Print

Programi 21 maj 2015

Dëshira për shlyerjen e fajit

Shumë shekuj më parë aztekët sundonin një mbretëri në zonën që tani quhet Meksiko. Aztekët kishin një kulturë të përparuar dhe njerëz të zgjuar, por sakrifikimi njerëzor ishte pjesë e standardit të jetës së tyre. Aztekët shkonin në luftë rregullisht për të kapur rob mijëra njerëz si sakrifica për perënditë e tyre. Aztekët i vendosnin robërit në majë të piramidës së tempullit dhe i torturonin në zjarr derisa lëkura e tyre mbushej me flluska uji nga të djegurat. Më pas priftërinjtë i tërhiqnin zvarrë nga zjarri viktimat, të cilat ishin në agoni. Priftërinjtë e shtrinin çdo viktimë në një shkëmb të madh guri, i prisnin gjoksin dhe i nxirrnin zemrën e gjallë. Sikurse e përshkruan një historian, kjo ishte një "çështje e komplikuar, që përfshinte: priftërinjtë e sektit, gurë, një platformë dhe shkallë të mbuluara në gjak. Koka e viktimës zakonisht pritej, pështyhej mbi të, vendosej mbi një skarë për tu pjekur ndërsa, trupi i pajetë shtyhej dhe rrokullisej poshtë shkallëve të piramidës. Kur zbriste në fundin e piramidës, trupi pritej dhe pasi u shpërndahej të afërmve dhe miqve të luftëtarit, që kishin ofruar sakrificën, copat e mishit gatuheshin dhe haheshin", ndonjëherë të shoqëruara me salcë pikante domatesh.

Është e tmerrshme të mendosh se këto gjëra kanë ndodhur me të vërtetë dhe mund të duket e pamundur të krahasosh fëmijët e shkollës me Aztekët. Por fëmijët mund të jenë po aq të etur sa Aztekët që të gjejnë viktima, t’i torturojnë ato, tua shkulin zemrën dhe ta hanë. Disa fëmijë e ndiejnë nevojën të kapin fëmijët e tjerë e t’i rrahin derisa këta të fundit të mos marrin frymë. Të rinjtë e bandave kriminale mund të jenë mizorë dhe ata nuk janë të vetmit. Edhe studentët e mirë dhe yjet e atletikës mund të përfshihen në krime që ia bëjnë jetën të mjerueshme viktimës së piketuar. Bandat përdorin kryesisht mizorinë fizike, por ka edhe mënyra të tjera jo fizike, për të torturuar një person, për t’ia copëtuar zemrën dhe për të shkatërruar identitetin e tij. Sakrifikimi i shpirtit njerëzor, ndodh kur fëmijët i bëjnë të tjerët të ndihen të mjerë. Kanibalizmi i shpirtit ndodh kur ata ushqejnë vetë vlerësimin e tyre në kurriz të të tjerëve. Me qindra djem dhe vajza nëpër shkolla vuajnë talljen, refuzimin dhe mizorinë. Jeta dhe gëzimi u shterohet nga këto gjëra.

Pse do të ishin kalamajtë kaq mizorë? Duket sikur kjo  ndodh natyrshëm. Disa intelektualë jorealistë, kanë thënë se fëmijët kanë lindur të pafajshëm dhe, se popujt e fiseve janë njerëz fisnikë. Por duket sikur edhe e kundërta është e vërtetë. Fëmijët dhe popujt e fiseve mundohen të jenë po aq mizorë sa kushdo tjetër. Që në moshë të hershme, shumë fëmijë kanë një damar të keq. Madje të keq janë edhe fëmijët që nuk kanë filluar të ecin ende. Ata kafshojnë të tjerët, ia shkulin flokët, dhe i godasin. Vëllezërit dhe motrat thonë dhe bëjnë këto gjëra për të lënduar njëri-tjetrin apo  që t’i bëjnë të duken keq. Shokët e shkollës zgjedhin fëmijë të caktuar për t’i ngacmuar mizorisht në mënyrë të pamëshirshme.

Çfarëdo gjëje që bëjnë, ata nuk janë veçse mizorë ndaj të tjerëve, por shpesh edhe ndaj vetes. Shumë djem të rinj, tërhiqen në mënyrë të mistershme, ndaj dhimbjes dhe sjelljes shkatërruese. Disa fillojnë të pinë duhanin, duke e ditur shumë mirë se ky i dëmton. Të tjerë përdorin drogën dhe pinë alkool, me një vendosmëri vetëvrasëse. Disa madje bëhen seksualisht imoralë, duke i sjellë vetes degradim, lëndim dhe sëmundje. Disa sjellin çrregullime në ngrënie, siç është anoreksia. Fakti që anoreksia mund të dëmtojë apo edhe të vrasë dikë është pjesë e tërheqjes.

