Pronari i vërtetë 3
Perëndia nuk ka nevojë për dhurata
Pse na thotë Perëndia që të japim të dhjetën dhe ofertat? Arsyeja nuk është se Ai dëshiron që të marrë para prej nesh. Perëndia thotë: "Argjendi është imi, ari është imi". (Hagai 2:8) Edhe sikur t’i jepje Perëndisë 300 ton ar, 600 ton argjend, shtuar edhe pirgje me gurë të çmuar, gjithsesi nuk do t’i jepje Perëndisë asgjë më shumë se sa thjesht atë që i përket. Në fakt, kur mbreti David po mblidhte material ndërtimi për djalin e tij Solomonin për ndërtimin e tempullit të Zotit, Davidi dhe zyrtarët e tjerë, dhuruan me të vërtetë 300 ton ar, 600 ton argjend dhe, shumë bizhuteri të çmuara. Ata nuk dhanë me përtesë. Ata i dhanë "lirisht dhe me gjithë zemër Perëndisë." Dhe çfarë bëri Davidi kur i ofroi këtë pasuri të madhe Zotit? Davidi tha:" Nga ti vijnë pasuria dhe lavdia; ti sundon mbi gjithçka;
Prandaj ne, o Perëndia ynë, të falënderojmë dhe kremtojmë emrin Tënd të lavdishëm.
Po kush jam unë dhe kush është populli im që jemi në gjendje të të ofrojmë gjithçka në mënyrë spontane? Në të vërtetë të gjitha gjërat vijnë nga ti, dhe ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote". (1 Kronikave 29:12-14)
Kjo duhet të jetë lutja e gjithë bijve të Perëndisë teksa i ofrojnë dhurata Perëndisë: "Ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote." Le të mos mendojmë se Perëndia ka nevojë për dhuratat tona dhe se ne po i bëjmë Atij një favor të madh. Ne thjesht po i kthejmë atij pak nga ato që na ka dhënë ai. Ne jemi si fëmijë të vegjël që nuk mund t’i blejnë një dhuratë të vogël ditëlindjeje babit nëse nuk na i jep ai vetë paratë më parë.
Sa herë që i japim një dhuratë Perëndisë, dijeni se Perëndia vetë ka paguar për të. Si një Atë i dashur, Perëndia i shijon dhuratat e fëmijëve të Tij, por i shijon dhuratat si shprehje e dashurisë dhe besnikërisë, dhe jo si burime për të cilat ai ka nevojë të dëshpërueshme.
Në rast se Zoti ka nevojë së tepërmi për paratë tona, atëherë do të ishte më tepër i interesuar në njerëzit e pasur sesa te vejushat e varfra. Por nuk e kam atje fjalën.
Një ditë Jezusi pa një dorë pasanikësh që po jepnin shuma të mëdha parash në tempull. Pastaj pa një vejushë të varfër, që hodhi dy monedha të vogla që nuk bënin as sa një qindarkë. Por Jezusi e pëlqeu më shumë dhuratën e saj. Pse? Sepse pasanikët i dhanë para nga ato që kishin kursyer, ndërsa vejusha dha gjithçka që kishte. Kjo do të thotë se ajo e donte dhe i besonte shumë Perëndisë. Jezusi është më tepër i interesuar të dijë se sa shumë e duam ne Perëndinë se sa të dijë sa e madhe është dhurata jonë. Ai dëshiron më shumë zemrat tona; Ai nuk ka nevojë të dëshpërueshme për paratë tona.
Në Dhjatën e Vjetër, një pjesë e adhurimit, ishte ofrimi i sakrificave të kafshëve. Ndonjëherë njerëzit tundoheshin që të mendonin se Perëndia kishte nevojë për këto kafshë, se njerëzit po i bënin një favor duke i ofruar sakrificat dhe se Perëndia ishte në borxh me ta. Por këtyre njerëzve Perëndia ju tha: " Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua. Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male. I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat. Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat. " (Psalmi 50:9-12)
Si mund t’i bësh Perëndisë ndonjë favor kur Ai tashmë zotëron botën dhe gjithçka në të? Ne nuk mundemi. Pra pse ti japim dhurata Zotit që tashmë ka gjithçka?
Për ta shfaqur dhe thelluar përkushtimin tonë, falënderimin dhe besimin në një mënyrë që i pëlqen Perëndisë dhe e nderon atë si pronarin e drejtë të gjithçkaje që kemi. Nëse je menaxher i parave të Perëndisë dhe synon ta kënaqësh Atë në të gjitha vendimet e tua financiare, atëherë paraja që përndryshe mund ta largojë zemrën nga Perëndia, bëhet një mjet për përforcimin e ecjes tënde të përditshme me Zotin.
