Rregullim plastik i fytyrës pa kirurgji 3
Shumë situata të jetës na rrëmbejnë gëzimin dhe na inatosin.
Situatat që na inatosin më shumë janë edhe me qesharaket. Ah sikur të mos i kushtonim aq vëmendje, me siguri nuk do të ishim mërzitur aq shumë? Ndonjëherë mënyra më e mirë për të qetësuar një njeri gjaknxehtë është të zmbrapsesh dhe të qeshësh me ta.
Mos më keqkuptoni ka disa situata serioze që nuk mund t’i kthejmë në shaka. Ka disa gabime që e kanë hak indinjimin. Disa tragjedi madje e tronditin jetën tonë. Nuk mund ta kthejmë gjithçka në shaka. Megjithatë shumë gjëra në jetë mund t’i kalojmë me të qeshur, nëse jemi të gatshëm ta shohim si shaka.
Disa gjëra janë me të vërtetë tragjike, por shumë prej problemeve tona i ngjajnë më shumë një komedie se sa një tragjedie. Nëse mësojmë të qeshim me atë që është për të qeshur dhe kursejmë energjinë dhe zemërimin tonë për padrejtësi dhe tragjedi që janë me të vërtetë serioze.
Megjithatë të mos zemërohesh shumë shpejt është zgjuarsi. Bibla thotë “Mos u nxito në frymën tënde të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve." (Predikuesit 7:9) Kur je i zemëruar, ti thua dhe bën budallallëqe dhe shkakton më shumë dëm se sa ajo gjë që të ka hequr trurin.
Kështu që mos u shfry para çdo problemi të vogël, sikur ka ndodhur një tragjedi; në vend të kësaj shikoje atë si një komedi dhe shijo të qeshura pa fund. Nëse je në një situatë që të ka inatosur shumë dhe nuk gjen asgjë për të qeshur, atëherë shihu para pasqyrës. Fytyra e kuqe, damarët e nxirë dhe sytë e fryrë, duhet të mjaftojnë që të bëjnë për të qeshur. Leri shfryrjet, mos e zbraz thesin tënd.
Fokusohu te gjykatësi
Një parim i katërt i rëndësishëm për të qenë gjithmonë të gëzuar është kjo: fokusohu te gjykatësi më i madh,dhe jo te gjykatësit e vegjël. Mënyra më e shpejtë që zhvat gëzimin dhe të bën të zymtë është të fokusimi tek ajo që mendojnë njerëzit e tjerë, shqetësimi për kritikat.
Mund të trishtohesh shumë shpejt kur je fokusuar tek ajo që thonë të tjerët për ty, apo i fiksuar për të marrë miratimin e njerëzve të tjerëve. Mos lejo që një grup njerëzish të zhgënjyer që e quajnë veten kritikë të zhvatin lirinë dhe gëzimin tënd. Në vend të kësaj, fokusohu tek i vetmi gjykatës që ka rëndësi: vetëm te Jezusi.
Kjo është këshillë e mirë për të gjithë ne, sidomos për predikuesit. Kam dëgjuar një histori për një predikues që shkoi të predikonte në një kishë tjetër. Pas takimit ai shkoi të përshëndetej me besimtarët e kishës. Erdhi njëri dhe i tha predikuesit: "Predikimi yt ishte i mërzitshëm." Më pas ai u largua. Predikuesi vazhdoi të takonte njerëzit e tjerë, pa e vrarë shumë mendjen. Disa minuta më vonë, i njëjti person u shfaq prapë dhe tha: "Predikimi yt nuk kishte asgjë praktike për jetën. Thjesht gjëra teorike." Pas disa minutash ai u kthye sërish: "Po atë zërin çe kishe ashtu, si miza në qyp! Jo vetëm kaq por edhe veshjen nuk e kishe kombinuar fare!" pastaj ai u largua. Dikush që u ndodh pranë predikuesit, e pa që po shqetësohej dhe u mundua ta qetësonte: "Mos ia vër veshin atij djalit”, tha ai. “Ai nuk di çfarë thotë. Ai nuk di asgjë, ai nuk i ka mendimet e tij këto, ai thjesht përsërit fjalët që dëgjon nga të tjerët."
Aq më keq atëherë! Si qenka kjo punë kështu!!!!
Nëse ti e bazon gëzimin tënd tek gjërat që të tjerët thonë për ty, jeta mund të bëhet e mërzitshme. Fokusohu te Gjykatësi i madh dhe jo te gjykatësit e vegjël. Apostulli Pal tha na Bibël, " Sa për mua, më intereson fort pak që të gjykohem prej jush ose prej një gjykate njerëzore; madje as veten nuk e gjykoj. Sepse nuk jam i vetëdijshëm për asnjë faj, por për këtë nuk jam justifikuar, por ai që më gjykon është Zoti"
(1 Korintasve 4:3-4)
Gëzimi i Palit nuk bazohej te gjykimi i të tjerëve, as te ndërgjegjja e tij. Ai i besonte vetëm mendimit të Perëndisë.
