Fryti i Frymës 2
Po flasim për cilësitë e frytit të Frymës, bazuar te letra drejtuar galatasve, kapitulli 5.
Cilësia tjetër në këtë listë është paqja. Paqja është një ndjenjë qetësie, sigurie dhe mirëqenieje, në marrëdhënie me Perëndinë dhe të tjerët. Kur ne kemi një marrëdhënie të mirë me Perëndinë me anë të besimit: "… kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë." (Romakëve 5:1) Ky është statusi ynë objektiv i caktuar me anë të vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit: ne nuk jemi më armiq të Perëndisë, por jemi miqtë e tij. Lufta mes Perëndisë dhe popullit të Tij tashmë ka përfunduar.
Fryma e Shenjtë e bën këtë synim realitet dhe e vulos në zemrat e njerëzve që Jezusi vdiq për t’i shpenguar. Fryma na jep një qetësi të brendshme dhe një siguri. Ne e dimë se e ardhmja jonë e përjetshme është e sigurt dhe se jeta jonë e përditshme, është po ashtu në duart e Perëndisë. Jezusi thotë: " Fryma e Shenjtë… do t'ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë. Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time… Zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë." (Gjoni 14:26-27)
Sa herë që rrënjët e shqetësimit dhe të frikës fillojnë të rriten sërish, Fryma punon për t’i shkulur me rrënjë, në mënyrë që paqja të rritet dhe të shpaloset në ne.
Pasi marrim paqen e Perëndisë në zemrat tona, ne bëhemi paqebërës, në lidhje me të tjerët. Një prej pengesave më të mëdha për tu marrë vesh me të tjerët është kur nuk kemi paqe brenda vetes, për arsye se nuk jemi mirë me Perëndinë. Por ndërkohë që paqja e Perëndisë rritet brenda nesh, ne bëhemi paqebërës. Ne preferojmë më mirë të falim se sa të mbajmë mëri. Do të na pëlqente më shumë të fitonim një person se sa një betejë. Ne përçojmë një ndjenjë paqeje që i sjell paqe edhe të tjerëve. Ne nuk jemi të kontrolluar prej frikës dhe zemërimit, por prej paqes së Perëndisë.
Një tjetër cilësi e Frymës që e lidhur ngushtë me paqen është: durimi. Durimi është fuqia për të qëndruar, i patundur në një vuajtje të gjatë. Personi i mbushur me Frymën e Shenjtë ka durim për të pritur në Zotin kur lutjet nuk marrin menjëherë përgjigje; durim për të qëndruar në një punë jo argëtuese dhe që nuk jep rezultate të menjëhershme; durim për të toleruar njerëz të cilët janë të padurueshëm dhe që nuk di si të sillesh kur i ke pranë. Jezusi ka qenë i duruar me ne dhe me anë të Frymës së tij, durimi i tij rrënjoset në ne dhe ne bëhemi më të duruar në marrëdhënien që kemi me të tjerët.
Një tjetër cilësi e Frymës është mirësia. Mirësi do të thotë të jesh bujar me ata që kanë nevojë për ndihmë, bujar në veprime dhe në qëndrime. Veprat e mirësisë rrjedhin prej një qëndrimi mirësie. Fryma prodhon një qëndrim të ngrohtë, miqësor dhe ndihmues dhe përkujdesës që vjen veç prej mirësisë së Perëndisë, Shpëtimtarit tonë. Ne vetë me syrin tonë, mund ta shikojmë një person si humbës, por fryma brenda nesh na jep sy për të parë në atë person imazhin e Perëndisë dhe të shikojmë natyrën humane që Krishti vetë pati këtu në tokë. Fryma na ndihmon t’i shohim njerëzit ashtu siç i shikon Perëndia. Mirësia e Perëndisë ndaj nesh rritet dhe bëhet mirësia e Perëndisë përmes nesh.
Fryti i frymës, përfshin gjithashtu cilësinë e mirësisë. Kur ne dominohemi prej natyrës mëkatare, mund të mendojmë se mirësia është e bezdisshme dhe e mërzitshme. Kush është ai që dëshiron të jetë një "njeri shumë i mirë" apo një "njeri që bën veç të mirën”? Por Fryma prodhon në ne një këndvështrim krejt të ri të mirësisë. E keqja e humbet emocionin dhe joshjen e vet. Mirësia kthehet në një aventurë dhe emocionim. Të jesh i mirë do të thotë të jesh i plotë, i përzemërt, i shëndetshëm, i çiltër dhe plotësisht i gjallë.