Një zemër për Perëndinë
Të përdorësh paratë e Perëndisë për lavdinë e Perëndisë, është një mënyrë e mrekullueshme për të treguar se çfarë ke në zemër. E dhjeta, është një mënyrë për t’i menaxhuar paratë sipas mënyrës së Perëndisë dhe unë shpresoj se ti je bindur për këtë tashmë. Por më lejo të shtoj dhe diçka që duhet të kesh kujdes. Edhe kur jep të dhjetën, nuk të garantoj se kështu ti po nderon Perëndinë si dhuruesin e gjithë parave të tua. Kjo nuk do të thotë me doemos se zemra jote është në rregull me Perëndinë. Është e mundur që të japësh shuma të mëdha parash dhe prapë ta bësh për motivet e gabuara.
Në kohën e Jezusit, farisenjtë ishin një grup fetar që mundoheshin të fitonin miratimin e Perëndisë duke iu bindur rregullave pikë për pikë.
Motivimi i tyre nuk ishte besimi, as dashuria për Perëndinë, apo drejtësia dhe mëshira ndaj të tjerëve. Por ishte mburrja për vetë drejtësinë e tyre. Jezusi nuk dinte se çfarë të thoshte për farisenjtë, por një gjë të mirë e tha: ata jepnin të dhjetën. Ata ishin kaq strikt për ofrimin e të dhjetës, kaq ngulmues në dhënien e të dhjetës saktësisht, sa që këtë e bënin edhe me produktet më të vogla, sikurse ishin erëzat, duke u siguruar që Perëndia do të merrte pjesën e Tij.
Por teksa po llogarisnin edhe erëzat për të dhjetën ata po shpërfillnin gjëra shumë herë më të rëndësishme për Perëndinë, si drejtësia, mëshira dhe besnikëria.
Zemrat e tyre nuk ishin në një mendje me Perëndinë. Jezusi tha se kjo nuk do të thoshte se duhet të ndalonin së dhëni të dhjetën. E dhjeta ishte diçka e mirë, por ata duhet t’ia jepnin zemrën e tyre Perëndisë dhe të tregonin më shumë interes në njerëzit e tjerë.
(Mateu 23:23)
Perëndia dëshiron që e dhjeta jote të jetë një dëshmi konkrete që ti beson se Perëndia zotëron tërë financat e tua dhe plotësisht zemrën tënde. Bibla na jep shembullin e njerëzve që "dhanë bujarisht madje edhe përtej mundësive të tyre." Çfarë i bëri ata që të ishin kaq bujar me paratë? Bibla thotë se para se të jepnin paratë, ata " i dhanë zotit zemrën e tyre." Bibla vazhdon duke mësuar se dhënia jonë vjen prej hirit të Perëndisë në jetën tonë dhe thotë: "Kujdesuni që të shkëlqeni në hirin e dhënies". Mos jepni sepse duhet dhënë, apo se është një kërkesë e ligjit të Perëndisë, por bëjeni në përgjigje të hirit të tij. "Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij." (2 Korintasve 8:9)
E gjitha kjo bisedë na çon në konkluzionin se Krishti të zotëron ty dhe ti duhet të besosh se sakrifica e Tij të bën përjetësisht të pasur në çdo gjë. Kemi qenë duke folur se Perëndia zotëron paratë e tua dhe gjithçka tjetër, por këtu ka diçka me të vërtetë mahnitëse. Kur ti e pranon se Perëndia zotëron gjithçka tënden, del që ti zotëron gjithçka që është e Perëndisë!
Bibla u thotë të krishterëve:" Sepse të gjitha gjërat janë tuajat; Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë." (1 Korintasve 3:21,23) "Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?" (Romakëve 8:32) A beson se Perëndia të ka dhënë gjithçka dhe mbi të gjitha veten e Tij? Nëse po, jepja veten dhe gjithçka tënden Atij. Jep me një zemër të gëzuar, duke i besuar Perëndisë që të ka dhënë gjithçka, jo vetëm pasuritë materiale, por edhe pasuritë e përjetshme në Krishtin.
Ndoshta ti ke një mori problemesh financiare që dëshiron të zgjidhësh, apo mundësi të ndryshme për të shfrytëzuar ato para. Por gjërat e rëndësishme vijnë të parat.
Para se të përballesh me çështjet apo problemet financiare, besoji së pari Perëndisë dhe bëju partneri i tij. Me anë të besimit prano gjithçka që ka Ai dhe, me besim dorëzoja gjithçka që ke Atij. Bibla e bën të qartë se kjo është një ujdi e paparë. Nuk humbet asgjë. "Sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar.”
Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t'ju teprojë për çfarëdo punë të mirë." (2 Korintasve 9:7-8)
Nga unë Berti mirë u dëgjofshim!