqi oreksin e tij të çastit jo vetëm për ushqimin por edhe për gratë. Ai gjeti dy gra që ishin adhuruese idhujsh, por ai i dëshironte të dyja, kështu që u martua me të dyja, pa e vrarë mendjen se çfarë do të mendonte Perëndia, pa marrë parasysh se çfarë do të mendonin prindërit.

Gratë e liga të Esaut, i sollën kaq hidhërim Rebekës, nënës së Esaut, sa që kjo nuk e donte jetën. Edhe Isaku, babai i tij ishte i mërzitur.

Por ç’bëri Esau kur e kuptoi më në fund se sa të pakëndshme ishin gratë e tij për prindërit e tij?

Ai doli dhe gjeti një grua të cilën mendoi se ata do ta pëlqenin, dhe ia shtoi grave që kishte tashmë.

Esau ishte thjesht vetvetja, duke ndjekur instinktet e tij për të zgjidhur problemet sipas mënyrës së vet dhe gjatë procesit i shtoi probleme të tjera vetes.

Nëse dëshiron ta shkatërrosh jetën, ji i pa perëndishëm si Esau. Vepro sipas oreksit; mos mendo për bekimet e të ardhmes që mund të jesh duke hedhur tutje. Vazhdo kështu, supozo sikur Perëndia nuk ekziston dhe sikur nuk e ka problem ta shpërfillin.

Detyra jote është të bësh çfarë të duash; detyra e Perëndisë është të dërgojë engjëj mbrojtës për tu siguruar se po argëtohesh në maksimum por në minimumin e dëmeve. Edhe sikur të besosh se ka një Perëndi, mjafton të jesh i pa perëndishëm dhe jo i shenjtë dhe rruga jote do të përfundojë në shkatërrim, ta garantoj këtë.

Ti do të lëkundesh nga një rrëmujë te tjetra dhe do të përfundosh larg Perëndisë, në ferr.

Bibla thotë se:" Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë, se mos ndodhet ndonjë kurvar ose profan, si Esau, i cili për një gjellë shiti të drejtën e tij të parëbirnisë. Sepse e dini se, më pas, kur ai deshi të trashëgojë bekimin, iu refuzua." (Hebrenjëve 12:14-16)

Rreziku i dytë drejt shkatërrimit: mos iu përmbaj Biblës

Nëse nuk të mjaftuan këto mënyra të shkatërrimit të jetës, ky është hapi i tretë në rrugën drejt shkatërrimit:mos iu përmbaj Biblës.

Një mënyrë për të qenë jo biblikë është të kërkosh për udhëheqje mbinatyrore, në burime të tjera por jo nga Bibla.

Nëse do ta shkatërrosh jetën konsultohu me një parashikues fati, që të lexon mendimet dhe të tregon të ardhmen. Nëse do ta shkatërrosh jetën bazoji vendimet te ato që ai të thotë. Nëse do të shkatërrosh jetën lexo horoskopin çdo ditë. Gjej njerëz që janë të përfshirë në ndërmjetësim me shpirtrat apo në magji dhe kërko drejtim prej tyre. Bibla na paralajmëron se këto gjëra janë të këqija dhe nëse merresh me to, do ta shkatërrosh jetën.

Ndoshta ti nuk i beson këto supersticione dhe mendon se Bibla është e veçantë. Por as ky mendim nuk të pengon prej shkatërrimit të jetës tënde. Nëse dëshiron të vazhdosh vrapimin përgjatë rrugës së shkatërrimit, mund ta mendosh Biblën si një Libër të Mirë, e të mbash një kopje në shtëpi, por mos ta lexosh. Ose edhe sikur ta lexosh, kapu pas disa vargjeve që të pëlqejnë më shumë e të bëjnë të ndihesh mirë. Mos i hyr zakonit të leximit të përditshëm të Biblës. Mos e mbush mendjen me mendime biblike. Mos medito në premtimet e Perëndisë. Mos u tremb prej paralajmërimeve të Perëndisë. Mos u fokuso shumë te Jezusi. Dhe sigurohu që të mos e zbatosh në jetën e përditshme mesazhin e Biblës. Mos iu përmbaj Biblës, dhe ke për ta shkatërruar jetën tënde, ndoshta pa e kuptuar se po e bën këtë. "Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t'i rrëzojë" (Fjalët e Urta 4:19)

Ndonjëherë kjo errësirë shpërfillëse, vjen prej të mos pasurit të Biblës. Por edhe sikur të kesh Biblën, ti mund ta shkatërrosh jetën tënde. Thjesht lere Biblën në sirtar dhe mbushe mendjen me gjithfarë lloj gjërash të tjera. Lexo gazetat apo romanet rozë. Dëgjo gallata pa kripë në radio të ndryshme dhe mbushe mendjen me muzikë të pisët. Luaj gjithë ditën me video lojëra të dhunshme. Kalo shumë kohë në internet, veçanërisht mbushe mendjen me fotot e ndyra porno ose bisedo në internet me grupe të neveritshme. Shiko televizor, sa të mundesh. Shko në kinema sa herë që të jepet mundësia. Merr me qera disa video në javë. Shumë shpejt leximi i Biblës do të duket i thatë dhe i mërzitshëm dhe do të dëshirosh më shumë gjërat e këqija. Bashkohu me milionat e njerëzve që ndjekin në televizor spektakël pas spektakli, filma me vrasje dhe seks.

Mos mendo se duhet shumë që ta shkatërrosh jetën tënde, që të bëhesh vrasës apo të veprosh si një maniak seksual.

 E di çfarë duhet: vetëm kaq, mbushe imagjinatën dhe mendimet e tua me këto gjëra. Ushqeje oreksin tënd me gjëra që Satanit i duken të këndshme dhe zemra jote do të errësohet akoma më shumë.

Por ndoshta helmi mediatik nuk është në shijet e tua. Edhe sikur të jetë kështu, ti mund ta nxjerrësh Biblën nga mendja dhe ta shkatërrosh jetën tënde. Nuk është e thënë që të helmohesh vetëm nëse pi helm. Helmim mund të pësosh edhe nga një ushqim i keq. E njëjta gjë ndodh kur ti ngjitesh pas televizorit. Nuk ka gjë të keqe të shikosh sport, apo filma vizatimorë, apo çfarë do tjetër, për sa kohë kjo nuk të vjedh kohën dhe të mban larg Biblës. Mbushe mendjen dhe shpirtin me ushqim koti. Kështu, edhe sikur të kalosh pak kohë në leximin e Biblës në kishë , një herë në javë, fjala e Perëndisë nuk do të ketë vend në mendjen tënde të ngarkuar me gjëra të tjera, e kështu ti do të përparosh më shumë drejt rrugës së shkatërrimit.

Shpresoj të jeni inkurajuar edhe sot. Ju lë takim herën e ardhshme ku do të flasim se si të marrim veten pas shkatërrimit. Mirë u dëgjofshim!