Print

Programi 18 maj 2015

Pronari i vërtetë 1

Kush i zotëron paratë e tua? Kush i zotëron paratë e thata që ke në kuletë? Kush i zotëron çeqet apo të ardhurat e biznesit tënd? Kush e zotëron llogarinë tënde bankare? Kush e zotëron të drejtën e trashëgimisë së shtëpisë apo makinës tënde? Kush i zotëron magazinat, marrëveshjet, fondet e përbashkëta dhe investimet e tjera në aksionet e tua? Kush i zotëron të gjitha këto?

Ti mund të përgjigjesh: "Të miat janë, është e qartë. Sigurisht që janë paratë e mia, është çeku im, llogaria ime, shtëpia ime, makina ime, aksionet e mia. Ato janë në zotërimin tim, ose në emrin tim, pra është e qartë që janë të miat.” Mos u nxito shumë. Po sikur të thoja se nuk je ti pronari i vërtetë, se ti je vetëm personi që i menaxhon ato para?

Ka një ndryshim të madh mes personit që i zotëron paratë dhe atij që i menaxhon. Nëse paratë të përkasin ty dhe vetëm ty, atëherë ti mund të bësh me to çfarë të duash. Por nëse paratë i përkasin dikujt tjetër dhe ti thjesht po i menaxhon ato, atëherë do ti menaxhosh paratë ashtu siç do pronari i vërtetë. Po kështu duhet t’i japësh llogari pronarit si i menaxhon paratë e Tij.

Dhe e vërteta për paratë është kjo: ti nuk zotëron asnjë qindarkë tënden. Po kështu as unë. Askush nuk është pronar i një qindarke të vetme. Po atëherë të kujt janë këto para? Janë paratë e Perëndisë, çdo qindarkë është e tij. Paratë që kemi nuk janë tonat, na janë dhënë për tu menaxhuar. Ne duhet t’i përdorim paratë si të na drejtojë Perëndia sepse do të përgjigjemi para Perëndisë për mënyrën si e përdorim pronën e tij.

Të duket diçka e mirë kjo? A të pëlqen ideja që ta trajtosh paranë sikur të mos ishte vërtetë e jotja por e Perëndisë? Ndoshta nuk të pëlqen. Ndoshta preferon që Perëndia të rrijë larg financave të tua. Të pëlqen apo jo, financat nuk të përkasin ty. Ato janë të Perëndisë dhe Ai të lejon t’i përdorësh ti për njëfarë kohe.

Ndoshta herën e parë nuk të pëlqen, por më pas trajtimi i parave të tua si para të Perëndisë kthehet në një privilegj dhe gëzim. Kjo e nderon Perëndinë dhe të bekon ty jashtëzakonisht shumë.

Menaxhimi i parasë sipas mënyrës së Perëndisë është një prej shenjave jetësore të një marrëdhënieje të shëndetshme me Perëndinë. Jezus Krishti ka shumë për të thënë për paratë, po kështu edhe Bibla. Zoti thotë gjëra për shëndetin dhe martesën, për borxhet, shpenzimin dhe investimin e parave, e shumë e shumë gjëra të tjera. Por më kryesorja me të cilën duhet të përballemi, është pyetja e parë që të vjen në mendje: kush është pronari i vërtetë i parave dhe çdo prone tjetër që ke?

Kush të zotëron ty?

Përgjigja për këtë pyetje varet shumë nga përgjigja që i japim një pyetje tjetër më thelbësore. Pyetja kryesore në gjithë këto nuk është se kush i zotëron paratë apo pronat e tua, por kush të zotëron ty!

Tregohet një histori për një misionar që po i fliste për Jezusin kryetarit të një fisi. Kryetari u përpoq t’i bënte përshtypje misionarit duke i dhuruar kuaj, batanije dhe bizhuteri. Por misionari ia ktheu:

"Perëndia im nuk dëshiron dhuratat e kryetarit, as kuajt e as batanijet. Perëndia im dëshiron kryetarin vetë."

Atëherë kryetari duke qeshur tha: "Ti ke një Perëndi shumë të zgjuar, sepse kur unë i dorëzohem Perëndisë, bashkë me mua ai merr edhe kuajt, batanijet edhe bizhuteritë e mia." Po ti a e kupton atë që kuptoi kryetari? Nëse Perëndia të zotëron ty, atëherë Ai zotëron si paratë ashtu edhe gjithçka tjetër tënden.