A do të thotë kjo se duhet të shpërfillim kritikat ndërtuese, apo të jemi të pandjeshëm ndaj opinionit të të tjerëve? Sigurisht që jo. Bibla thotë "Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai." (Fjalët e Urta 17:10) Nëse je një njeri i mençur dhe i mprehtë, nuk do të shpërfillësh qortimet apo kritikat. Nga disa prej tyre do të mësosh, sidomos prej kritikueseve të dashur. Por të mësosh prej të tjerëve është shumë ndryshe nga të jetuarit për të kënaqur të tjerët.
Kur fokusohesh për të kënaqur Perëndinë, ti mund të mësosh prej të tjerëve pa e bazuar lumturinë tënde tek mendimet që ata kanë për ty. Ti nuk ke pse t’i japësh llogari të tjerëve. Perëndia është gjykatësi yt. Dhe nëse je i krishterë, ti e di se gjykatësi yt tashmë të do dhe të pranon si fëmijën e tij. Thjesht shijoje dashurinë e tij dhe ji gëzuar për çdo mundësi që të jepet për ta kënaqur dhe nderuar atë. Në rast se njerëzit e tjerë mendojnë se ti nuk përmbush standardet e tyre, është problemi i tyre, jo i yti. Nëse dëshiron të kesh një zemër të gëzuar dhe një fytyrë të qeshur, merre seriozisht Zotin, dhe merri më pak seriozisht kritikat e të të tjerëve dhe kritikat për veten. Fokusohu te gjykatësi i madh dhe jo te gjykatësit e vegjël.
Një zemër e lumtur
Tani le ta përmbledhim të gjithë këtë. Pak më parë ne të ftuam për një zbukurim të fytyrës pa kirurgji dhe të ftova ty të buzëqeshësh. Por ne e pamë nga Bibla se që të kesh një buzëqeshje të shëndetshme mbi fytyrën tënde, ti ke nevojë për gëzim në zemrën tënde. Te Fjalët e Urta 15:13, " Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën, por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet." Në rast se shpirti yt është i rrëzuar prej dhimbjeve të jetës pa Perëndinë, atëherë para se të jesh në gjendje të buzëqeshësh me të vërtetë, ti ke nevojë për Perëndinë i Cili mund të kthejë një zemër të dëshpëruar në një zemër të gëzuar.
Deri tani kemi parë disa këshilla praktike për të ruajtur një zemër të lumtur, por kujtoni: këto janë mënyra që gëzimi yt të vazhdojë të rrjedhë në jetën tënde pasi e ke marrë. Së pari ti ke nevojë për atë gëzim. Ti duhet të vish te Jezusi, burimi i shpëtimit dhe të kesh ujin e gjallë të Frymës brenda teje. Pa Zotin, ti nuk do të kesh një zemër vërtetë të lumtur, pavarësisht se sa shumë qesh. Ndjenja e humorit nuk ka të krahasuar me zemrën e mbushur me Frymën e Shenjtë. Vetëm Krishti, mund të sigurojë gëzimin e madh që vjen vetëm kur je në miqësi me Perëndinë e përjetshëm. Gëzimi i Zotit fillon me një marrëdhënie shpirtërore me Jezus Krishtin.
Ndonëse e kemi bërë të qartë këtë, duhet të mos harrojmë se për të mbajtur një zemër të gëzuar dhe një fytyrë të qeshur ka më shumë se sa thjesht fillimi i një marrëdhënie personale me Zotin.
Ti duhet që të ndjekësh po ashtu mësimet praktike dhe logjike të Biblës që gëzimi të qëndrojë në ty. Nëse nuk je i kujdesshëm për udhëzimet praktike për të jetuar me gëzim, një pjesë e madhe e gëzimit ndotet dhe bllokohet prej plehrave të jetës së përditshme. Pavarësisht faktit se i përket Zotit, do të humbasësh atë lumturi që mund të jetë e jotja.
Pra shqyrtoje veten për çdo tendencë në personalitetin tënd që krijon më shumë pikëllim se sa lumturi. Në rast se ke prirje të shikosh anën e errët, numëro bekimet e tua, dhe jo ankimet.
Nëse je person që e ke mani punën, po të them sot, hiq dorë nga punët e padobishme, lërja ato njerëzve të ngeshëm. Nëse je person që të mungon durimi, boll u shfryve; mos e zbraz thesin tënd të ankimeve. Dhe nëse je një person që jeton për të kënaqur të tjerët fokusohu te gjykatësi i madh, që është Zoti, dhe jo te gjykatësit apo kritikët e tjerë. Lëre zemrën tënde të gëzohet në Zotin, dhe lëre fytyrën ta reflektojë këtë. Kështu ti mund të shijosh një zbukurim të fytyrës pa kirurgji.
Shpresoj t’ju ketë pëlqyer kjo temë, mua personalisht më ka shijuar në çdo fjali dhe në tërësi. Uroj t’ia kaloni sa më mirë sot dhe këtë javë, me zemra të gëzuara dhe fytyra të qeshura. Nga unë Berti mirë u dëgjofshim!