Disa të rinj madje i nënshtrohen bërjes së tatuazheve të dhimbshme, apo pirsing (sh .i p. që janë vathë në pjesë të fytyrës apo të trupit). Po ashtu ka nga ata që bëjnë modifikime të trupit, duke shkaktuar dhimbje dhe shfytyrime. Disa të rinj e presin veten dhe thonë se kur shikojnë derdhje gjaku, ndihen më mirë. Një djalë 14 vjeçar tha se donte të vinte një vath në gjuhë, në hundë dhe në pjesët më intime. Kur e pyetën përse donte ta bënte këtë ai tha: "Arsyen nuk e di. Në të kaluarën kam zbuluar se mund të çliroja shumë zemërim dhe emocione duke i shkaktuar dhimbje vetes, por pa lënduar njeri tjetër. Për rreth 4 muaj do të thosha se isha varur pas kësaj dhimbjeje. Unë i prisja krahët me një brisk rroje apo me thikë sa herë që zemërohesha."

Fëmijët po ashtu lëndojnë apo sakrifikojnë veten në mënyra të tjera më pak fizike. Drejtori i një shkolle private, na tregoi se studentët e shkëlqyer në njëfarë mënyre bëjnë të pamundurën që të dështojnë në mësime.

Studentët janë mjaft të talentuar, dhe mësimet janë të lehta për tu kuptuar që në klasë, pa studiuar fare. Por ata sërish dështojnë. Po të donin ata nuk do të dështonin, por me sa duket dështimi është ajo çka ata duan. Drejtori e shikon këtë si një formë vetë ndëshkimi. Studentët kanë talentin për t’ia dalë mbanë, por diçka në mendjen e tyre u thotë se nuk e meritojnë suksesin, kështu që ata zhyten gjithmonë e më shumë në dështim. Dhimbja është kaq tërheqëse për këta fëmijë sa që do të zgjidhnin më mirë të dështonin se të kishin sukses.

Individët që duan fort shpengimin

Çfarë e shtyn një person të tregohet mizor ndaj vetes dhe të tjerëve? Në thelb të kësaj mizorie gjendet një ndjenjë pavlefshmërie. Kjo pavlefshmëri, ky faj, mund të mos pranohet prej ndërgjegjes apo të shprehet me fjalë prej personave të ndikuar, por kjo i kontrollon ata gjithsesi. Kur dikush mëkaton, dikush duhet të paguajë. Dikush duhet ta paguajë me vuajtje. Ose unë duhet të vdes, ose duhet të vdesë dikush tjetër, por në njëfarë mënyre duhet të ketë vuajtje. Duhet të ketë një pagesë të fajit përmes dhimbjes. Duhet të ketë shlyerje të fajit. Kjo dëshirë për shlyerjen e fajit na çon drejt sadizmit (pra të gjesh kënaqësi në dhimbjen e të tjerëve) dhe mazokizmit (të kërkosh dhimbje për veten). Kjo ndikon jo vetëm civilizimet e lashta apo fëmijët konfuzë por edhe të rriturit.

Shlyerja e fajit është një nevojë bazë dhe e thellë dhe vetëm Perëndia mund të plotësojë këtë nevojë. Ai siguron shlyerjen e fajit përmes vuajtjes dhe vdekjes së Jezus Krishtit." Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij". (Romakëve 3:25) " Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës." (1 Gjoni 2:2) " Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit" (1 Pjetri 2:24), kryqi ku Jezusi vuajti dhe vdiq. Ata që i besojnë shlyerjes së Krishtit janë çliruar, prej dëshirës për të shlyer fajin që i nxit të shkaktojnë dhimbje për veten, apo për të tjerët. Jezusi tashmë e ka paguar çmimin. Por ata që nuk e njohin faljen dhe lirinë e Krishtin çfarë bëjnë?

Ata mundohen ta gjejnë atë në një mënyrë tjetër, duke viktimizuar të tjerët, ose veten, ose të dyja bashkë. Edhe sikur terroristët dhe terapistët të mundohen të na bëjnë të ndihemi mirë me veten, edhe sikur të mos pranojmë fajin tonë dhe të mos kemi një ndërgjegje të frikësuar për dënimin e Perëndisë, frika, faji ynë, dhe dëshira për ta shlyer fajin do ta nxjerrë kokën përsëri, dhe kjo shpesh në mënyrat se si i shkaktojmë dhimbje vetes dhe të tjerëve.

Por si mund ta largojmë ndjesinë që kemi për shlyerjen e fajit dhe a ka mënyra praktike për ta arritur këtë? Herën e ardhshme do të ndalemi më gjatë se si mund të heqim dorë prej të sjellurit si viktima, apo dënimit të vetes për faje që kemi bërë, duke marrë në fund rrugëzgjidhjen më të mirë që vet Zoti na jep: sakrificën e Krishtit. Deri herën e ardhshme kalofshi sa më mirë dhe qëndroni në shoqërinë e programeve tona.
Nga unë Berti Mirë u dëgjofshim!