A ia ke dorëzuar jetën Jezusit kur Ai ta ka kërkuar? A beson se Jezusi vdiq në kryq që të paguante për mëkatet e tua. Gjaku i Jezusit nuk paguan vetëm për mëkatet e tua; paguan edhe për ty. Ai të ble ty si pronë të Perëndisë.

Perëndia tashmë ka të drejtë pretendimi mbi gjithë njerëzit dhe gjithçka, sepse Ai është krijuesi, pronari i gjithçkaje. Dhe nëse ti merr shpëtimin e Tij dhe i beson gjakut që Jezusi derdhi për ty si çmim për mëkatin tënd, atëherë Perëndia ka pretendime të dyfishta mbi ty.  Zoti është pronari yt, qoftë si krijuesi që të ka bërë, apo si Shpëtimtari që pagoi për të rimarrë ty prej mëkatit." Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë. “…Se nuk i përkitni vetvetes? Sepse u bletë me një çmim!". (1 Korintasve 6:19-20)

Ndoshta ti mendon se do të kesh më shumë liri nëse do të pretendosh se je ti pronari dhe jo Perëndia. Por kjo do të shkaktonte shqetësime nga më të ndryshmet, dhe probleme për ty, e nëse situata nuk ndryshon do të çonte ty deri në ferr. Nëse zgjedh ta kalosh jetën pa Perëndinë, do ta kalosh përjetësinë pa Perëndinë.

Por nëse pranon pretendimin e Perëndisë se ti i përket atij, nëse e dorëzon veten dhe gjithçka ke në duart e Tij, do të bekohesh. Kur je pronë e Perëndisë, problemet e tua janë edhe problemet e Tij. Meraket e tua janë shqetësimet e tij. Ai do të drejtojë ty e do të ndihmojë të lulëzosh në këtë jetë dhe për përjetësinë. Çelësi i lirisë financiare është të kuptosh se paratë e tua i përkasin Perëndisë dhe çelësi i lirisë dhe ngushëllimit shpirtëror është të dish se ti nuk i përket më vetes por Jezus Krishtit. Ti je thesari i tij i çmuar.

E dhjeta nga maja e të ardhurave

Të kesh një marrëdhënie me Perëndinë është diçka e shkëlqyer shpirtërore, por të qenit shpirtëror nuk do të thotë të që thjesht të kesh disa ndjenja të mira ëndërrimtare. Kjo marrëdhënie shpirtërore është praktike dhe përfshin të gjitha fushat e jetës, edhe atë financiare. Nëse i përket Perëndisë, edhe paratë e tua i përkasin Perëndisë, së bashku me pronat që ke.

Dhe nëse pranon Perëndinë si pronarin e parave të tua, ti nuk do rrish vetëm duke e menduar këtë apo duke e thënë. Se sa e beson këtë duket te fakti si i përdor realisht paratë e Perëndisë. Në fakt, zëri i parë në buxhetin biblik, është e dhjeta jote.

Çfarë është e dhjeta? E dhjeta është një pjesë e të ardhurave të tua, që le mënjanë për t’ia kthyer menjëherë Perëndisë duke ia dhënë kishës dhe misionit të Perëndisë. Ti e bën këtë prioritetin numër një financiar, para se të mendosh për të paguar taksat, ushqimet, veshjet, transportin, apo strehimin.

Në Bibël e dhjeta ishte zakonisht dhjetë përqind e të ardhurave. Të marrësh dhjetë përqind të gjithë të ardhurave dhe t’ia kthesh menjëherë Perëndisë është një mënyrë për të pranuar se gjithë të ardhurat e tua erdhën prej Perëndisë dhe që për më tepër gjithçka ke i takon Atij. Nëse do të ishe fermer,( sikurse ishin shumë personazhe të Biblës), do t’i jepje Perëndisë dhjetë përqindëshin e parë të të korrave të tua, ndonjëherë edhe të frutave të tua, para se të magazinoje pjesën tjetër për nevojat e tua apo për tua shitur të tjerëve.

Të japësh frytin e parë, të dhjetën, është një akt përkushtimi, falënderimi dhe besimi.

Këtu e mbyllim programin tonë edhe për sot. Shpresoj të jesh inkurajuar sado pak. Takohemi sërish herën e ardhshme për të vazhduar me temën tonë.

Deri atëherë mirë u dëgjofshim!