Tri hapat drejt shkatërrimit 3
Prej shkatërrimit në përtëritje
Më dëgjo pak, dhe më thuaj të vërtetën. Nëse dikush do të shkruante një manual mbi shkatërrimin e jetës me titullin “Tre hapa drejt shkatërrimit”, ti nuk do t’i ndiqje ato udhëzime, apo jo?
Ti nuk zgjedh paraprakisht si të shkatërrosh jetën, pra nuk e bën një plan që më pas ta ndjekësh hap pas hapi. Por ndoshta ke bërë një plan pa e kuptuar ti vetë, dhe ky plan ka qenë: të jesh vetvetja, të mos jesh i perëndishëm, të mos mbështetesh te Bibla.
Nëse ke dëgjuar bisedën time rreth temës, “Tre hapa drejt shkatërrimit” , mendohu mirë për pasojat që do të kesh nëse ndjek këto udhëzime vdekjeprurëse. Ndoshta ti i ke bërë këto pa e ditur që po i bëje. Pra ke qenë i pa perëndishëm, ke qenë vetvetja dhe nuk je mbështetur te Bibla, pa kuptuar se po shkoje kështu drejt shkatërrimit.
Në këtë bisedë kam qenë i hapur dhe nuk ka qenë aspak e lehtë për mua. Por arsyeja e vetme pse e bëra ishte për t’ju thënë: mos e shkatërroni jetën tuaj duke bërë këto gjëra.
Më thyhet zemra kur shikoj martesat që shkatërrohen, familjet që ndahen, njerëz që skllavërohen në zakone dhe dëshira të këqija, njerëz që ecin drejt rrugës së gjerë të ferrit të përjetshëm. Nëse gjendesh mes një rrëmuje të tmerrshme, ti duhet të mësosh se si hyre atje.
Dhe nëse kupton se nuk je ende në një rrëmujë të tillë, atëherë duhet ta dish që tani se ku do të mbërrish nëse vazhdon të jesh vetvetja, nëse tregohesh i pa perëndishëm dhe nuk mbështetesh te Bibla. Ndoshta nuk shikon asnjë të keqe këtu. Por mos harro, se çfarë thotë Bibla: " Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes."
Nëse nuk dëshiron që ta shkatërrosh jetën, në vend të kësaj dëshiron ta gjallërosh, a e di se çfarë të duhet? Le të fokusohemi në tre gjëra. Së pari, në vend që të jesh vetvetja bëhu një person i ri, ndërroje veten e vjetër. Së dyti, në vend që të jesh i pa perëndishëm, bëhu i perëndishëm, pra një njeri që e vlerëson Perëndinë dhe premtimet e Tij më shumë se gjithçka tjetër. Së treti, në vend që ta shpërfillësh Biblën, bazohu përditë në Fjalën e Perëndisë, Biblën dhe jeto sipas saj.
Bëhu i ri
Fillo duke u bërë i ri. Ndërroje veten e vjetër. Pa ndërruar personin e vjetër me një të ri, ti e ndryshon sjelljen për një farë kohe, por nëse nuk bëhesh një person i ri, e vërteta është se do të biesh në njëjtat veprime mëkatare të identitetit të vjetër. Në fakt Bibla thotë se nëse i le mëkatin për një farë kohe dhe mëson diçka për Jezusin por më pas i kthehesh rrugëve të vjetra, ti bëhesh më i keq se para se të mësoje të mirën.
Nëse nuk ke rilindur sërish dhe vazhdon të mbash të njëjtën natyrë, atëherë je i detyruar t’i kthehesh stilit të vjetër të jetesës. Sikurse e thotë edhe Bibla: "' Qeni u kthye në të vjellat e veta'', dhe “dosa e larë u kthye të zhgërryhet në llucë''" (2 Pjetri 2:22)
Një qen mund të trajnohet mirë dhe të ketë një gëzof me prerje moderne, por prapë në natyrë qen mbetet, dhe sa t’i jepet mundësia, do të hajë të vjellën e vet. Kështu bëjnë qentë zakonisht. Ashtu siç edhe derrat tërhiqen pas llucës.
Nuk mjafton vetëm që ta nxjerrësh derrin nga lluca, por duhet të nxjerrësh llucën nga derri.
Derri e ka në natyrën e vet ta dojë llucën. Pa një natyrë të re, derri do të gjejë rastin të zhgërryhet në llucë. Që derri të qëndrojë i pastër, nuk mjafton vetëm që ta lajmë. Ai duhet të ndalojë së qeni derr. Pra duhet të bëhet dikush tjetër. Por si mund të ndalojë derri së qeni derr? Si mund të ndalosh së qeni vetvetja dhe të marrësh një identitet të ri? Ti nuk mund ta bësh vetë këtë. Bibla thotë se ashtu si një leopard nuk mund të ndryshojë njollat e tij, po kështu edhe njerëzit me një sjellje mëkatare nuk mund të bëhen vetë të mirë. (Jeremia13:23)
Perëndia urdhëron"bëjini vetes një zemër të re dhe një shpirt të ri.(Ezekieli 18:31). Por Perëndia e di se ti nuk mund ta bësh vetë këtë, kështu që Zoti thotë: " Do t'ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri". (Ezekieli 36:26) Atë që nuk mund ta bësh dot ti, e bën Perëndia në vendin tënd. Jezusi foli për të qenit i lindur nga lart, pra të lindësh përsëri nga e para.
