Më i larti

Print

Titulli: Më i larti (pjesa 3)

Fillojmë pa humbur kohë me historinë e një mbreti të lashtë dhe më pas do të ndalemi ne politikën nëpër botë dhe Evropë. Folëm pak herën e kaluar se Nebukadnetsari sillej si gjysmë dem e gjysmë shpend, pra i humbi arsyeja dhe filloi të sillej çuditshëm! Si iu kthye arsyeja?

Kthimi i arsyes

Zoti u tall me Nebukadnetsarin për një kohë të gjatë dhe në fund kur Perëndia ndaloi së talluri, e lejoi këtë “gjysmë dem e gjysmë shpend” të rifitonte shëndetin e tij mendor si edhe mbretërinë e tij.

Danieli 4 tregon me vetë fjalët e mbretit se çfarë ndodhi:

Në fund të kësaj kohe, unë Nebukadnetsari ngrita sytë nga qielli dhe arsyeja m’u kthye, e bekova Shumë të Lartin dhe lëvdova dhe përlëvdova atë që rron përjetë, sundimi i të cilit është një sundim i përjetshëm dhe mbretëria e të cilit vazhdon brez pas brezi.

35  Tërë banorët e dheut përpara tij konsiderohen si asgjë; ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t’ia ndalë dorën ose t’i thotë: “Çfarë po bën?”.

36  Në po atë kohë m’u kthye arsyeja, dhe për lavdinë e mbretërisë sime m’u kthyen madhëria ime dhe shkëlqimi im. Këshilltarët e mi dhe të mëdhenjtë e mi më kërkuan, dhe unë u rivendosa në mbretërinë time dhe madhështia ime u rrit jashtëzakonisht.

37  Tani, unë Nebukadnetsari lëvdoj, lartësoj dhe përlëvdoj Mbretin e qiellit, sepse të gjitha veprat e tij janë të vërteta dhe rrugët e tij janë drejtësi; ai ka pushtet të poshtërojë ata që ecin me kryelartësi. (v. 34-37)

Vini re se si e rifitoi shëndetin e tij mendor Nebukadnetsari. Ai thotë, ” unë Nebukadnetsari ngrita sytë nga qielli dhe arsyeja m’u kthye.” Pra kur ai pranoi madhështinë e Perëndisë më të Lartit, ju kthye sërish arsyeja. Besoj më kuptoni, nëse të jesh i çmendur do të thotë të shkëputesh prej realitetit, atëherë Nebukadnetsari kishte qenë i çmendur para se të fillonte të mendonte se ai ishte një dem. Çmenduria e tij e vërtetë ishte se ai e mendonte veten si më të lartin,  se si ai nuk kishte tjetër, dhe për këtë arsye nuk duhet t’i jepte llogari askujt. Mospranimi nga ana e tij se Perëndia ishte më i larti, ishte një mendim i çmendur, po aq i çmendur sa mendimi që ai ishte një zog apo një dem. Në të dyja rastet, ai ishte plotësisht jashtë realitetit. Arsyeja iu kthye vetëm kur ngriti sytë drejt qiellit.

Kjo është e vetmja mënyrë që të secili prej nesh të ketë një arsyetim vërtetë të shëndoshë dhe në kontakt me realitetin: ne duhet të shikojmë më të Lartin. Ne duhet të heqim dorë prej idesë se jemi ne që i kemi gjërat nën kontroll. Ne kemi parë se njeriu më i fuqishëm që kishte ekzistuar ndonjëherë , realisht nuk ishte aq i fuqishëm sa mendonte, krahasuar me Perëndinë, më të Lartin. Nebukadnetsari në gjendjen e tij më të mirë i ngjante thjesht atij djalit që dërgon porositë, njeriut që përmbushi fjalët e profetëve. Ndërsa në gjendjen e tij më të keqe ishte thjesht një shaka me të cilën Perëndia u tall për pak kohë.

Bibla thotë: “? Sepse Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve. Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë ne kohën e duhur. ”

(1 Pjetri 5:5-6)

Mbreti i mbretërve

Pranimi i Perëndisë si më i Larti, na jep një arsyetim të shëndoshë dhe përulësi si individë, po ashtu na jep një arsyetim të shëndoshë dhe një këndvështrim përulës në zgjedhjet e mëdha apo ngjarje të rëndësishme botërore. Të gjitha këto gjëra janë nën drejtimin e Perëndisë. Perëndia nuk është vetëm një Zot i ndjenjave të ëmbla dhe lutjeve personale. Ai është më i larti. Jezusi nuk është vetëm një mësues frymëzues. Ai është mbreti i mbretërve, Zot mbi zot, drejtuesi i presidentëve dhe kandidatëve të fuqishëm, mjeshtri i historisë. Zoti i ka treguar këtë herë pas here.

Ne kemi parë se si Perëndia ka sjellë në pushtet Nebukadnetsarin, po ashtu pamë rënien e tij në çmenduri, më pas restaurimin e mendjes së tij. Dhe ky është vetëm njëri shembull. Bibla tregon vazhdimisht se si Perëndia i ngriti drejtuesit e ndryshëm dhe kombet, po ashtu se si i rrëzoi ata. Disa njerëzve shkrimet e profetëve ju duken të mërzitshme. Profetët flasin kaq ashpër kundër qyteteve dhe kombeve në një mënyrë që nuk e ke dëgjuar më parë. Por a do të dish arsyen përse nuk i ke dëgjuar më parë këto qytete dhe kombe? Sepse ato nuk ekzistojnë më. Ato ranë nën gjykimin e Perëndisë më të Lartit.

