Pronari i vërtetë 2
Të japësh frytin e parë, të dhjetën, është një akt përkushtimi, falënderimi dhe besimi. Është një akt përkushtimi sepse, duke dhënë atë dhjetë përqindëshin simbolik, ti po thua se edhe nëntëdhjetë përqindëshi tjetër i përket Perëndisë. Kështu ti përkushtohesh që ta përdorësh atë sipas udhëzimeve të Biblës. Ky është një akt falënderimi, sepse duke dhënë dhjetë përqind, t’i po i thua faleminderit Perëndisë, si i vetmi që dha gjithçka për ty. Po kështu është një akt besimi sepse, duke dhënë dhjetë përqindëshin tënd, ti po tregon besimin se Perëndia do të japë bujarisht shumë më tepër se ke nevojë dhe, se në të ardhmen mund t’ia dalësh shumë mirë, me jo me pak se shumën e të ardhurave që Ai siguron për ty. Kur nevojat e tua plotësohen dhe ti ke mjaftueshëm për të kursyer, atëherë mund të zgjedhësh që të japësh përtej dhjetë përqindëshit, për punën e Perëndisë dhe për njerëzit në nevojë. Por ky dhjetë përqindësh vjen para se të plotësosh nevojat e tua. E dhjeta është dëshmi e përkushtimit tënd, e falënderimit dhe e besimit.
Atëherë çfarë do të thotë të mos e japësh të dhjetën?
Të mos e japësh do të thotë se të mungon përkushtimi: ti nuk e nderon Perëndinë si pronarin e parave të tua. Do të thotë mungesë falënderimi: ti nuk po e falënderon Perëndinë për atë që të ka dhënë ty. Do të thotë mungesë besimi: ti nuk po tregon besim se Perëndia do të plotësojë gjithë nevojat e tua dhe shumë më tepër nëse i jep dhjetë përqindëshin.
Nëse nuk jep asgjë, ose nëse dhënia jote vjen prej kursimeve, në vend që ta bësh të dhjetën prioritetin numër një financiar, atëherë ti ke një problem shpirtëror. E dhjeta është ajka e të ardhurave të tua, nuk është diçka që të mbetet nga fundi i muajit. Nëse je në një mendje me Perëndinë, jepi Atij frytin e parë, jo atë që të ka mbetur.
Të vjedhësh Perëndinë, të vjedhësh veten
Tani duke qenë se po flas për të dhjetën mund të bëheni dyshues për motivin pse po e bëj këtë. Në disa radio apo shërbesa radiofonike, programet të caktuara përfshijnë bërjen e donacioneve të mëdha në atë shërbesë të veçantë me pretendimin se paratë e tua janë të Perëndisë.
Por unë nuk po bëj këtë. Jepe te dhjetën në një kishë të mirë lokale dhe në shërbesa të tjera që e nderojnë Perëndinë, e do të bekohesh tej mase në dhënien tënde, edhe sikur të mos japësh asnjë qindarkë për këtë program. Qëllim im nuk është të ngre fonde për programin Fjalët e Shpresës, por ta ngre marrëdhënien tënde me Perëndinë në një nivel më të lartë. Unë dëshiroj që Perëndia të nderohet dhe ti të bekohesh teksa jep të dhjetën dhe pranon Zotin si pronarin e gjithçkaje që ke.
Dua t’ju kursej përvojën e një çifti të martuar me të cilin kam folur dikur. Unë fola me ta para disa vitesh. Ishin ngushtë me para. Të dy punonin, por nuk po ia dilnin dot. Ata mendonin se nuk mund t’i jepnin Perëndisë ndonjë shumë domethënëse. Atë vit ata i dhanë kishës së tyre vetëm njëzetë e pesëmijë lekë. Ndërkohë që vetëm për televizorin kabllor shpenzonin më shumë se aq çdo muaj. Kur morën një shpërblim, e shpenzuan menjëherë në pajisje të reja elektronike, që realisht nuk ju duheshin.
