Predikimi më i ashpër në histori 1
Predikimi më i ashpër në histori erdhi si një goditje tronditëse. Ai nuk ishte një predikim i bukur, por i ashpër. Nuk ishte i këndshëm; por plot me fjalë të këqija. Tronditja më e madhe erdhi për faktin se i drejtohej disa personave të rëndësishëm. Po, predikimi më i ashpër sulmoi disa prej njerëzve fetarë më të respektuar në historinë njerëzore. Këta njerëz luteshin disa herë në ditë, përditë. Ata e studionin Biblën. Ata ishin në gjendje të recitonin shumë pjesë të Shkrimeve. Ata ishin ekspertë në diskutimin e doktrinave dhe në përkufizimin e moralit. Ata siguroheshin që të ruanin çdo ritual në mënyrën e duhur. Ata siguroheshin që të merrnin pjesë në takimet e adhurimit. Ata ishin të kujdesshëm që të jepnin ekzaktësisht dhjetë përqind të pasurisë së tyre për bamirësi. Ata i dërgonin fëmijët e tyre në shkollat më të mira fetare. Ata punonin pa u lodhur për të bindur të tjerët që këta të bëheshin njerëz më të mirë dhe të bashkoheshin me grupin e tyre. A nuk do të kënaqeshin shumica e predikuesve me njerëz kaq të mirë. Pse duhet t’i sulmonte një predikues ata?
Në atë ditë të veçantë ata shkuan në vendin e adhurimit si zakonisht dhe zunë vendet e tyre. Ata po prisnin me padurim të dëgjonin një predikim të mirë, që mëson njerëzit e mirë se si të jenë më të mirë. Por një djalë tek të tridhjetat u çua në këmbë për të folur, por ky nuk u çua të fliste normalisht. Para se të fillonte të fliste, nuk ishte një e folur e thjeshtë por ata të gjithë i priste një e folur si sulmi i luanit. Dhe ky sulm u drejtohej direkt atyre!
Sulmi i tij kishte shtatë pika, të mprehta si dhëmbët e luanit dhe po aq të dhimbshme. Ai e filloi çdo pikë duke ulëritur: "Mjerë ju!" Teksa po u bërtiste duke i thënë sa të mjerë ishin në ato shtatë pika, ai i bombardoi me emra të tmerrshëm. Gjashtë herë ai i quajti ata hipokritë, por kjo nuk ishte më e keqja. Ai i quajti ata bijtë e ferrit. Ai i quajti ata " udhërrëfyes të verbër." Ai i quajti ata zgjyrë ndyrësish. Ai i krahasoi ata me varret e bukura por që janë të mbushura me kufoma që vijnë erë dhe, me skelete të frikshme. Ai i quajti ata gjarpërinj. Ai nuk u qetësua por vazhdoi të thoshte ato që mendonte. Kush kishte atë guxim që të hidhte një sulm kaq të ashpër mbi një grup njerëzish kaq të mirë? Atëherë ka ardhur momenti t’ju prezantoj me atë djalë të ri, ai predikues nuk ishte askush tjetër, veç Jezus Krishti.
Kjo ngjarje u zhvillua në tempullin e Jeruzalemit. Objekt i sulmit të Jezusit ishin mësuesit e ligjit dhe farisenjtë.
Ata ishin njerëzit më fetarë dhe më të respektuar të qytetit. Shumë i quanin ata ajka e qytetit, megjithatë Jezusi u flet atyre fjalët më të ashpra.
Këto fjalë nuk ishin kundër hajdutëve apo pijanecëve apo prostitutave. Zemërimi i Jezusit nuk ishte ndezur kundër tyre, por ndaj kampionëve të pjesëmarrjes në kishë, ndaj atyre që dukeshin të mirë, dhe ruanin vlerat familjare tradicionale.
Kur Jezusi përdori një kamxhik për të nxjerrë prej tempullit të Perëndinë një grup njerëzish, Ai nuk përzuri mëkatarët më të përçmuar; Ai nxori jashtë ata që e siguronin jetesën përmes aktiviteteve fetare.
Dhe kur Jezusi u lëshua për të folur predikimin më të ashpër të historisë, Ai nuk sulmoi njerëzit e këqij, që të gjithë e dinin se cilët ishin, por Ai sulmoi ata që populli i mendonte se ishin të mirë. Tani më duhet të jap këtë shpjegim të rëndësishëm. Bibla e quan Jezusin qengji i Perëndisë, por Jezusi mund të jetë edhe luani që gjëmon me zemërim. Ky është rasti që Jezusi akuzon elitën fetare për shtatë ligësi që do të sillnin mbi ta mjerim dhe gjykim.