Pushteti i Perëndisë mbi kombet dhe drejtuesit nuk është i kufizuar vetëm te kohët e lashta. Thjesht ktheje kokën te njëzetë vitet e kaluara. Kur në Amerikë Ronald Regan u

rizgjodh në vitin 1984, vështirë se mund ta mendonte kush rënien e kaq shumë diktatorëve nga pushteti në vende të tjera. Askush nuk e mendonte se në Filipine do të rrëzohej Markosi; se në Panama do të rrëzohej Norjega; se në Afrikën e Jugut regjimi i Aparteidit do të rrëzohej; që në Poloni Jaruzelski do të rrëzohej; se në Bullgari do të rrëzohej Zhivkov; që në Rumani Çaushesku do të rrëzohej; që në Gjermaninë lindore, Honeker do të rrëzohej së bashku me rënien e murit të Berlinit. Kujt i shkonte në mend se Bashkimi Sovjetik nuk do të ekzistonte më; që Sadam Hyseni do të rrëzohej. Nëse dikush do të kishte parashikuar këto ngjarje para njëzetë-tridhjetë vitesh, gjithë të tjerët do të ishin tallur me të.

Por tani me avantazhin e shikimit mbrapa në kohë, disa njerëz thonë se kjo ishte plotësisht e parashikueshme, pothuajse e pashmangshme.

Ata mund të përpiqen madje t’ia japin meritat e këtyre zhvillimeve presidentit Regan apo papës a drejtuesve të tjerë të famshëm. Por cilido qoftë roli që kanë luajtur njerëzit, dora që i rrëzoi këta drejtues mburravecë ishte dora e të plotfuqishmit.

Sikurse i tha Nebukadnetsarit zëri nga qielli: “The MostHigh is sovereign over the kingdoms of men and gives them to anyone he ëishes.”  Një superfuqi që është sot mund të mos jetë nesër. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për diktaturën, apo komunizmin.

Nj shtet i fuqishëm si Shtetet e Bashkuara mund të rrëzohen po aq lehtë sa shtetet e tjera. Kërcënimi kryesor për mirëqenien e ardhshme të një kombi nuk është një komb armik, as një organizatë terroriste; kërcënimi kryesor për çdo komb është mëkati i vet.

Një miku im pastor që jeton në Amerikën e Veriut u shpreh kështu për privilegjet e tij të mëdha. Ai tha: “është tundim i madh që të mendojmë me vete: A nuk është kjo shoqëria e madhe që kemi ndërtuar me anë të pushtetit tonë dhe që të mburremi me kapitalizmin?”

Por këto fjalë nuk janë jehonë e mendimit të fundit që Nebukadnetsari pati para se të fillonte të fliste përçart. Çdo komb që bëhet krenar për arritjet e tij, që i keqpërdor privilegjet e tij, që tallet me mendimin e gjykimit hyjnor, çdo komb që mendon kështu është rrëzë gjykimit dhe shkatërrimit.

Miku im pastor vazhdoi bisedën duke më treguar për mëkatet që Amerika e Veriut po grumbullonte para fytyrës së Perëndisë. Varfëria, imoraliteti, gjaku i më shumë se dyzetë milion foshnjave të abortuara, qarja e të cilave dëgjohet në qiell ishin ndër mëkatet e atij kombi. Mbijetesa e një kombi varet tek pendimi. Ajo nuk mbështetet para së gjithash te forca ekonomike apo fuqia ushtarake, po ashtu nuk varet nga fakti se kush do ta drejtojë qeverinë në katër vitet e ardhshme. Mbijetesa jonë mbështetet plotësisht tek mëshira dhe bekimet e Perëndisë.

Më shumë se çdo gjë tjetër, ne duhet të jemi në rregull me Perëndinë.

Ndërkohë që dëgjon këtë program, pavarësisht se ku je tani apo se ku jeton, pavarësisht se kush fiton zgjedhjet, pavarësisht se çfarë qeverie ke, ti si individ duhet të zgjedhësh që të ecësh me Jezusin. Besoji Atij si i vetmi burim i forcës tënde, si i vetmi ngushëllim në jetë dhe në vdekje. Ji i përulur. Kërkoji falje Zoti. Adhuroje. Dorëzoje jetën tënde në duart e Tij. Është çmenduri të refuzosh a shpërfillësh Atë.

Kur ti beson te Më i larti, kupton se kryeartikujt e fundit nuk janë aq të rëndësishëm sa Fjala e përjetshme e Perëndisë. Ti kupton se zgjedhja e njeriut më të fuqishëm për katër vitet e ardhshme nuk është aq e rëndësishme sa vendimi për t’i shërbyer Zotit, i Cili drejton universin nga përjetësia në përjetësi. Destinacioni yt i përjetshëm nuk është në duart e presidentit apo të kryeministrit, apo një personi tjetër. Fati yt përfundimtar është në duart e Perëndisë, më të Lartit.