Print

Programi 17 prill 2015

00005388_1_b

Fryti i Frymës

Fillojmë pa humbur kohë. Në rast se pyet një fermer, me çfarë merresh, do të përgjigjet: "Unë kultivoj drithëra" apo "Unë prodhoj misër dhe sojë”, apo “Unë rrit patate të ëmbla dhe domate” apo “ Unë rrit dru portokalli dhe arre.” Unë kam takuar shumë fermerë të ndryshëm, por asnjëherë nuk kam takuar një që ta përmbledhë gjithë punën e tij me fjalët: "Unë plugoj tokën", ose "Unë heq barërat e këqija" apo, "Unë vras tartabiqet", apo "Unë shartoj degët". Fermerët i bëjnë edhe këto gjëra, por fokusi i tyre kryesor nuk është tek ajo që plugojnë, vrasin apo shartojnë. Fokusi i tyre kryesor është te ajo që prodhojnë.

Perëndia është një fermer. Ai dëshiron të prodhojë të korra të mira në jetët  tona. Disa prej nesh mund ta mendojnë Perëndinë si dikush që nxjerr në pah vetëm të këqijat, por është gabim ta mendosh kështu. Sigurisht që Perëndia është kundër gjërave të këqija. Ka mëkate, nga më të ndryshmet që Perëndia dëshiron t’i hetojë dhe t’i heqë qafe. Por qëllimi kryesor i Perëndisë nuk është të heqë qafe të keqen. Fokusi i tij kryesor është prodhimi i frutave të mira.

Ky duhet të jetë edhe fokusi ynë. Çfarë vlere ka të jesh kundër gjithë këtyre gjërave, nëse nuk ke një qëllim të mirë në vetvete? Një fermer mund të plugojë dhe të heqë çdo rrënjë të keqe, por nuk ka për të pasur asnjë të korrë nëse nuk mbjell një farë të mirë dhe të sigurohet se do toka do të ketë ujë dhe lëndë ushqyese në sasi të  mjaftueshme. Në fakt, nëse ai plugon por nuk mbjell asgjë, ai shumë shpejt do të ketë më shumë barëra të këqija se ç‘kishte më parë. Barërat e këqija rriten më shpejt nëse nuk është duke u rritur diçka tjetër përkrah tyre.

Një mënyrë e mirë për të parandaluar rritjen e barërave të këqija e po kështu rritjen e mëkatin është rritja e diçkaje të mirë.

Si arrihet kjo? Me anë të Frymës së Shenjtë që jeton brenda teje, me anë të mbjelljes së farave të mirësisë së Perëndisë dhe dhënies së frytit.

Sigurisht që ne duhet të pranojë të keqen ashtu si është. Te Galatasve 5:19-21 Bibla thotë: " Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet,smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, sikurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë."

Bibla nuk qëllon me grushte kur tregon gjërat që Perëndia është kundër. Fjala e Perëndisë, nuk ndalon atje. Pasi liston të gjitha ligësitë dhe paralajmëron për pasojat, Pali vazhdon duke thënë: " Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj." (Galatasve 5:22-23)

Çfarëdo që Perëndia e vlerëson e mbron. Kjo është e korra që Perëndia i ka hyrë punës për të prodhuar. Kjo rritet dhe lulëzon nëse Perëndia punon brenda nesh.

Ne do të shikojmë secilën nga këto gjëra në këtë listë, por së pari le të theksojmë atë që Bibla thotë këtu për frytin e Frymës, dua të theksoj se këtu nuk flitet në shumës por në njëjës, pra nuk thuhet frytet por frytin e frymës. Këto cilësi nuk janë të ndara. Të gjitha ato së bashku janë një fryt që ka këto cilësi të shumta. Fryti i Frymës është përfundimisht një, dhe jo shumë fryte. Fryti i Frymës, nuk është as më shumë dhe as më pak se sa karakteri i Jezusit që rritet dhe shpaloset në jetën e njerëzve të Perëndisë. Jezusi vetë e bën këtë të qartë, duke thënë:

"Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari.

…kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.

…sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua.

Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.

Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt dhe, kështu do të jeni dishepujt e mi.”

(Gjoni 15:1-8)

Jezusi e thotë këtë pikërisht në mes të përshkrimit se si punon Fryma e Shenjtë në jetën e popullit të Tij.

Perëndia, kopshtari i merr njerëzit e Tij dhe i lidh me Krishtin, kështu që Fryma e Krishtit, rrjedh në ta dhe karakteri i Jezusit jeton në ta dhe jep frute për të përlëvduar Perëndinë.

Disa prej jush, ndoshta të gjithë, keni dëgjuar për Pentakostin. Pentakosti shënon ditën kur Zoti Jezus i ringjallur dhe i përlëvduar dërgoi Frymën e Tij të Shenjtë tek dishepujt e Tij në mënyrë të fuqishme. Fryma e Shenjtë që u derdh atë ditë është ende gjallë dhe, vepruese sot. Fryma është këtu për tu dhënë besimtarëve një përvojë vepruese të jetës së Jezusit brenda tyre, të fuqisë së tij që punon mes tyre dhe, të personalitetit të Tij që rritet brenda tyre duke dhënë fryt.

Nëntë cilësitë

Le të shikojmë së bashku nëntë cilësitë e frytit të Frymës që renditen te Galatasve 5. E para dhe më e madhja është dashuria. Jezusi thotë: "Sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t'ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin". (Gjoni 13:35) Bibla thotë: "Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të." (1 Gjoni 4:16)

Kjo dashuri nuk është diçka që e prodhojmë vetë. Është fryt i Frymës së Perëndisë brenda nesh. "

Sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë." (Romakëve 5:5) Kjo përvojë e rrallë e përjetimit të dashurisë së Perëndisë përmes Frymës është rrënjosur në shfaqjen objektive të dashurisë së Perëndisë në kryqin e Jezusit. "Por Perëndia e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne." (Romakëve 5: 8)

Fakti më i madh për një të krishterë është se ai apo ajo është i dashur prej Perëndisë, dhe rezultati më i madh i kësaj është se i krishteri bëhet një person  që i do të tjerët me dashurinë e Krishtit. Nuk ka asgjë më të madhe në këtë botë, se dashuria dhe të qenit i dashur prej të tjerëve. Pa dashuri gjithçka tjetër duket e shëmtuar dhe boshe; me dashuri çdo gjë ndriçon prej prekjes së Perëndisë.

Dhe kjo na çon te cilësia e dytë e fytit të Frymës: gëzimi. Si mund të mos gëzohem kur më mbërthen dashuria e pafund e Perëndisë? Si të mos gëzohem kur Fryma e Shenjtë më bashkon me Krishtin dhe jep një grimcë të së ardhmes së mrekullueshme që na pret?

Jezusi nuk erdhi për të na bërë një tufë njerëzish të zymtë, nopranë të ngrysur të cilët vetëm ankohen dhe varin buzët tërë jetën. Apostulli Pjetër flet për të qenit" i mbushur me një gëzim të lavdishëm dhe të papërshkrueshëm." (1 Pjetri 1:8) Ky gëzim i dhënë prej Perëndisë, mund të shpaloset edhe në kohë mundimi dhe dhimbjeje. Në një letër drejtuar miqve të tij të krishterë, apostulli Pal shkroi "Dhe ju u bëtë imituesit tanë dhe të Zotit, duke e pranuar fjalën në mes të një pikëllimi të madh, me gëzimin e Frymës së Shenjtë." (1 Thesalonikasve 1:6) Populli i Perëndisë gëzohet në të qenit fëmijë të Tij, edhe kur përballen me probleme madje janë më të etur për të mësuar se çfarë do tu sjellë e ardhmja. Ata gëzohen, emocionohen dhe dëshirojnë të festojnë!

Por çfarë mund të themi për cilësitë e tjera të Frytit të Frymës? Ato janë shumë, janë nëntë, ne sot kemi diskutuar vetëm disa prej tyre, për të tjerat do të flasim herën e ardhshme. Mos e humbisnin programin tonë. Deri atëherë mirë u dëgjofshim!