Pra mos prano që thjesht të jesh vetvetja. Kjo është një rrugë pa krye, një mënyrë e sigurt për ta shkatërruar jetën.
Hiq dorë nga vetja, dhe kërkoji me përulësi Perëndisë: mëshirë, falje dhe një jetë të re. Me anë të besimit prano pastrimin me anë të gjakut të Jezusit dhe bëhu një person i ri. Ti bëhesh një person i ri kur Fryma e Perëndisë vendos jetën e Krishtit brenda teje. Ashtu si apostulli Pal e tha: "Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua." (Galatasve 2:20)
Nuk do të jesh ende i përsosur pasi bëhesh një person i ri. Natyra jote e vjetër do të dojë sërish të shfaqet. Por përmes fuqisë së Perëndisë " Ecni sipas Frymës dhe nuk do të përmbushni dëshirat e mishit." (Galatasve 5:16)
Në vend që të jesh vetvetja, bëhu një person i ri dhe do të jesh me të vërtetë i shëndetshëm për herë të parë.
Bëhu i perëndishëm
Së dyti, në vend që të mos jesh i perëndishëm, ji i perëndishëm. Pak më parë pamë se të mos qenit i perëndishëm nuk do të thotë detyrimisht se je ateist. Kur je i pa perëndishëm ti nuk e bën Perëndinë një prioritet të lartë, as nuk e vlerëson favorin dhe bekimet e tij mbi gjithçka tjetër. Nga ana tjetër, të qenit i perëndishëm, do të thotë se ti e vlerëson Perëndinë, mbi gjithçka tjetër. Krishti është kënaqësia jote më e madhe. Miqësia dhe favori i tij është dëshira jote më e madhe. Çdo gjë tjetër është kot krahasuar me dhembshurinë e Perëndisë.
Ne pamë herën e kaluar se orekset e Esaut për ushqimin dhe gratë kishin më shumë rëndësi për të, se sa bekimet e Perëndisë. Mos ji i pa perëndishëm si Esau. Ji i perëndishëm. Mos i vendos dëshirat e tua të çastit para destinacionit tënd të përjetshëm. Bëje Jezus Krishtin, thesarin dhe kënaqësinë tënde më të madhe. Bibla thotë: " Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit,
dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë.
Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht." (Filipianëve 3:18-20) Mendo dhe vepro si një qytetar i qiellit. Bëhu i perëndishëm.
Mbështetu te Bibla
Së treti në vend që të shpërfillësh Biblën, mbështetu te Bibla. Lexoje Biblën përditë dhe mendo rreth saj vazhdimisht.
Bibla thotë se njeriu që gjen kënaqësi në Fjalën e Perëndisë do të lulëzojë " Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, gjithçka bën do të ketë mbarësi." (Psalmi 1:3) Shtriji rrënjët thellë në Bibël, thith të vërtetën dhe jetën nga Fjala e Perëndisë çdo ditë, dhe do të rritesh i fortë dhe do të prodhosh fryte të mira.
Hiq dorë prej helmit mediatik. Rri larg prej shfaqjeve epo këngëve të dhunshme dhe të ndyra. Këto gjëra madje mbaji sa më larg, që të lesh hapësirë për Fjalën e Perëndisë. Lejo leximet e Biblës dhe lutjen që të përcaktojnë tonin e jetës tënde. Ti do të mahnitesh prej gëzimit dhe transformimit që do të përjetosh ti personalisht.
Nëse je i martuar, do të zbulosh se martesa jote do të forcohet kështu.
Çiftet që lexojnë Biblën bashkë çdo ditë dhe luten për njëri tjetrin përditë, rrisin dashurinë për njëri- tjetrin. Gjithmonë e më tepër çiftet që shpërfillin Biblën përfundojnë në një marrëdhënie të shkatërruar. Por nëse të dy, burrë dhe grua, e ushqejnë dashurinë e tyre përditë, në Shkrime dhe në lutje, nëse adhurojnë së bashku me besimtarët e tjerë çdo javë, këto martesa funksionojnë dhe nuk përfundojnë asnjëherë në ndarje. Nëse ke fëmijë, ulu përditë si familje për të lexuar Biblën, për tu lutur, për të kënduar dhe për të marrë një inkurajim personal. Fëmijët e tu do të lulëzojnë dhe shumë prej tundimeve që shkatërrojnë fëmijët e tjerë nuk do të kenë ndikim mbi fëmijët e tu që e njohin Fjalën e Perëndisë. Bibla do t’i bëjë ata të zgjuar për jetën e përjetshme.
Mos e shkatërro jetën tënde duke ndjekur tre hapat drejt rrugës së shkatërrimit. Në vend të kësaj, kërkoji Zotit Jezus të të shpëtojë ty. Në vend që të jesh vetvetja, përtërihu, bëhu një person i ri. Në vend që të mos jesh i perëndishëm, bëhu i perëndishëm. Në vend që të mos jesh biblik, bëhu biblik, pra mbështetu te Bibla. Kështu do të lulëzosh dhe do të jetosh përgjithmonë.
Këtu ndahemi bashkë nga unë Berti, mirë u dëgjofshim!