Mbyllja e derës qiellore
E para ishte më e rëndësishmja. Jezusi tha:
"Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë." (v. 13)
Jezusi ishte i inatosur me elitën fetare, për faktin që këta po ia përplasnin në fytyrë njerëzve derën e mbretërisë së Perëndisë. Si po e bënin ata këtë?
Ata po e bënin duke promovuar një besim bazuar tek arritjet. Ai lloj besimi që ata kishin nuk kishte vend për mëkatarët. Pohimet e tyre kryesore ishin se: Perëndia do të pranonte vetëm njerëzit e mirë në mbretërinë e Tij.
Ata thoshin: ti mund të shkosh në qiell vetëm nëse je njeri i mirë. Si pasojë, ata thjesht nuk i merrnin parasysh njerëzit që i quanin të këqij dhe, i caktuan vetes detyrën që t’i mësonin njerëzve të mirë si të ishin akoma më të mirë.
Çdo fe e projektuar vetëm për njerëzit e mirë bëhet një grup vetëm për njerëzit e suksesshëm dhe jo një vend për njerëzit mëkatarë, të cilët mund të zbulojnë faljen dhe shërimin e Perëndisë. Kisha bëhet një vend fetar, shtëpia e të shenjtëve, takimi i njerëzve të mirë. Mëkatarët nuk e gjejnë veten aty.
Ky lloj besimi ka dy efekte të kundërta, por që janë njëlloj vdekjeprurëse. Së pari prodhon hipokrizi tek disa njerëz dhe dëshpërim tek të tjerët. Ata që mendojnë se janë të mirë, janë shumë të zënë duke përgëzuar veten për mirësinë e tyre dhe nuk kanë kohë për të parë realitetin vdekjeprurës të mëkatit të tyre. Ndërkohë ata që e dinë se nuk janë aq të mirë, mendojnë se për ta s’ka shpresë, meqenëse dera e Mbretërisë së Perëndisë është e hapur vetëm për njerëzit e mirë.
Një fe e projektuar vetëm për njerëzit e mirë i mbyll derën mbretërisë së Perëndisë duke i zënë rrugën faljes.
Ata që ndihen të kualifikuar si njerëz të mirë nuk do ta shohin nevojën e tyre për falje dhe ata që e dinë se nuk janë të mirë sa duhet nuk do të shohin asnjë mundësi faljeje.
Jezusi e urrente këtë lloj besimi. Ai ishte i vrullshëm, pothuajse i dhunshëm në sulmet e tij. Pse? Sepse ai dëshironte fort që mëkatarët të merrnin shpëtimin. Ai pa se besimi i shtirur i bllokonte rrugën faljes dhe i mbante njerëzit larg mbretërisë së Perëndisë.
Proselitët( të kthyerit në besim) për ferrin
Shumë pranë akuzës së parë, asaj që mbyllnin derën e mbretërisë së Perëndisë, ishte akuza e dytë, ajo që thoshte se këta njerëz fetarë i çonin njerëzit drejt ferrit.
" Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë proselitë, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenës dhe dy herë më të keq se ju." (v. 15)
Këta njerëz kishin një zell të jashtëzakonshëm për ungjillëzimin. Ata ishin kaq të etur për të kthyer në besim njerëzit e tjerë. Por ata kishin një problem të madh: ata po i drejtoni njerëzit në besimin e gabuar. Proselitët e tyre po bëheshin fëmijë të ferrit.
Një besim është në telashe të mëdha kur interesi i tij i vetëm është ti bëjë njerëzit të besojnë, pa e ditur se në çfarë po besojnë.
Ekziston një tundim vdekjeprurës që e përcakton suksesin prej shifrave, pra prej faktit se sa shumë njerëz tërheqim ne në besim. Sa më shumë persona kthehen në besim, aq më shumë rritet pjesëmarrja në kishë dhe, aq më shumë libra shiten dhe aq më i aftë duhet të jetë predikuesi. Fiton ai që tërheq turmat më të mëdha. A është e vërtetë se shifrat tregojnë shkallën e suksesit? A e justifikon mjeti qëllimin? Përveç dëshirës dhe zellit tonë për ti kthyer njerëzit në besim, çfarë duhet tjetër? Si të kemi kujdes prej udhëheqësve të verbër shpirtërorë? Për më tepër na ndiqni në programin tonë të herës së ardhshme. Nga unë Berti kalofshi sa më bukur. Mirë u dëgjofshim!