Kur unë fola me këtë çift përsëri vite më vonë, financat e tyre nuk ishin përmirësuar. Ata vazhdonin të blinin sipas qejfit dhe ende nuk ishin gati t’i jepnin një shumë domethënëse Perëndisë. Lëndimet në punë, problemet me makinën, shpenzimet e tjera të paparashikuara dhe tensionet në martesën i kishin shteruar më shumë financat e tyre dhe ua kishin bërë jetën të vështirë. Më e keqja është se tani ndihen të cekët dhe pa një qëllim në marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Unë nuk dua të gjykoj këtë çift, por pyes veten se sa prej shqetësimeve të tyre erdhën sepse ata nuk e nderuan Perëndinë si drejtuesin e martesës së tyre dhe pronarin e parave të tyre. Nëse do të kishin filluar me dhënien e të dhjetës vite më parë, do të kishin mësuar se si të menaxhonin më me kujdes nëntëdhjetë përqindëshin tjetër, të parave të Perëndisë. Një bekim tjetër në jetën e tyre do të kishte qenë, një kuptim më i thellë i të qenurit miq dhe partner të Perëndisë. Duke mos dhënë të dhjetën ata e vodhën Perëndinë si edhe vodhën veten prej bekimeve të Perëndisë.
Në Bibël, te libri i Hagait, Perëndia i foli njerëzve që për vete donin shtëpi luksoze, por për tempullin, shtëpinë e Perëndisë e kishin me përtesë të jepnin. Këtyre njerëzve u dukej sikur pavarësisht sa para fitonin, ato harxhoheshin si uji. Edhe atëherë kur mund të blinin disa gjëra, nuk ishin të kënaqur. Perëndia tha: "Prandaj Zoti i ushtrive thotë tani: "Mendohuni mirë për sjelljen tuaj! Ju keni mbjellë shumë, por keni korrur pak; ju hani por jo aq sa të ngopeni; ju pini, por jo aq sa të shuani etjen tuaj; ju visheni, por askush nuk rrinë ngrohtë; ai që fiton një mëditje, e fiton për ta shtënë në një qese të shpuar." (Hagai 1:5-6)
Çfarë pamjeje! Edhe sikur të kesh mjaft para, sa i fut në xhep apo në kuletë, duket sikur bien në xhep të shpuar.
Ushqimi nuk ju ushqen sa duhet, rrobat nuk duken të rehatshme dhe ti planifikon investime të mëdha por rezultatet janë të vogla.
Kështu ndodh kur mendon vetëm për veten dhe shpërfill Perëndinë si pronarin e gjithçkaje. Perëndia mund të lejojë që financat e tua të shterohen fare, ose e kundërta, mund të lejojë që paratë dhe luksi yt të shtohet, por mos të lejojë që të ndihesh i lumtur apo i kënaqur me to.
Nëse ke vjedhur Perëndinë ke vjedhur veten. Dëgjo këto fjalë nga Malakia, libër i Biblës:
"Që në ditët e etërve tuaj ju jeni larguar nga statutet e mia dhe nuk i keni respektuar. Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem tek ju", thotë Zoti i ushtrive. "Por ju thoni: "Si duhet të kthehemi?".
8 Një njeri do të vjedhë Perëndinë? Megjithatë ju më vidhni dhe pastaj thoni: "Çfarë të kemi vjedhur?". Të dhjetën dhe ofertat.
9 Mallkimi ju ka qëlluar, sepse më vidhni, po, mbarë kombi.
10 Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë", thotë Zoti i ushtrive, "në se unë nuk do t'i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini." (Malakia 3:7-10)
A do të doje që Perëndia të të mbulonte ty me bekime?
A do të doje të mos kishe shqetësime financiare dhe, të kishe më shumë se sa mjaft për trupin dhe shpirtin tënd? Atëherë mos u mundo të vjedhësh Perëndinë duke pretenduar se paratë e Tij janë të tuat.
Vëre Perëndinë në provë. Zbuloje vetë nëse Ai e ka me të vërtetë atë që thotë. Dorëzoja veten Perëndisë dhe marrëdhënien tënde me financat dhe, shiko se çfarë do të ndodhë. Përgjigju pyetjes:"Të kujt janë paratë?" duke thënë: "Janë paratë e tua Zot." Dhe mos e thuaj këtë thjesht me fjalë. Por thuaje me të dhjetën tënde, duke i dhënë Perëndisë pjesën më të mirë, të asaj që tashmë është e Tija.
Miq besoj se tema sot ju ka sfiduar për t’ia treguar besimin tuaj Perëndisë me të dhjetën dhe çdo ofertë tjetër për misionin dhe punën e Perëndisë, si edhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Herën e ardhshme do të flasim se si Perëndia nuk ka nevojë për dhuratat tona , ai kërkon zemrën tonë!