Fill pas mirësisë është besnikëria. Kur frytet e Frymës rriten në ty, bëhesh besnik, i besueshëm, i vërtetë, dhe i ndershëm. Ti je besnik. Ti do të preferoje më mirë të thyeje krahun se fjalën. Do të preferoje më mirë të humbisje jetën se integritetin tënd. Besnikëri do të thotë ta mbash fjalën. Ti i mban premtimet e tua. Ti qëndron besnik me miqtë e tu. Ti i qëndron besnik partneres. Ti i qëndron besnik Perëndisë tënd. Lidhjet e tua nuk janë të përkohshme por të përhershme. Bindjet e tua nuk janë të lëkundshme, ato janë solide si një shkëmb. Premtimet e tua nuk janë të përkohshme; ato janë të shenjta. Besnikëria është fuqia e brendshme për të qenë i njëjti person edhe atëherë kur gjërat rrotull teje ndryshojnë. Ti i përket një Perëndie besnik. "…i Cili nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi."(Jakobi 1:17) Dhe Fryma e Perëndisë prodhon një pjesë të së njëjtës besnikërie brenda teje.
Një tjetër cilësi e frytit të Frymës është zemërbutësia. Ndoshta ti mendon se zemërbutësia është një shenjë e butësisë dhe dobësisë, por mendohu mirë. Zemërbutësia mbështet te forca dhe aftësia. Kush e mban më mirë një foshnjë, një baba i fortë apo një fëmijë dy vjeçare që i duhet të mundohet shumë vetëm që ta ngrejë foshnjën e jo më ta mbajë atë?
Kush i ka duart më të buta për mjekimin e një plage: një fëmijë që dëshiron të ngacmojë plagën po që nuk di çfarë t’i bëjë, apo një doktor që nuk i dridhen duart dhe e njeh mirë punën e tij? Zemërbutësia nuk është për njerëzit e dobët dhe të ngathët? Duhet fuqi dhe zotësi për të qenë i butë, i dashur dhe i ndjeshëm ndaj të tjerëve.
Shiko Jezusin. Biri i plotfuqishëm i Perëndisë ka një fuqi dhe urtësi të pakufizuar. Por a e përdori Ai këtë për të sulmuar, frikësuar fizikisht apo për të dominuar? Jo, Ai preku njerëzit e lodhur, të rënduar dhe të brishtë, me butësinë e Tij dhe u dha çlodhje dhe shërim. Jezusi nuk ishte i dobët apo budalla, por e përshkroi veten me fjalët: "zemërbutë dhe i përulur nga zemra". (Mateu 11:29) Kur Fryma prodhon karakterin e Jezusit në ne, Ai na bën po ashtu:" zemërbutë dhe të përulur nga zemra".
Cilësia e fundit e frytit të Frymës që përshkruhet te Galatasve 5 është vetë kontrolli. Ti mund ta kontrollosh veten vetëm kur je nën kontrollin e Frymës së Shenjtë. Në mish, në natyrën e vjetër mëkatare pa Frymën ti je thjesht një person. Ti i ngjan më shumë një njeriu me pasionet dhe dëshirat e veta. Sa më shumë që flet për të marrë vendimet e tua dhe për të bërë zgjedhjet e tua, aq më pak je në gjendje të kontrollosh veten. Por kur Perëndia të merr në kontroll, ti fillon të kuptosh se më në fund mund t’i kontrollosh dëshirat, orekset dhe emocionet e tua.
Në Frymë je ti që kontrollon oreksin tënd për ushqimin; nuk të kontrollon më ushqimi ty. Në Frymë je ti që kontrollon dëshirat e tua seksuale; nuk të kontrollojnë më ato ty. Në frymë ti mund të kontrollosh temperamentin tënd, nuk të kontrollon më temperamenti ty.
Sërish dua të të kujtoj se cilësitë e ndryshme të frytit të Frymës janë disa, por së bashku formojnë atë që ne e quajmë fryti i Frymës.
Disa njerëz mendojnë se dashuria dhe gëzimi mund të duket diçka e mirë, ndërsa besnikëria dhe vetëkontrolli, duken të pakëndshme. Por pa besnikërinë dhe vetëkontrollin, dashuria nuk mbetet veçse një ndjenjë sentimentale dhe gëzimi asgjë më shumë se një kohë e bukur për një periudhë të caktuar. Të tjerë njerëz, që janë më të prerë dhe të drejtë, (dhe mendje ngushtë) mund të theksojnë durimin dhe vetëkontrollin por mendojnë se mirësia dhe zemërbutësia janë të paqëndrueshme të rrëshqitshme dhe të pavlera. Por pa mirësinë, durimi mbetet indiferencë e ftohtë dhe pa zemërbutësinë, vetëkontrolli mund të jetë një ashpërsi e sertë.
Këtu duhet të ndahemi miqtë e mi, Mos harroni të na ndiqni herën e ardhshme për të mësuar më shumë rreth cilësive të frytit të frymës. Mirë u dëgjofshim!
